“Regjistrimi i popullsisë në Maqedoni, ilaç për shumë plagë të hapura”

Maqedonia

“Regjistrimi i popullsisë në Maqedoni, ilaç për shumë plagë të hapura”

Më: 14 janar 2017 Në ora: 13:47
Ilustrim

Pavarësisht se regjistrimi u “zhduk” nga Platforma e përbashkët e partive shqiptare, ekspertët vlerësojnë se shumë pika të platformës, si: zyrtarizmi i plotë i shqipes, rishikimi i simboleve shtetërore dhe barazia ekonomike do të zgjidheshin më lehtë nëse fillimisht do të bëhej regjistrimi i popullsisë. Ish-sekretari i Entit Shtetëror për Statistika, Fati Iseni vlerëson se regjistrimi nuk është bërë që nga viti 2002, sepse ka munguar vullneti te faktori politik maqedonas. Sipas tij, regjistrimi do të ishte në favor të shqiptarëve.

“Ka frikë dikush nga regjistrimi. Unë konsideroj se në shqiptarët nuk duhet të kemi frikë. Kam përcjellë vitet e kaluara gjithë procesin e natalitetit, mortalitetit, shtimit natyror dhe në bazë të të dhënave që unë disponoj shifrat janë favorizuese për shqiptarët dhe janë dekurajuese për popullatën maqedonase”, deklaroi Fati Iseni, ish sekretar i Entit Shtetëror për Statistika.

Për ish-drejtorin e Entit Shtetëror të Statistikave Donço Gerasimoski regjistrimi duhet të jetë një nga prioritetet kryesore të qeverisë së ardhshme, për shkak se Maqedonia është shteti i vetëm anëtar i OKB-së që nuk e ka respektuar rezolutën e Këshillit Ekonomik dhe Social, e obligon të gjitha shtetet-anëtare të bëjnë regjistrimin e popullsisë deri në vitin 2020.

Regjistrimi i popullsisë ishte ndër pikat e platformës së përbashkët shqiptare në njërën nga draft versionet e saj, por nuk figuron në versionin përfundimtar. Ditë më parë partitë politike deklaruan se nuk është parë e arsyeshme që regjistrimi të përfshihet në platformë, pasi është obligim i shtetit që duhet patjetër të kryhet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat