Albanologët: Gjuha shqipe në institucione, jo në nivel dhe me shumë gabime

Maqedonia

Albanologët: Gjuha shqipe në institucione, jo në nivel dhe me shumë gabime

Më: 2 tetor 2016 Në ora: 15:31
Ilustrim

Albanologët konsiderojnë se përdorimi i gjuhës shqipe nëpër institucionet e vendit, jo që nuk është në nivelin e duhur por edhe atëherë kur përdoret është me shumë gabime. Sipas profesoreshës së letërsisë shqipe Vjollca Berisha , politika nuk po kujdeset aspak për mbrojtjen e shqipes gjatë përdorimit të saj.

“Si gjuhëtare, si profesoreshë e letërsisë, do të doja të praktikohej drejtë shqipja standarde por meqë nuk është e mbrojtur me ligj natyrisht që çalon shumë. Nivelin i përdorimit të shqipes standard, fatkeqësisht lë shumë për të dëshiruar. Fatkeqësisht ata ( politikanët) nuk kujdesen mund të them se ata lënë shumë për të dëshiruar edhe në mbrojtjen në përgjithësi të kulturës sonë kombëtare , por sidomos për gjuhën nuk bëhet asgjë. Duhet të bëhen përpjekjet e para që të paktën në institucionet, në shkresat zyrtare jo vetëm të përdoret gjuha shqipe , natyrisht ajo duhet të jetë diçka e kaluar por edhe të bëhet kujdes se si po përdoret ajo”, u shpreh profesoresha universitare Vjollca Berisha.

Profesori Universitar Arlind Farizi nga ana tjetër thotë se vetëm një analizë e ueb faqeve të Ministrive pasqyron atë se sa pushteti kujdeset për mbrojtjen e saj. Sipas tij autoriteteve të vendit duhet të konsultohen me gjuhëtarë për çështjen e përdorimit të saj.

“Realisht ka një mangësi në aspektin e përdorimit të standardit të shqipes në media, në institucionet arsimore , institucionet arsimore, sepse është e qartë të bëhet vetëm një analizë e ueb faqeve të Ministrive të vendit ku nuk kemi të njejtat të përkthyera në shqip edhe atë të përkthyera mirë. Nëse e njëjta nuk respektohet si duhet atëherë ne heqim prej vetvetes mozaikun më identifikues të kombit tonë si është gjuha, dhe lëmë anash krejt përpjekjet e rilindjes kombëtare. Realisht ata( politikanët) kanë një nevojë urgjente të konsultohen me gjuhëtarë dhe njohës të mirëfilltë e kësaj lëmie , sepse mungon komunikimi me to”, tha profesori universitar Arlind Farizi.

Shefi i katedrës së Albanologjisë pranë UT-së Berton Sulejmani thotë se mbrojtja e gjuhës shqipe nuk është vetëm detyrë e ekspertëve të kësaj fushe por një obligim i çdo personi që i përket nje kombi të caktuar.

“Gjuha shqipe apo shqipja standarde, nuk është pronë vetëm e gjuhëtarëve por është pronë e të gjithë kombit, dhe kujdesi dhe përpjekjet për ta ruajtur gjuhën shqipe janë njëkohësisht edhe një kontribut kombëtarë që mund të ja bëjmë shqipes dhe shqiptarëve në përgjithësi”, tha profesori universitar Berton Sulejmani.

Çështja e përdorimit të gjuhës shqipe ishte temë diskutimi edhe më të nisur viti i ri shkollor, ku edhe në botimet e reja të teksteve shkollore u vërejtën gabime të shumta si ortografike ashtu edhe përmbajtjesore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat