Raporte kaotike në policinë maqedonase

Maqedonia

Raporte kaotike në policinë maqedonase

Më: 13 prill 2016 Në ora: 08:13

Kanë kaluar dy ditë nga shmangia që i bënë forcat maqedonase të sigurisë kalimit me dhunë të qindra refugjatëve kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë. Në vendin e vogël Idomeni janë shtuar tensionet mes dy vendeve ballkanike, të cilat prej kohësh janë duke u grindur rreth emrit "Maqedoni". Analistët këto ditë po merren jo vetëm me problemet ekonomike në Greqi, por tani edhe me zhvillimet e brendshme politike në Maqedoni.
Shkupi dhe Athina ndërkohë po e shfrytëzojnë krizën në Ballkan për të larguar vëmendjen nga problemet e tyre të brendshme, pohon Dane Tallevski, bashkëpunëtor i Qendrës së Studimeve për Europën Juglindore në Univerisitetin austriak të Gracit.
"Greqia po përballet me probleme social-ekonomike dhe një pasiguri politike. Ndërsa Maqedonia gjendet në krizën politike dhe institucionale“, thotë Tallevski për Deutsche Welle-n. "Kriza në Ballkan u mundëson tani atyre që të paraqiten si viktimë e përbashkët e refugjatëve“.

Kush e ka "turpëruar" Europën?

Kryeministri grek Aleksi Cipras ka deklaruar këto ditë se Maqedonia e ka "turpëruar" Europën, me sjelljen e saj ndaj refugjatëve, duke përdorur gaz lotsjellës dhe shkopinj gome kundër refugjatëve. Ndërsa autoritetet maqedonase u përgjigjen me akuzat se Greqia ka nxitur refugjatët që të përpiqen të kalojnë kufirin me dhunë.
„Vendosja e rendit juridik dhe ligjit është parakusht për evitimin e incidenteve të ngjashme", kumtoi Ministria e Jashtme maqedonase. Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov ka kërkuar nga Greqia që të mënjanojë kampin në Idomeni. Ndërsa presidenti grek Pavlapulos ka shkuar edhe një hap më larg, me fjalët se "një vend që sillet kështu ndaj refuagjatëve, nuk ka vend në BE dhe në NATO". Greqia është duke bllokuar futjen e Maqedonisë në NATO prej vitit 2008. Ndërsa në vitin 2009 ka vënë veto në fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE.
Таllevski thotë se të dy vendet kanë kapacitete të dobëta që të përballen me problemin e refugjatëve. Por gjendjen edhe më shumë e rëndojnë animozitetet dhe mospajtimet mes tyre.

Kaos në policinë maqedonase

Kriza politike ka shkaktur një kaos edhe në Ministrinë e Brendshme në Maqedoni. Prej vendimit të qeverisë që të anulojë të gjitha vendimet e ministrit teknik të Brendshëm, Oliver Spasovski, analistët thonë se policia po përballet me një gjendje kaotike. MPB po përballet me një dualizëm pushteti në fushat më të rëndësishme.
„Hierarkia në policinë maqedonase është cënuar. Vendimet antikushtetuese të qeverisë hapin mundësi për çoroditjen e sistemit të sigurisë. Kjo do të manifestohet edhe në përpjekjet për evitimin e futjeve ilegale në vend“, mendon ish-ministri i Brendshëm Pavle Trajanov, në një bisedë me DW.

Skenari i horrorit

Tallevski mendon se kaosi dhe tensionet në kufi mund të cënojnë dukshëm edhe përpjekjet e Maqedonisë për afrim me BE-në. „Ky është një skenar horrori, sepse dy vendet më të dobëta në Ballkan tani duhet të luajnë një rol tepër të rëndësishëm në zgjidhjen e problemeve me refugjatët. Kjo është një papërgjegjësi politike“. „Përderisa kufiri mes Maqedonisë dhe Greqisë trajtohet si 'linja e parë e mbrojtjes' për refugjatët, konfliktet do të jenë të përditshme“. Sipas tij, "BE duhet të merret më shumë me zgjidhjen e problemeve social-ekonomike në Greqi dhe me demokratizimin e Maqedonisë, dhe jo me incidentet e fundit në kufi“.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat