Nikola Gruevskit i dështon formimi i qeverisë

Maqedonia

Nikola Gruevskit i dështon formimi i qeverisë

Më: 29 janar 2017 Në ora: 16:24

(E plotësuar) -  Edhe pse VMRO-DMPNE kishte pranuar platformën shqiptare të vendosur në tryezën e bisedimeve nga BDI, duke i ofruar edhe 8 ministri si dhe kreun e Kuvendit, kjo e fundit nuk i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Gruevskit.

Vendimi i partisë së Ali Ahmetit, ka ardhur pas disa orë debatesh,në një mbledhje të mbushur me argumente e kundërargumente, për të vendosur nëse qeveria e re do të krijohej me VMRO-DMPNE, apo LSDM.

Ndërsa ka kaluar mesnata, afati i fundit për Nikola Gruevskin për të bindur BDI-në për të formuar qeverinë, BDI ka dalë me konkluzionin se debati  brenda partisë do të vijojë në ditët në vazhdim.

”Ne kemi pasur pesë opsione. Ne kemi diskutuar edhe me miqtë tanë ndërkombëtarë. Në mënyrë unanime kemi vendosur që të vazhdojmë debatet e brendshme në BDI edhe në ditët në vazhdim pasi debati nuk mund të kryhet sonte. Nuk kemi argumente për të sjellë vendim.” Mësohet te ketë thënë Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Duke  lënë të kuptohet se BDI nuk e ndihmon Gruevskin që të bëjë qeveri. ”E lë që ju të bëni interpretime bashkë me qytetarët.” ka deklaruar ai.

Gjuha shqipe bëhet zyrtare; Dorëzohet Gruevski, pranon platformën e shqiptarëve

Pak orë nga skadimi i afatit përfundimtar të mandatit për të formuar qeverinë e re, kreu i VMRO-DPMNE, Nikola Gruevski është dorëzuar duke pranuar platformën shqiptare, ku ndër to përfshihet gjuha shqipe, si gjuhë zyrtare në Maqedoni dhe përdorimi i saj në çdo nivel të administratës. Por në Tetovë ende nuk ka një qëndrim zyrtar nga BDI, e cila vijon mbledhjen për të vendosur nëse do të formojë qeverinë me VMRO-DPMNE e Gruevskit, apo LSDM-në e Zoran Zaev.

Që prej Marrëveshjes së Ohrit, pranimi i Gjuhës Shqipe, si gjuhë zyrtare në Maqedoni, është arritja më e madhe për shqiptarët që jetojnë në shtetin fqinj.

Burime për Top Channel bëjnë me dije se 8 ministri, një prej të cilave Ministria e Brendshme, do t’i shkojnë BDI-së, e cila do të marrë gjithashtu për herë të parë edhe postin e kreut të Kuvendit, një nga tre postet më të rëndësishme të Shtetit.

Drejtuesit e BDI-së vijojnë diskutimin për të tretën ditë rresht në selinë e partisë në Tetovë, për të vendosur se cili do të jetë hapi i ardhshëm që do të ndërmarrin.

Platforma e partive shqiptare kishte këto parime dhe objektiva:

- Barazi etnike: Mbështetje të iniciativave ligjore dhe kushtetuese për të perforcuar barazinë etnike (në emërimet në polici, gjyqësor, ushtri dhe shërbime sekrete, si dhe në vendimarrje dhe në shperndarjen e buxheteve dhe investimeve).

- Barazi gjuhësore: Ligj të posaçëm për përdorim të zgjeruar të Gjuhës Shqipe në çdo nivel të administratës.

- Përfshirjen e shqiptarëve në bisedimet me Greqinë për çështjen e emrit.

- Mbështetje e punës dhe mandatit të Prokurorisë speciale;Kërkesë kyçe e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

- Reforma në Arsim: Më shumë shkolla shqipe, dhe financime për Kulturën dhe memorjen historike të shqiptarëve.

- Reforma në menaxhimin e buxheteve për komunat, ku kërkohet më shumë financime për komunat shqiptare.

‎Platforma e përbashket e iniciuar nga Tirana zyrtare arriti që të pranohet nga VMRO-DPMNE, e cila nuk kishte alternative tjetër veçse të dorezohej para shqiptareve dhe të pranonte kërkesat e tyre.

Mesnata e kësaj të diele është edhe afati i fundit kushtetues për Nikola Gruevskin që të bindtë BDI-në për të formuar qeverinë e re, pa të cilën është matematikisht e pamundur për këdo parti që të formojë qeverinë e re.

E nëse marrëveshja BDI - VMRO DPMNE do të dështonte, atëherë do t'i takonte LSDM-së, të drejtuar nga Zoran Zaev, që të fillojë bisedimet me partinë e Ali Ahmetit dhe partive të tjera shqiptare për të krijuar qeverinë e re.

Nis mbledhja e koalicionit VMRO-DPMNE

Në selinë e VMRO-DPMNE ka filluar mbledhja e kryesisë së partisë me partnerët e koalicionit.

Në këtë mbledhje pritet të konfirmohet ndonjë vendim në lidhje me negociatat me BDI-në.

Para takimit të gjithë thanë se janë optimist që sonte do të arrihet marrëveshje, dhe se do të respektohen afatet kushtetuese për formimin e shumicës në parlament.

BDI: Ende nuk është arritur marrëveshja

BDI demanton informacionet se është arritur marrëveshje për koalicion me VMRO DPMNE-në. Gazetarët para pak minutash kishin mundësi të kapnin momente nga takimi i kryesisë qendrore të BDI në Reçicë ku kreu i BDI-së Ali Ahmeti hodhi poshtë pretendimet se është arritur marrëveshje.

“Jemi ende duke i analizuar pikat për të cilat debatojmë që dje. Do t’i analizojmë të gjitha me qëllim që të sjellim një vendim konstruktiv”, theksoi kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.

Ndërkohë mandatari Nikolla Gruevski ka afat deri në orën 24 që Presidentit të shtetit t’i prezantojë përbërjen dhe programin e Qeverisë së re.

Qeveria Gruevski: BDI-ja merr Ministrinë e Brendshme dhe Kryetarin e Kuvendit

Bashkimi Demokratik për Integrim edhe zyrtarisht ka arritur marrëveshje me VMRO-DPMNE.

Arritja e kësaj marrëveshje do të shënohet në histori të Maqedonisë, pasi për herë të parë shqiptarët marrin Ministrinë e Brendshme dhe Kryetarin e Kuvendit.

Janë publikuar pamje nga mbledhja e BDI-së e cila po zhvillohet në Tetovë.

Në këto xhirime shihet një fjalim i kryetarit, Ali Ahmeti para anëtarëve tjerë të partisë.

“Përpjekjet maksimale bëhen, në radhë të parë, për sigurinë në vend. BDI me kujdes përcjell zhvillimet politike, brenda dhe jashtë vendit. Ne do të vazhdojmë të analizojmë, t’i përpunojmë të gjitha ato çështje për të cilat dje kemi debatuar dhe sot në imtësi të nxjerrim edhe konkluzione”, tha Ahmeti.

Marrëveshja BDI-VMRO-DPMNE, ja sa ministri do t’i marrin shqiptarët në qeverinë e Gruevskit

Pak orë nga skadimi i afatit përfundimtar duket se partia shqiptare e BDI, e drejtuar nga Ali Ahmeti, ka arritur një marrëveshje me fituesit e zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni, VMRO-DPMNE-në e Nikola Gruevskit.

Burime të mediave bëjnë me dije se 8 ministri, një prej të cilave Ministria e Brendshme, do t’i shkojnë BDI-së, e cila do të marrë gjithashtu për herë të parë edhe postin e kreut të Kuvendit. 

Mesnata e kësaj të diele ishte edhe afati i fundit kushtetues për Nikola Gruevskin që të bindte BDI për të formuar qeverinë.

Gruevski pranon platformën shqiptare

Maqedonia pritet që të krijojë qeverinë e saj të re me arritjen e marrëveshjes mes VMRO-DPMNE dhe BDI-së.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski i ka pranuar kushtet e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe të plaftormës shqiptare.

Gruesvki i ka pranuar të gjithë kërkesat e palës shqiptare, ku ndër to përfshihet gjuha shqipe, si gjuhë zyrtare në Maqedoni dhe përdorimi i saj në çdo nivel të administratës. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat