Ndërkohë kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski, gjatë mbikëqyrjes së punimeve në Korridorin 8, tha se pritet mendimi i UNESCO-s për Strugën, përkatësisht trasenë Trebenishtë-Qafë-Thanë. Sipas tij, në rast të mendimit negativ do të gjendet zgjidhje e përshtatshme.
“Është pyetje që duhet të merret parasysh për atë që Unesco a do të pajtohet apo jo, por në fund, edhe nëse supozojmë se do të kemi vendim negativ, atëherë do të kërkojmë zgjidhje tjetër teknike ku si përgjithësi do të jetë e rrumbullakuar dhe nuk do të jetë asnjëherë ashtu siç e kanë e lënë ata që sot kritikojnë, derisa shtatë vite derisa ishin qeveri”. – Hristijan Mickoski – Kryeministër, transmeton Alsat.mk
Në mars, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoni të Veriut kishte reaguar ashpër pas konfirmimit se është anuluar segmenti Trebenishtë–Qafë Thanë i Korridorit 8, që lidh Maqedoninë e Veriut me Shqipërinë.
Nga kjo parti thonë se çështjen e kishin ngritur publikisht para një muaji, por sipas tyre, reagimet e atëhershme nga institucionet ishin se bëhej fjalë për “shpifje”. Tani, sipas BDI-së, “e vërteta doli në shesh”.
Korridori 8 konsiderohet një nga projektet strategjike për lidhjen lindje–perëndim në rajon, ndërsa anulimi i këtij segmenti pritet të ngjallë debat politik dhe institucional në vend, u pati thënë në reagimin e BDI-së.