"Hekurudhat e Maqedonisë" dyfishojnë çmimin e biletës për refugjatët - Bota Sot
"Hekurudhat e Maqedonisë" dyfishojnë çmimin e biletës për refugjatët

Maqedonia

"Hekurudhat e Maqedonisë" dyfishojnë çmimin e biletës për refugjatët

Më: 13 shtator 2015 Në ora: 16:45

Kriza e refugjatëve sa vjen e rëndohet. Në këtë situatë, Hekurudhat e Maqedonisë kanë vendosur dyfishojnë biletat e udhëtimit me tren. Biletat fillestare kanë qenë afro 5 euro, më pas me rritjen e fluksit të refugjatëve, Hekurudhat rritën biletën në 10 euro, kurse tani një biletë nga Gjevgjelia deri në Tabanoc kushton 25 euro, madje pa asnjë arsyetim. Për çmimin e rritur alarmuan aktivistët humanitarë por në pamundësi të fotografojnë ndonjë biletë si dëshmi, pasi biletat jepen dhe paguhen në mënyrë jo formale, para hipjes në tren. Drejtori i Hekurudhave Nikolla Kostov nuk përgjigjej në telefonatat dhe SMS-të tona lidhur me rritjen e pa paralajmëruar. Zëdhënësi i Hekurudhave vetëm konfirmoi shkurt rritjen, por pa treguar arsyen e vendimit të tillë.

“Unë jam në pushim prandaj nuk mund t’ju them asgjë. Kontaktoni nesër me kabinetin. Mendoj se ka një rritje çmimi por nuk jam shumë i sigurt”, komentoi zëdhënësi i Hekurudhave të Maqedonisë.
Ndërkohë Ministria e Transportit prej disa javësh ka lënë në pritje organizatën humanitare “Hilal” e cila ka kërkuar leje për transportim falas të refugjatëve nga Gjevgjelia në Tabanoc.

“Ne kemi bërë kërkesën e nevojshme, ditë më parë, që të sigurojmë transport për refugjatët. Nuk kemi marrë përgjigje as “po” e as “jo”. Ende jemi në pritje”, deklaroi Mustafa Dauti, Kryetari “Hilal”.
Zv/ministri Nimetulla Halimi, i kontaktuar nga ALSAT, tha sot se nuk është në dijeni të një kërkese të tillë. Ai premtoi se nga e hëna, do të interesohet për një kërkesë të tillë. Nga “Hilal” thonë se afro 5 mijë refugjatë në ditë, i shohin të rraskapitur në qendrat e pritjes ku ndajnë ushqim dhe pije. Por ndihmat që kanë në dispozicion nuk mjaftojnë për valën e madhe të refugjatëve. Ata apelojnë tek organizata dhe individë, për donacione në veshmbathje dhe ushqim. Ministria e brendshme regjistroi dje mbi 2400 refugjat kryesisht nga Siria, Afganistani dhe Iraku. Por numri i atyre që kalojnë në Maqedoni pa u regjistruar është 3 herë më i lartë nga ai që paraqesin autoritetet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...