Lëvizja për Bashkim: Shteti maqedonas synon të mbijetojë mbi padrejtësi të thella ndaj shqiptarëve

Maqedonia

Lëvizja për Bashkim: Shteti maqedonas synon të mbijetojë mbi padrejtësi të thella ndaj shqiptarëve

Më: 2 mars 2017 Në ora: 16:37
Lëvizja për Bashkim

Lëvizja për Bashkim, përmes një komunikate u bën thirrje përfaqësuesve të shqiptarëve, të cilët jetojnë në trojet e tyre në Maqedoni, që të mos heqin dorë në asnjë moment nga të drejtat e tyre.

Në vend të uljes së kërkesave, LB konsideron se ata duhet të rrisin bashkëpunimin midis tyre dhe vendosmërinë për t’i realizuar të drejtat e tyre si komb shtetformues.

Më poshtë lexoni reagimin e plotë të LB:

Shqiptarët në Maqedoni të mos ulin kërkesat por të rrisin bashkëpunimin

Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov, gjatë publikimit të vendimit të tij përmes të cilit refuzohet dhënia e mandatit për formimin e qeverisë partisë së dytë në vend, ndër të tjera tha se as Kushtetuta dhe as vetëdija nuk ia lejojnë që të jap mandatimin për dikë që në program ka minimin dhe rrënimin e pavarësisë dhe sovranitetit të Maqedonisë.

Lëvizja për Bashkim asnjëherë nuk e ka konsideruar gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni si të mirë dhe statusin e tyre politik si të zgjidhur.

Ngjarjet e fundit përbëjnë vetëm një moment reflektimi të një situate të vazhdueshme që mbretëron atje historikisht.

Ndërsa deklarata e Presidentit Ivanov përbën një shpallje të qëndrimit maqedonas edhe për të ardhmen në raport me shqiptarët.

Edhe përkundër faktit që kërkesat e shqiptarëve janë minimale në krahasim me të drejtat që u takojnë, politika maqedonase i sheh ato si rrënuese të shtetit.

Kjo do të thotë që shteti maqedon është ndërtuar dhe synon të mbijetojë mbi padrejtësi të thella ndaj shqiptarëve dhe që paqja dhe stabiliteti janë të qëndrueshme për aq kohë sa janë të durueshëm shqiptarët ndaj këtyre padrejtësive.

Lëvizja për Bashkim u bën thirrje përfaqësuesve të shqiptarëve, të cilët jetojnë në trojet e tyre në Maqedoni, që të mos heqin dorë në asnjë moment nga të drejtat e tyre. Në vend të uljes së kërkesave të rrisin bashkëpunimin midis tyre dhe vendosmërinë për t’i realizuar të drejtat e tyre si komb shtetformues.

Në të njëjtën kohë, u bëjmë thirrje të dy qeverive, në Republikën e Shqipërisë dhe të Kosovës, që të koordinuara në mes vete, të japin mbështetjen e tyre të plotë për këtë pjesë të kombit deri në realizimin e plotë të të drejtave kombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat