Ambasada shqiptare në Shkup u akuzua për terrorizëm, ja përgjigja

Maqedonia

Ambasada shqiptare në Shkup u akuzua për terrorizëm, ja përgjigja

Më: 9 mars 2017 Në ora: 18:00
Ambasada shqiptare

Nuk janë të pakta akuzat e këtyre ditëve të një pjese të maqedonasve kundër shqiptarëve në Maqedoni por edhe ndaj Shqipërisë. Ato madje po shndërrohen në një fushatë të ashpër deri në luftë-nxitëse jo vetëm nga VMRO-DPMNE por edhe nga gazetarët e saj të tërbuar që ‘fajtorin’ për gjasat e dërgimit të partisë së Gruevskit në opozitë. Këtë situatë në krijim e sipër, Ambasada e Shqipërisë në Shkup e quan të pabazë, sepse siç thotë  problemet e brendshme të krijuara në Maqedoni e kanë origjinën dhe burimin pikërisht brenda vet Maqedonisë.

Së fundi akuza të këtilla janë bërë edhe në emisionin e mbrëmshëm "Në qendër", të gazetarit kontrovers Vasko Eftov që emetohet në televizionin maqedonas ‘Kanal 5’. Eftov, për më tepër akuzave që vijnë nga VMRO-DPMNE e Kryetari Gjorge Ivanov se Shqipëria po ‘përzihet në punët e brendshme’ të Maqedonisë kur u ofroi tryezën e takimeve partive politike shqiptare të Maqedonisë, e akuzoi Shqipërinë se në territorin e shtetit shqiptar kinse “ndodhen rreth 3000 terrorist shqiptarë të cilët do të vijnë në Maqedoni për ta destabilizuar sulmuar Maqedoninë.” I pyetur nga "Zhurnal", rreth kësaj deklarate të këtij gazetari maqedonas Ambasada Shqiptare në Shkup tha se “deklarata të tilla janë qesharake dhe nuk meritojnë vëmendje,” duke i mohuar kategorikisht pretendimet e këtilla të njerëzve si Eftovi.

“Nuk mendojmë se ka vërtetë njerëz të cilët besojnë se problemet e Maqedonisë vijnë nga Shqipëria, aq më pak kur kriza në vend vazhdon prej dy vjetësh. Megjithatë, duhet theksuar se deklarata të tilla janë shumë të rrezikshme pasi kanë për qëllim devijimin e vëmendjes nga problemet reale dhe shpikjen e një armiku imagjinar për të nxitur e shfrytëzuar frikën e njerëzve të cilët duan të mirën e vendit të tyre por janë thellësisht të pa informuar,” thuhet në përgjigjen me shkrim të Ambasadës së Shqipërisë. Për më tepër në përgjigje rikujtohen edhe qëndrimet e para disa ditëve të thëna në Shkup nga shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian (BE) Federika Mogerini.

Ajo “... u shpreh qartë kur tha se kriza në Maqedoni është politike dhe institucionale por ajo rrezikon të kthehet në krizë ndëretnike”, përkujtoi Ambasada Shqiptare në Shkup, dhe bëri thirrje edhe ndaj partive politike dhe përfaqësuesve institucional të Maqedonisë që të jenë më të matur dhe të kujdesshëm në kualifikime dhe synime të këtij lloji për të kërkuar adresa të tjera jashtë Maqedonisë për të gjetur ‘fajtor’ gjetiu.

“Ne nuk duhet ta lejojmë absolutisht një gjë të tillë. Andaj aktorët politikë në vend (Maqedoni) duhet që të tregohen shumë të kujdesshëm në atë çfarë thonë pasi i kanë vetë në dorë fatet e vendit të tyre” tha Ambasada e Shqipërisë, për të ritheksuar se Shqipëria është “ ...vend mik” i Maqedonisë. “...është në interesin tonë e të gjithë rajonit që Maqedonia ta tejkalojë këtë krizë dhe t’i rikthehet procesit të integrimit euro-atlantik. Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s dhe faktor stabiliteti në rajon do të vazhdojë të kontribuojë për sigurinë në këtë pjesë të Ballkanit,” tha Ambasada Shqiptare në Shkup.

“Dëshirojmë dhe urojmë që të gjithë qytetarët në Maqedoni të jetojnë me të drejta të plota e me dinjitet në vendin e tyre por theksi është tek ‘të gjithë’, përfshirë shqiptarët si popullsi shtet-formuese në atë vend. Gjuha e urrejtjes nuk ka vend në një shtet demokratik dhe drejtësia duhet të kujdeset që ta parandalojë atë, pasi ne e dimë nga eksperienca se ajo errëson arsyen dhe vjedh të vërtetën duke sjellë vetëm vuajtje,” shkruhet në fund të përgjigjes së saj.

Javëve të fundi, përkatësisht që prej partitë shqiptare nuk arritën që të gjejnë pajtim me VMRO-DPMNE për të kushtet shqiptare për të formuar qeverinë e koalicionit me partinë  e Nikolla Gruevskit, dhe sidomos prej se BDI, LR-PDSh vendosën që të marrin pjesë në qeverinë e pritur të ardhshme, por të bllokuar nga Gjorge Ivanov, VMRO-DPMNE dhe vet Ivanov gjenden në një fushatë të egër në të akuzuarit e Shqipërisë për “përzierje” në punët e brendshme të Maqedonisë. Edhe mjetet e informimit të këtij krahu politik maqedonas janë bërë pjesë e kësaj fushate e cila po merr një formë tejet të ashpër dhe po bëhet e përditshme. E këtij lloji dhe në kuadër të kësaj fushate bëhen edhe deklaratat e gazetarëve si Vasko Eftov-it, i cili pretendon se grupe të armatosura Shqiptarësh nga Shqipëria qenkan formuar dhe kinse paskan në plan që të futen në Maqedoni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat