Shkollat shqiptare assesi t’i zgjidhin problemet

Maqedonia

Shkollat shqiptare assesi t’i zgjidhin problemet

Më: 24 janar 2017 Në ora: 14:26
Ilustrim

Shkollat në ditën e parë të mësimit në gjysëmvjetorin e dytë u ballafaquan me probleme të shumta, ndaj edhe reagimet nuk ishin të pakta. Probleme kishte në Tetovë ku në shkollën fillore “Liria”, mësimi filloi të zhvillohet në tre ndrime , për shkak të pamundësisë për të shfrytëzuar katin e dytë të objektit shkollor.

“Tani ora e mësimit do të zgjasë gjysëm ore. Kështu është me rregullore, në kushte të jashtëzakonshme mund të mbajmë mësim me orë të shkurtuara dhe të njëjtat të zhvillohen në katin përdhese dhe në podrum. Shpresojmë që në pranverë do të fillojë rikonstruimi i çatisë dhe gjendja të stabilizohet”, tha Shpresa Iseni, drejtoreshë e shkollës fillore “Liria”. Kurse nga komuna premtojnë që së shpejti do të fillojnë punimet pasi që për këtë edhe janë ndarë mjete financiare prej 25 milion denarëve.

Po ashtu në Kumanovë disa shkolla kishin probleme me ngrohjen, pasi nga temperaturat e ulëta u dëmtuan pajisjet e ngrohjeve.

Në Shkup mësimi u ndërpre në shkollën fillore Petar Zdravkovski – Penko, në Veri të Shkupit, për shkak të mungesës së ngrohjes. Disa mësimdhënës mohuan këtë informacion, por prindërit konfirmuan se fëmijët e tyre janë lëshuar nga mësimi për shkak të mungesës së ngrohjes.

“Në mëngjes nuk kishte ngrohje na thanë që pasdite do të rregullohet problemi, pasi thanë që ekziston një i tillë, por nuk e dimë ta shohim sot”, thonë prindërit. Portalb gjithashtu mëson se probleme kishte edhe në disa të komunës së Çairit, mirëpo drejtorët dhe mësimdhënësit e mohojnë këtë gjë.

Kurse nxënësit e Vibegut edhe këtë gjysëmvjetor do të kenë problem transportin për në shkollë pasi që shkolla e premtuar tani më disa vite nuk është ende askund.

Udhëheqësi i sektorit për Arsim në Komunën e Çairit tha se nga kjo komunë nuk ka pasur ankesa sa i përket mbarëvajtjes së mësimit.

“Ndoshta probleme të vogla ka pasur, por te unë nuk është ankuar askush. Probleme të mëdha nuk ka pasur dhe mësimi ka filluar në të gjitha shkollat e kësaj komune”, tha Dardhishta.

Sa i përket kësaj gjendje në arsimin, e sidomos atë shqiptarë, ish ministri i arsimit, Sulejman Rushit komenton se kushtet në shkolla janë mesjetare.

“Asnjë institucion nuk funksionon në shtet, jo vetëm te shkollat por edhe deri te shkollat kushtet janë mesjetare! Nuk di ç’të them duhet të ndryshohet shumëçka për të vendosur normalitet dhe kjo duhet bërë urgjentisht!”, tha Rushiti.

Po ashtu për këtë çështje kanë reaguar nga Lëvizja Besa duke njoftuar se në shkollën e fshatit Siniçan në komunën e Bogovinës e gjënë pa kushte elementare për vijimin e mësimeve, siç është mungesa e rrymës elektrike.

“Gjysmë vjetori i dytë i procesit mësimorë fillon sot, por shkollën e fshatit Siniçan në komunën e Bogovinës e gjënë pa kushte elementare për vijimin e mësimeve, siç është mungesa e rrymës elektrike. Ndërsa, e gjithë kjo ndodh si rezultat i pa përgjegjshmërisë së skajshme të Komunës së Bogovinës, që mesa duket ende gjendet në gjumë të thellë dimërorë”, reagojnë kështu nga Lëvizja Besa.

Të cilët po ashtu thanë se nëse nuk rregullohen këto çështje do të ketë protesta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat