Manastirin nuk e shpëtojnë as martesat

Maqedonia

Manastirin nuk e shpëtojnë as martesat

Më: 8 shtator 2017 Në ora: 21:20
Ilustrim

Manastiri është një prej komunave që për momentin mban rekordin e numrit më të madh të kurorëzime, shkruan gazeta Koha. Rreth 170 martesa brenda tre muajve, ose mesatarisht rreth dy martesa në ditë, nuk kanë qenë të mjaftueshme që kjo komunë mos të vijojë me rënien e frikshme të rritjes natyrale të popullsisë. Manastiri është nga ato komuna problematike ku numri i përgjithshëm i popullsisë, pavarësisht martesave dhe asnjë divorci reduktohet me të paktën 45 banorë. Mortaliteti dhe numri i vogël i lindjeve e rendisin këtë zonë si një prej më aktiveve në kontributin që jep në atë që quhet “plakja e popullsisë”.

Pas saj është komuna e Karposhit që “tkurret” me 39 banorë, Koçani apo Dellçeva. Sipas të dhënave zyrtare të Entit të Statistikave që i referohen “Lëvizjeve aktive të popullsisë” gjatë periudhës prill – maj- qershor, Maqedonia ka dalë nga bilanci negativ i fillimvitit, ku numri i përgjithshëm i popullsisë pësoi rënie, si pasojë e raporteve të zhdrejta mes lindjeve dhe vdekjeve. Periudha e pranverës numëron një shtim natyral me më shumë se 600 persona, si rrjedhojë e numrit të madh të martesave dhe uljes së divorceve.

“Si numri i lindjeve ashtu edhe i vdekjeve ka pësuar rënie, ndërsa është vërejtur një rritje prej 8 për qind e martesave krahasuar me një vit më parë, ndërsa divorcet janë rritur me mbi 13 për qind”, shkruhet në analizën e ESHS.

Sa i takon komunave shqiptare, si Tetovë, Gostivar, Çair, apo Studeniçan shtimi natyror i popullsisë ndikon pozitivisht në pasqyrën e përgjithshme, por shqetësuese për disa prej tyre mbetet shifrat jo të zakonshme të divorceve krahasuar me martesat. Pas Prilepit (31 divorce) renditet Tetova (28 divorce) me mesatarisht dhjetë shkurorëzime në muaj, Struga (19 divorce), apo Dibra komunë kjo në të cilën brenda tre muajve kurorëzohen vetëm 41 çifte dhe ndahen 16 të tjerë.

Sa i takon martesave, pas Kumanovës dhe Manastirit, që kanë regjistruar numrin më të madh të kurorëzimeve, mbi 170 të tilla, renditen Tetova (149 martesa), Struga (113), e të tjera. Çairi renditet si komuna e parë me numrin më të madh të shtimit të popullsisë (135 banorë), që i atribuohet numrit të madh të lindjeve që është dy herë më i madh sesa i vdekjeve, si edhe numri i vogël i divorceve (8). Tetova është e dyta me 129 banorë më shumë, pas saj vjen Saraji me 103 banorë më shumë.

Edhe pse në këtë komunë nuk janë regjistruar shumë martesa (51), ajo që bie në sy është numri i madh i lindjeve, tre herë më i madh se ai i rasteve të vdekjeve. Studeniçani është komuna e katërt sa i takon shtimit intensiv të popullsisë (100 banorë). Por nëse për tre muaj janë lidhur pak martesa (25), numri i lindjeve është 122, ose rreth gjashtë herë më i lartë sesa i vdekjeve. Komuna me numrin më të madh të lindjeve është Tetova – 284 foshnje, Kumanova – 277 foshnje, Çairi – 248 foshnje, ndërsa më pak lindje janë regjistruar në Llozovë (3) dhe Vevçan (7).

Nataliteti është në shifra të ulëta në pjesën më të madh të komunave që janë të populluara me shumicë maqedonase. Tek to nuk kanë ndikuar pozitivisht as masat stimuluese si të Qeverisë me ndryshimet e herëpashershme ligjore, por edhe të vetë komunave për rritjen e numrit të martesave, apo edhe të lindjes së një apo më shumë fëmijëve.

Komunat sipas shtimit natyror pozitiv të popullsisë: Çair: plus 135 banorë, Tetova: plus 129 banorë, Saraj: plus 103 banorë, Studeniçan: plus 100 banorë.

Komunat sipas shtimit natyror negativ të popullsisë: Prilepi: minus 62 banorë, Manastiri: minus 45 banorë, Karposh: minus 39 banorë, Koçan: minus 35 banorë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat