“Qeverinë e re e presin një sërë obligimesh”

Maqedonia

“Qeverinë e re e presin një sërë obligimesh”

Më: 10 qershor 2017 Në ora: 18:54
Qeveria e Maqedonise

Integrimet evropiane dhe euro-atlantike ishin ndër pikat kryesore që Qeveria e sapo formuar e udhëhequr nga lideri i LSDM-së Zoran Zaev, promovoi gjatë fushatës zgjedhore. Zaev premtoi se do të angazhohet dhe do të punojë që Qeveria e tij të kthen vendin drejt rrugës së integrimeve evropiane dhe do të bëjë përpjekje që vendi të shënojë përparim në rrugën drejt anëtarësimit.

Megjithatë, Komisioni Evropian, disa herë ka tërhequr vërejtjen se Maqedonia ka shënuar regres dhe ka humbur shumë kohë në këtë drejtim dhe për t’u kthyer sërish në këto binare, vendi duhet të punoj shumë dhe të zbatojë një sërë reformash.

-Implementimin e Marrëveshjes Kornizë të nënshkruar në Ohër më 13 gusht 2001

-Implementimin e Marrëveshjes Politike të Përzhinos

-Regres në ndërhyrjen e politikës në punën e gjyqësorit dhe prokurorisë

Janë vetëm disa pika për të cilat Komisioni Evropian ka shprehur shqetësim se vendi nuk i ka përmbushur dhe i ka tërhequr vërejtjen më shumë se një herë për këtë.

Maqedonia vitin e kaluar mori rekomandim të kushtëzuar nga KE-ja. Ndërkohë, për të vazhduar rrugën evropiane, përveç implementimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe Marrëveshjes së Përzhinos, Qeveria e re duhet t’i zbatojë edhe këto kushte:

-Promovimi i përfshirjes dhe tolerancës së shoqërisë multietnike dhe multireligjioze dhe përmirësimi i bashkëjetesës dhe dialogut

-Reformat në gjyqësor, Gjykatat dhe Prokuritë Publike duhet të jenë në gjendje që të veprojnë në mënyrë të paanshme dhe të pavarur

-Përmirësimi i lirisë dhe shprehjes së mediave,

-Të shmanget gjuha e urrejtjes

-Të ndërpritet dhuna dhe sulmet ndaj gazetarëve

Parlamenti Evropian duhet të votojë më 14 qershor rezolutën e eurodeputetit, Ivo Vajgëll, e cila i referohet raportit të KE-së për vitin 2016.

Ndërkohë, eurokomesari për zgjerim, Johanes Han, para disa ditëve paralajmëroi se do të dërgojë një grup ekspertësh të pavarur, të udhëhequr nga Rajnhart Pribe, për të analizuar nga afër situatën aktuale në vend dhe për të ndihmuar në zbatimin e reformave të rekomanduara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat