Shqiptarit nga Shkupi i hiqet ndihma sociale, arsyeja do t'ju lë pa mend

Maqedonia

Shqiptarit nga Shkupi i hiqet ndihma sociale, arsyeja do t'ju lë pa mend

Më: 17 janar 2017 Në ora: 13:11
Fariz Ismaili

Këmbëzbathur, të uritur dhe të lodhur nga varfëria. Në këtë mjerim rriten tre fëmijët e familjes Ismaili nga Teneqe Mëhalla të lagjes së Fushë Tophanës. Së bashku me babanë e tyre Fariz Ismaili, ata bëjnë gjumin në një dhomë të akullt, të ftohtë, ku tani në këtë kohë dimri bora dhe ngrica depërtojnë në çdo qosh të shtëpisë. E që të jetë fatkeqësia edhe më e madhe, kësaj familjeje shteti maqedonas ia ka hequr ndihmat sociale. Arsyeja, Farizi në një kuiz kishte fituar 200 euro, shkruan gazeta e Shkupit "Koha".

Shtëpia pothuajse është para rrënimit, ndërsa çdo orendi brenda saj është e kalbur dhe e mykur. Sikur nuk mjafton me kaq, kjo familje vuan edhe për të ngrënë, sepse atyre nuk ju mjafton ushqimi.

“Jetoj me tre fëmijët këtu, vajza e madhe është 14 vjeç mirëpo nuk është e zhvilluar sa duhet, pasi që kur ka qenë 7 muajsh ajo ka qëndruar në spital për gati 4 vjet, frikohet shumë, nuk mund të dalë askund. Unë as me punu nuk po mundem, sepse nuk po kam kujt t’ia lë fëmijët. 

Momentalisht jetoj vetëm me fëmijët këtu, sepse bashkëshortja ka një vit që më ka vdekur, ndërsa vajza më është keqësuar më shumë që nga vdekja e nënës së saj”, shprehet i pikëlluar Fariz Ismaili. Ai shprehet se është i gatshëm për të punuar, por nga pamundësia që dikush të kujdeset për fëmijët, nuk mund të bëjë asnjë hap nga shtëpia. “Nëse më kishte thirr ndokush të punoj kisha shkuar 2 apo 3 orë të punoj, mirëpo nuk po mundem t’i lë fëmijët vetëm, sepse nuk janë edhe të mëdhenj, vajza e madhe është 14 vjeç, pastaj vjen djali 13 vjeç dhe djali më i vogël është 10 vjeç. Nuk kam mundësi t’i lë vetëm aspak, sepse edhe në shkollë janë me ndërrime”, thotë Ismaili.

I ftohti që ka kapluar vendin duket i pamëshirshëm për familjen Ismaili, sepse ata nuk kanë as me çka të ngrohen, shporetin që e kanë, tani më një kohë është vjetruar dhe nuk kryen punë për asgjë. Por edhe sikur të kishin një shporet, ata nuk kanë as drunj për tu ngrohur. 

“I ftohti na mbyti, nuk kemi me çka të ngrohemi, shporeti na u ka prishur aq sa nuk mundë ta ndezim, nuk vlen për asgjë. As drunj nuk kemi, por edhe sikur të kishim, nuk do të na kryenin punë asgjë. Një miku imi më dha këtë bombolën e gazit sa për t’u ngrohur, ta kalojmë edhe këtë dimër. Shtëpia është katastrofale, e gjitha në beton, nuk është e izoluar. I ftohti hynë në gjitha anët e shtëpisë, edhe dritaret i kam të thyera, dyert nuk mbyllen aq mirë”, rrëfen Ismaili.

Ai thotë se deri më tani ndihmë nuk ka marrë nga askush, përveç se miqtë ndonjëherë i dërgojnë për të ngrënë ndonjë gjë. Ndihmën sociale ia kanë ndërprerë.

“Ndonjëherë miqtë çka më ndihmojnë për ushqim, faleminderit prej tyre, kanë dalë na kanë vizituar. Para prej askund nuk më vijnë, ndihmën sociale ma kanë ndërpre shkaku që njëherë isha në një kuiz e atje i mora 200 euro. Por çfarë janë 200 euro për mua, të gjitha për vajzën i dhashë nëpër spitale. Me ngrënë nuk po kemi, s’kam ku marr, nëse e shes ndonjë shishe plastike i marr 100 apo 200 denarë”, thotë ai.

Me lot në sy Farizi tregon se si i ka vdekur bashkëshortja dhe e la vetëm me fëmijët, ndërsa thotë se më së shumti i dhimbset vajza e cila është e traumatizuar dhe plotë frikë që nga vdekja e nënës së saj.

“Më vështir po e kalojmë natën kur po shtrihemi për të fjetur, sepse këtu i kemi vetëm tre krevate, dhe fëmijët flenë aty, unë flejë në tokë afër vajzës, sepse ajo zgjohet natën e frikësuar. Ftohtë bëhet shumë natën dhe nuk kemi mbuloja të mjaftueshme”, tregon Ismaili. Ai bën apel deri tek të gjithë ata që kanë mundësi t’i ndihmojnë me gjëra për të cilat më së shumti ka nevojë. “Kush ka mundësi le të më ndihmojë, këto krevate i kemi të prishura, por po duhet t’i mbajmë. Shkurt të them unë më së pari kam nevojë për shtëpi, ngrënie dhe për veshmbathje. Është ftohtë i madh dhe nuk kemi me çka të ngrohemi. I lus të gjithë ata që kanë mundësi të më ndihmojnë”, shprehet me plot dhimbje Fariz Ismaili.

Ai së bashku me fëmijët shpreson që një ditë do të kenë një shtëpi të ngrohtë, ushqim dhe veshmbathje.

Për të gjithë ata që dëshirojnë të ndihmojnë këtë familje mund të kontaktojnë në numrin e telefonit: +389 70 640 502, kurse familja e Fariz Ismailit banon në Teneqe Mëhallë të Fushë Tophanës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat