Disa komuna në Maqedoni përgatisin referendum rreth ngritjes së kampeve për emigrantët

Maqedonia

Disa komuna në Maqedoni përgatisin referendum rreth ngritjes së kampeve për emigrantët

Më: 8 shtator 2017 Në ora: 17:50
Ilustrim

Një pjesë e komunave të cilat drejtohen nga partia maqedonase në opozitë OBRM-PDUKM, siç është ajo e Manastirit, Kavadarit, Shtipit si dhe disa komuna të Shkupit, kanë sjellë vendim që të organizohet referendum pikërisht në ditën kur do të duhet të mbahen zgjedhjet lokale, të caktuara më 15 tetor, me ç`rast qytetarët do të shprehen pro ose kundër ngritjes së kampeve për refugjatët.

Këto vendime ndërmerren edhe kundrejt demanteve të vazhdueshme nga ana e Qeverisë së Maqedonisë se nuk planifikon të ngreh kampe për migrantët të cilët do të qëndronin për një kohë më të gjatë në Maqedoni.

Madje, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev tha se përkrah idenë e mbajtjes së referendumeve për të demaskuar gënjeshtrat me të cilat shërbehet OBRM-PDUKM.

Komunikologët thonë se partia maqedonase në opozitë OBRM-PDUKM, në mënyrë të papërgjegjshme është duke nxitur ksenofobi dhe frikë nga terrorizmi, në momenti kur nga kjo parti mungojnë oferta konkrete kundrejt kërkesave reale të qytetarëve.

“Sforcimi i një temë të këtillë tregon qartë se OBRM-PDUKM është e vetëdijshme se si parti nuk mund t’i arrijë rezultat e fituara gjatë periudhës së kaluar, sepse është e dukshme se Maqedonia ka shënuar regres në të gjitha sferat që prekin interesat e qytetarëve dhe për këtë arsye synojnë të shpërqendrojnë vëmendjen e opinionit, përkatësisht duke koncentruar emocionet e qytetarëve në çështje të këtilla të ndjeshme siç janë migrantët, duke nxitur ndjenjë e rrezikut me qëllim që të kalojnë në plan të dytë dhe të tretë çështjet e tjera që janë me interes jetik për qytetarët”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Mirjana Najceska ish-kryetare e Komitetit të Helsinkit në Shkup.

Përderisa Hasan Jashari sociolog, thotë se është e pakuptimtë që ngrihet debat për një problem që nuk ekziston, siç është ngritja e kampeve për qindra mijë migrantë.

Kjo praktikë nuk është e re thotë Hasani, duke kujtuar se gjatë fushatave zgjedhore në vazhdimësi është përdorur tensionimi i marrëdhënieve ndëretnike dhe tani me imponimin e lajmeve të rrejshme se Qeveria do të ndërtojë kampe për migrantët, nxitet frika nga islamizimi i Maqedonisë.

Ndryshe, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska në një intervistë për Radion Evropa e Lirë tha se Qeveria e Maqedonisë nuk planifikon të ngrejë kampe për migrantët dhe as që janë planifikuar mjete nga buxheti i shtetit për këtë çështje.

Gjatë këtij muaji edhe pjestarë të shoqatës civile “Budenje” (zgjimi) të cilët për mediat u shprehën se janë aktivistë të OBRM-PDUKM-së, për disa ditë me radhë kanë mbledhur nënshkrimet e qytetarëve në disa komuna të Maqedonisë, përfshirë këtu edhe qytetin e Shkupit kundër ngritjes së kampeve për migrantët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat