Identifikohen 70 ankesa për shkeljen e Ligjit për zgjedhje

Maqedonia

Identifikohen 70 ankesa për shkeljen e Ligjit për zgjedhje

Më: 28 nëntor 2016 Në ora: 19:46
Ilustrim

Mbi 100 paraqitje për parregullësi i kanë drejtuar qytetarët tek Qendra për liri “Civil”. Kjo qendër në periudhën prej fillimit të fushatës parazgjedhore, ka vërejtur mbi 70 raste të parregullsive të cilat janë të dokumetuara dhe të përpunuara.

Bëhet fjalë për 3 raste për fillim të parakohshëm të fushatës parazgjedhore, 14 raste për keqpërdorim të resurseve publike, punë jotransparente financiare të institucioneve dhe partive politike, 23 raste të keqpërdorimit të administratës publike, dy paraqitje për korrupsion zgjedhor, raste të shumta të gjuhës së urrejtjes, kërcënime, shantazhe , në të cilat prijnë partitë politike në pushtet. Parregullësitë tjera të cilat i ka shënuar kjo qendër, sipas kryetarit të saj, Xhabir Deralla, janë edhe pengesa e realizimit të së drejtës së votimit në ndërmarrje publike dhe private në të cilën janë hasur dy raste, 6 raste të dokumentuara të dhunës, dhunës fizike dhe të demolimit të shtabeve, si dhe votuesit fantom të cilët sipas kësaj qendre akoma ngelen prezent në listën e votuesve. “Ajo që është shumë alarmante, atë e kam thënë edhe në ditët e kaluara. Kemi17 raste të keqpërdorimit të personave të mitur në shkollat e mesme dhe shkollat fillore, si dhe në një rast edhe çerdhe, bëhet fjalë për raste nga më të ndryshmet të keqpërdorimit nga të gjitha pjesët e shtetit. Tekstualisht, çdo shkollë është shndërruar në shtab partiak, ku kuadri arsimor bashkë me këshillet e prindërve kryejnë presion mbi prindërit e nxënësve, duke i shfrytëzuar edhe nxënësit si mjet që t’i detyrojnë qytetarët në bashkëpunim me partitë në pushtet”, ka deklaruar Xhabir Deralla, Qendra për liri ”CIVIL”.

Problem tjetër që është shumë i dukshëm sipas kësaj qendre, janë edhe problemet me qasjen në burimet e informacionit, ku sipas Petrit Saraçinit, mediat që kritikojnë pushtetin kanë pothuajse të pamundur që të arrijnë tek deklaratat apo burimet e partive në pushtet. Ai më tej nënvizoi edhe mungesën e debatit nëpër media, ku sipas tij, kjo bëhet kryesisht për shkak të asaj që OBRM-PDUKM qeveritare, refuzon të dalë në debat me kundërshtarin e tij politik. Ndërkaq, theksoi rastin me Televizionin Shenja, ku partia në pushtet BDI, refuzon që të marrë pjesë në këtë televizion.

“Tek mediat në gjuhën shqipe gjendja është pak më e mirë, partitë politike të pushtetit dhe opozitës dalin në debat, mirëpo jo te të gjitha mediat. Për shembull tek Televizioni Shenja, është e vërejtshme mungesa e partisë në pushtet BDI, ndërsa redaksia e këtij televizioni ankohet në një qasje shumë jokorrekte nga kjo parti, dhe në presione nga partia në pushtet”, tha Petrit Saraçini, aktivist.

Nga kjo qendër, gjithashtu njoftojnë për një fushëbetejë dominante të propagandës, gazetari të njëanshme, si dhe format e ndryshme të thyerjeve në mediat online, sipas të cilëve janë pothuajse të përditshme, gjë që vërehet te pjesa e mediave të afërta me pushtetin. U theksua edhe reklamimi i paguar politik, që sipas kësaj qendre nuk është e drejtë pasi, më së shumti vërehen reklamat e partive në pushtet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat