Raufi: Të burgosurit e “Kumanovës” edhe sot janë rrahur, kanë dhe plagë!

Maqedonia

Raufi: Të burgosurit e “Kumanovës” edhe sot janë rrahur, kanë dhe plagë!

Më: 18 korrik 2016 Në ora: 17:57
Ilustrim

Andi Krasniqi i njohur si komandant Malisheva dhe Ekrem Arifi, dy të akuzuarit për rastin e Kumanovës janë keqtrajtuar sot gjatë transportit për në gjykatë. Pavarësisht ankesave të palës mbrojtëse, seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarëve të mbrojtur. Avokati Naser Raufi për Alsat-M, shprehet i revoltuar me deklaratat e dy ministrave atij të drejtësisë Xhaferi dhe të policisë Çavkov.

“Sot u ankuan përsëri dy të arrestuarit, janë të keqtrajtuar. Konkretisht për dhunë u ankua Ekrem Arifi nga transporti deri te gjykata dhe Andi Krasniqi që është bërë torturë ndaj tij, është lidhur në mënyrë jo njerëzore dhe është dhunuar me pranga, duart poshtë kokën lartë, njësoj si herëve tjera. Nuk mund ta kuptoj se si Ministri o Drejtësisë dhe të tjerë që kanë kompetenca për këtë dhunë të japin deklaratë se nuk bëhet maltretim kur maltretimi është evident. Të arrestuarit e thonë këtë”, ka deklaruar avokati mbrojtës, Naser Raufi.

Pos keqtrajtimit të pjesëtarëve të grupit të Kumanovës, familjarët e tyre thonë se gjatë vizitave në burgje edhe ata keqtrajtohen nga ana e gardianëve.

“Nuk e di se si ai Ministri i brendshëm maqedonas del dhe i thotë të zezës e bardhë. Disa familjarë na kanë treguar neve por edhe e kanë thënë më herët se në momentin kur kanë hy në burg i kanë zhveshur komplet lakuriq, gjë që është thjeshtë sa për t’i poshtëruar sepse nuk besoj se ekziston në botë një ligj i tillë”, ka deklaruar Dashurie Sefaj, bashkëshorte e Genc Sefajt.

Familjarët e të burgosurve takuan ministrin e Drejtësisë Valdet Xhaferi. Ata thonë se, ministri u ka thënë se çështja e keqtrajtimit jashtë burgut nuk bie në kompetenca të tij, ndërsa është zotuar se mbështetjen e tij do e kenë derisa janë brenda burgut.

“Ai na ka premtuar angazhimin e tij megjithëse është deklaruar se pjesa e transportit është në kompetenca të Ministrisë së brendshme, nuk është pjesë e Ministrisë së Drejtësisë. Ne kemi kërkuar, kërkojmë dhe do të kërkojmë që vetëm të zbatohen ligjet dhe kushtetuta e Maqedonisë rreth trajtimit të tyre, asgjë më tepër. Kompetencat që i ka Ministria e drejtësisë sipas tij janë vetëm nëse kanë ndonjë problem apo maltretim vetëm Brenda burgut”, është shprehur njëri nga familjarët e Andi Krasniqit.

Familjarët e pjesëtarëve të grupit të Kumanovës kishin kërkuar takim edhe me zëvendësministrin e brendshëm Agim Nuhiu por i njëjti nuk u ka mundësuar një gjë të tillë, me arsyetimin se ka pasur agjendën e ngjeshur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat