Ivanov uron për Ditën e kryengritjes popullore

Maqedonia

Ivanov uron për Ditën e kryengritjes popullore

Më: 11 tetor 2016 Në ora: 13:26
Gjorge Ivanov

Me rastin e 11 Tetorit, Ditës së kryengritjes popullore, presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov dërgoi një letër urimi për qytetarët e vendit.

“Nëse ekziston një ide që si pishtar na ka udhëhequr nëpër stuhitë e historisë, ajo është ideja për liri të Maqedonisë. Falë asaj ideje ne kemi gjetur forca të pajtohemi dhe t’i tejkalojmë ndarjet”, thotë Ivanov në urimin e tij.

Presidenti Ivanov thotë më tej se 11 Tetori u mundësua për shkak të kujtimeve të freskëta për epopenë e Ilindenit.

“Por, pa 11 Tetorin e vitit 1941 ne nuk do ta kishim as Ilindenin e dytë as të tretin. Falë 11 Tetorit, luftuam për liri, shtetësi dhe pavarësi”, thotë ai për të shtuar se jubiileu i sivjemë e ka gjetur Maqedoninë të ndarë thellë me një krizë politike e cila shpenzon energjinë e shoqërisë dhe ekonomisë ndërsa të rinjve ua merr perspektivën.

“Patjetër duhet zgjidhur dhe kapërcyer krizën. 11 Tetori dhe 8 Shtator duhet të jenë një kujtesë se vetëm të pajtuar dhe të bashkuar, dhe duke falur të tjerët ne do të mund të ruajmë lirinë tonë, sovranitetin dhe pavarësinë e atdheut tonë të përbashkët, Republikën e Maqedonisë”, thuhet në urimin e presidentit Ivanov.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat