Analistët e shohin takimin e liderëve shqiptarë si tentativë e BDI-së për të rifituar legjitimitetin e humbur

Maqedonia

Analistët e shohin takimin e liderëve shqiptarë si tentativë e BDI-së për të rifituar legjitimitetin e humbur

Më: 25 dhjetor 2016 Në ora: 20:49
Pamje nga takimi

Takimi i liderëve shqiptarë është tentimi i BDI-së për të rifituar legjitimitetin që e humbi në zgjedhje, vlerëson analisti Xhelal Neziri. Sipas tij, shqiptarët votuan për ndryshime në skenën politike dhe çdo bashkim jashtë atij vullneti nuk është i arsyeshëm.

“Mendoj se nëse hiqet folklori i këtij takimi dhe takimeve që do të vijnë, mbetet një tentim i kreut të BDI-së Ali Ahmeti për të rifituar legjitimitetin që e humbi në zgjedhje.    

Tani në Aleancën për shqiptarët ai ka shumicën e votave dhe legjitimitetin që të përfaqësojë shqiptarët në Qeveri. Nuk mendoj se ky koalicion do të ketë forcë që të imponojë të gjithë ato premtime parazgjedhore”, tha Neziri.

Ai e quan hap të gabuar pjesëmarrjen e Aleancës për Shqiptarët, kurse bojkotin e BESËS si të arsyeshëm meqë kjo parti dëshiron të profilizohet si opozitë.

Ahmeti, Sela, Mehmeti dhe Ostreni, pas takimit të djeshëm nuk kanë dhënë detaje mbi agjendën e diskutimeve por premtuan se takimet do të vazhdojnë deri në formimin e një platforme të përbashkët, kurse ftesa për partitë e tjera mbetet e hapur.

“Dallimet janë shumë më të vogla se shumë nga çështjet e mëdha që na bashkojnë që ne si shqiptarë të dalim me një zë për çështje që kanë të bëjnë me të gjithë shqiptarët në Republikën e Maqedonisë pa dallim së cilës partie i takojnë apo elektorati”, tha Ali Ahmeti kryetar i BDI-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat