Ivanov i ka pranuar letrat kredenciale të ambasadorëve të rinj të Japonisë dhe Mongolisë

Maqedonia

Ivanov i ka pranuar letrat kredenciale të ambasadorëve të rinj të Japonisë dhe Mongolisë

Më: 30 maj 2017 Në ora: 15:08
Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov

Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov sot i ka pranuar letrat kredenciale të ambasadorëve të sapoemëruar të Japonisë dhe Mongolisë në Republikën e Maqedonisë.

Në takim me Keiko Haneda, ambasadorja e parë rezidente e Japonisë në Republikën e Maqedonisë, presidenti Ivanov, siç kumtoi Kabineti i tij, ka shprehur kënaqësi nga hapja e ambasadës japoneze në Shkup, që paraqet edhe një konfirmim për miqësinë mes dy shteteve.

“Jam i sigurt se aktivitetet Tuaja si ambasador rezident i Japonisë në Republikën e Maqedonisë do të kontribuojnë për përmirësim të mëtutjeshëm të raporteve tona me futjen e formave dhe përmbajtjeve të reja, para se gjithash në planin ekonomik, që do të pasqyrohet në rritjen e dukshmërisë së Japonisë në Republikën e Maqedonisë dhe në fillimin e bashkëpunimit të frytshëm ekonomik nga e cila do të kenë dobi edhe kompanitë japoneze dhe qytetarët e Maqedonisë”, ka theksuar presidenti Ivanov.

Ambasadorja Keida ka theksuar se Japonia i jep rëndësi të madhe stabilitetit dhe prosperitetit të Evropës Juglindore ku zhvillimi stabil i Republikës së Maqedonisë ka rol të rëndësishëm, duke shtuar se Japonia është mbështetëse e madhe e vendit tonë për integrimin në strukturat euroatlantike.

Presidenti i Maqedonisë në dorëzimin e letrave kredenciale të ambasadorit të sapoemëruar të Mongolisë në Republikën e Maqedonisë, me seli në Sofje, Dashjamc Batsaikhan, ka theksuar se edhe krahas distancës gjeografike të dy vendeve fqinje, ekziston dëshirë e përbashkët dhe potencial i madh për avancim më gjithëpërfshirës të raporteve të ndërsjella për të mirën e dy popujve. Ambasadori Batsaikhan ka theksuar se në periudhën e ardhshme do t’i përkushtohet promovimit të raporteve ekzistuese miqësore dhe avancimit të bashkëpunimit dypalësh mes dy vendeve.

Presidenti Ivanov dy ambasadorëve u ka dëshiruar kryerje të suksesshme të funksionit përgjegjës diplomatik dhe u ka shprehur mbështetje në kryerjen e detyrës.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat