Maqedoni, nga 60 kandidatë, vetëm 6 shqiptarë do të trajnohen në AGJP

Maqedonia

Maqedoni, nga 60 kandidatë, vetëm 6 shqiptarë do të trajnohen në AGJP

Më: 3 shkurt 2017 Në ora: 09:53
Ilustrim

Rezultatet përfundimtare të kandidatëve për trajnimin fillestar të cilët i kanë kaluar dy fazat e provimit – atë me gojë dhe me shkrim pranë Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë “Pavell Shatev”, tregon se nga numri i përgjithshëm i 60 kandidatëve që e kanë dhënë këtë provim, vetëm shtatë janë shqiptarë.

Në ndërkohë, në listën e kandidatëve që do t’i nënshtrohen trajnimit të njëhershëm 9 mujor, gjenden 37 kandidatë, prej të cilëve gjashtë shqiptarë. Duke ju referuar listës së fundit, mund të vërehet se nota maksimale nga testimi me shkrim dhe me gojë që e ka marrë një kandidat shqiptar është 9.00, ose kthyer në pikë të përgjithshëm – 18.15 pikë.

Ndërsa në masë të madhe, kjo listë kryesohet nga kandidatë maqedonas, nota mesatare e të cilëve është 9.91 apo kthyer në pikë – 19.11 pikë.

Dispozitat ligjore që burojnë nga Ligji për Akademinë e Gjykatësve dhe Prokurorëve (LAGJP), më saktësisht neni 87 paragrafi 1, i cili i dedikohet vërtetimit dhe publikimit të rezultateve nga provimi, parasheh së në bazë të rezultateve nga dy pjesët e provimit (me shkrim dhe me gojë), Komisioni për provim pranues përgatitë rangë listë preeliminiare dhe të njëjtën e publikon në afat prej 48 orësh pas mbarimit të testimit.

Juristët e rinj të cilët studimet diplomike dhe post diplomike i kanë mbaruar me mesatare 7.0 dhe kanë përvojë punë mbi pesë vjet në sferën e jurisprudencës, sipas ndryshimeve të fundit të LAGJP, kanë mundësi të futen në trajnimin pranë AGJP-së. Ulja e shkallës së pranimit për një notë më të vogël është paraparë më ndryshimet LAGJP, ndryshime këto që kanë hyrë në fuqi më 8 janar të këtij viti.

Në bazë të arsyetimit ligjor që veçmë ka hyrë në fuqi, ndryshimet ligjore thuhet se janë bërë me qëllim të krijimit të mundësive për kuadro profesionale të kualifikuar me minimum pesë vite përvojë pune, pas kalimit të provimit të jurisprudencës për nëpunës gjyqësor, atë të prokurorisë apo si avokat për zhvillim të mëtejmë të karrierës duke pasur qasje në AGJP.

Arsye shtesë e këtyre ndryshimeve ligjore thuhet se janë bërë për shkak fillimit të zbatimit të Ligjit të ri për procedurë penale dhe vendosjen e sistemit, ku Prokuroritë Publike dhe prokurorët e luajnë rolin kryesor në zhvillimin e hetimeve, gjegjësisht kjo situatë ka ndikuar që të shtohet nevoja për rritjen e kuadrit profesional dhe përforcimin e prokurorive për realizimin e të gjitha kompetencave ligjore.

“Praktika e deritanishme ka dëshmuar se vendet e zbrazëta në prokuroritë publike nuk mund të plotësohen për shkak të kushteve paraprake që AGJP i kërkonte për mbarimin e trajnimit. Me këto ndryshime krijohet mundësia se si kuadrot profesional të kualifikuar të motivohen dhe tërësisht të inkorporohen në konceptin për mbarimin e trajnimit në AGJP, si kusht për tu zgjedhur prokuror publik. Duke e pasur parasysh përvojën e tyre dhe punën praktike, trajnimi në AGJP do të zhvillohet vetëm në një fazë (ligjërata teorike), e cila do të zgjasë nëntë muaj të plotë”, thuhet mes tjerash në arsyetimin ligjor, që tashmë është bërë pjesë e dispozitave të reja të LAGJP.

Megjithatë, ekspertët juridik duke e komentuar punën e kësaj Akademie dhe kushteve që ky institucion i parasheh për pranim të kandidatëve, kanë thënë se sistemit juridik të vendit nuk i nevojitet ky organ, por se mjafton vetëm zbatimi në tërësi i Ligjit për gjykata, veçanërisht në pjesën ku bëhet fjalë për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në organet e gjyqësorit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat