Rezultati zgjedhor në duart e 700 votuesve në Tearcë të Tetovës

Maqedonia

Rezultati zgjedhor në duart e 700 votuesve në Tearcë të Tetovës

Më: 21 dhjetor 2016 Në ora: 16:58
Dy qytetarë duke votuar në zgjedhjet parlamentare, më 11 dhjetor 2016

Pas vendimit të Gjykatës Administrative për të pranuar një ankesë të Lidhjes Social-demokrate, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka shpallur rivotimin në një vendvotim në komunën e Tearcës, në rajonin e Tetovës.

Në fakt, KSHZ-ja kishte refuzuar ankesën e opozitës, por ishte Gjykata Administrative që anuloi vendimin e KSHZ-së dhe pranoi ankesën e LSDM-së për rivotim në këtë vendvotim, që mund të ndikojë në rezultatin zgjedhor, përkatësisht në mandate, që aktualisht janë 51 me 49 në favor të VMRO-DPMNE-së.

E pakënaqur me vendimin e Gjykatës, VMRO-ja, që drejtohet nga ish kryeministri, Nikolla Gruevski, ka bërë të ditur se nuk do të merr pjesë në rivotim, për shkak të, siç u shpreh, tendencës për vjedhjen e fitores së saj në zgjedhjet e 11 dhjetorit.

“LSDM-ja dhe urdhër dhënësit e tyre, në mënyrë të turpshme, po tentojnë që t’i vjedhin VMRO-së fitoren e pastër. Vendimi i gjykatës është antiligjor dhe i udhëhequr nga motive politike, pasi nuk ka asnjë bazë ligjore për rivotim. Në këtë rast , kemi të bëjmë me një skenar të qartë për vjedhjen e fitores tonë në zgjedhje”, ka deklaruar nënkryetari i VMRO-së, Nikolla Todorov, duke përsëritur qëndrimin partiak për mosmarrjen pjesë në rivotim dhe mosnjohjen e rezultatit zgjedhor.

Në vendvotimin në Tearcë ka rreth 700 votues dhe në rast të fitore së LSDM-së, me një dallim prej të paktën 300 vota, atëherë kjo parti do të këtë një deputet më shumë dhe numri i përgjithshëm i mandateve mes saj dhe VMRO-së do të jetë i barabartë, apo çdonjëra nga 50 deputetë.

VMRO-ja, nga ana tjetër, nuk ka sqaruar se kush po tenton t'i vjedhë asaj fitoren dhe kush janë urdhër dhënësit e LSDM-së, siç ka deklaruar Todorov, në paraqitjen para mediave lidhur me vendimin e Gjykatës Administrative.

Nga kjo parti, që nga mbajtja e zgjedhjeve më 11 dhjetor dhe shqyrtimi i ankesave nga ana e KSHZ-së, kanë dalë me akuza të shumta në adresë të diplomatëve perëndimorë, duke i akuzuar për përpjekje për t’i mohuar fitoren, ndërsa zyrtarët e saj kanë përdorur edhe një retorikë të ashpër nacionaliste në adresë të shqiptarëve. Disa nga protestuesit, zyrtarë të lartë të VMRO-DPMNE-së, i janë bashkangjitur turmës që brohoriste “Shqiptarët e mallkuar” dhe “Bejlli, larg duart nga Maqedonia”.

“Nuk është e lehtë t’i thuash ambasadorëve rrini anash dhe kjo të jetë e realizueshme. Edhe vet Gruevski është i vetëdijshëm për këtë, kur dihet fakti se pikërisht këta diplomatë këto dy vitet e fundit ishin të përfshirë aktivisht në rrjedhat politike në vend, për të ndihmuar nxjerrjen e Maqedonisë nga kriza e thellë politike. Politika e Gruevskit është mposhtu më, qoftë me 51 deputetë - nëse do të mbetet - apo edhe me 50. Ai më nuk e ka situatën nën kontroll”, thotë Nikolla Dujoski, njohës i çështjeve politike dhe profesor në Universitetin e Shkupit.

Retorika e tillë e zyrtarëve të VMRO-së, sipas ekspertëve, ka larguar si asnjëherë më parë kët parti nga shqiptarët, duke nxitur tensione të reja.

“Definitivisht duhet të qartësohet se në asnjë mënyrë, edhe sikur pas rezultateve përfundimtare parti fituese është VMRO-DPME-ja, partitë shqiptare nuk duhet t’i mundësojnë atij formimin e qeverisë, sepse në një situatë të tillë do të vazhdonte kriza politike, e cila mund të thellohet edhe më shumë”, thotë Ismet Ramadani, analist dhe drejtues i Këshillit Euroatlantik të Maqedonisë.

Pas rivotimit të së dielës në Tearcë, KSHZ-ja pritet të certifikojë rezultatin zgjedhor. Pastaj pritet konstituimi i përbërjes së re parlamentare dhe nisja e afateve për formimin e qeverisë së re. Në bazë të Kushtetutës, mandati do t’i jepet partisë më të madhe fituese, por në rast se rezultati del i barabartë, atëherë vendi do të përfshihet në paqartësi të reja politike, pa përjashtuar mundësinë edhe të zgjedhjeve të reja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat