Mërgimtarët, të acaruar me trajtimin nga shteti

Maqedonia

Mërgimtarët, të acaruar me trajtimin nga shteti

Më: 6 gusht 2016 Në ora: 16:13
Ilustrim

Ekonomistët në Maqedoni nuk pajtohet me trajtimin që ju bën vendi mërgimtarëve, sidomos me aktin e fundit, etiketimin e tyre si qytetarë të cilëve ju rrezikohet e drejta e tyre e votës.

Ekonomisti Arben Halili, vlerëson se vendi duhet të krijojë strategji për të ofruar sa më shumë diasporën, investimet dhe kapitalin e tyre intelektual dhe jo t’ju mohojë të drejtën për të qenë pjesë e vendit ku kanë lindur.

“Tashmë gjenerata e dytë e diasporës ose edhe e treta e cila është prezent në vende të ndryshme të Evropës, sikur ka humbur atë lidhjen e drejtpërdrejtë ose atë aspektin emocional për tu kthyer në vendlindje. Ajo që mund të bëhet në të ardhmen është që të tentohet që kjo gjeneratë e shkolluar tashmë e diasporës në vendet perëndimore që ka krijuar edhe bizneset e veta, të mund të tërhiqet në formën e biznes-bërjes këtu dhe jo vetëm për të sjellë mjetë të lira financiare. Askush askujt nuk guxon t’i mohojë të drejtën e përkatësisë ose vendit ku ka lindur”, deklaroi ekonomisti Arben Halili.

Mërgimtarë thonë se në Maqedoni shpenzojnë çdo para të kursyer, por janë tejet të indinjuar nga trajtimi që ju bën shteti, nga investimet e pakta në vendbanimet shqiptare dhe nga tendenca që një pjesë e tyre të fshihen nga lista e zgjedhësve.

“Është e vërtetë se ne vijmë këtu në pushime dhe një shumë të madhe të parave i bëjmë gati për pushim dhe i sjellim këtu respektivisht në familjet tona, farefisin dhe vendlindjen aty ku kemi lindur. Atë që dëgjova edhe unë se duan të  largojnë nga lista zgjedhore ne si banorë të këtij vendi, me pasaportë dhe letërnjoftim, me shtëpitë prej baballarëve dhe stërgjyshërve dhe nuk mundet natyrisht të na nxjerrë askush, me na largu prej listës zgjedhore nuk është fer aspak dhe nuk e shohim të arsyeshme”.

“Vijmë në vendlindje por disa punë janë diskriminuese. Numrin e shqiptarëve duan me qëllim ta pakësojnë që të jetë më i vogël që në votime të dalë numri më i vogël dhe të humbin deputet.”

“Është politikë e korruptuar, është shtet që ku janë shqiptarët nuk ka asnjëfarë infrastrukture dhe është pikërisht ajo që shqiptarët duan dhe kanë luftuar për të bë investime, për ta ngrit këtë popull, për ta ngrit nivelin e standardit jetësor këtu në Maqedoni, me e barazuar, me vendos njëfarë ekuilibri. Të hollat tona merren prej nesh dhe keqpërdoren për të na shtyp dhe për të na fut edhe në kanale më të vështira për të jetuar”.

Rreth 39 mijë qytetarë, pjesa më e madhe e të cilave janë me punë ose qëndrim të përkohshëm jashtë shtetit rrezikojnë të humbin të drejtën e votës në rast të mosparaqitjes në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve. Kështu u dakorduan së fundmi katër partitë politike, nënshkruese të marrëveshjes së Përzhinës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat