Spitalet në Maqedoni, me mungesë kuadri të specializuar, mjekët ikin sa më larg!

Maqedonia

Spitalet në Maqedoni, me mungesë kuadri të specializuar, mjekët ikin sa më larg!

Më: 10 shtator 2017 Në ora: 00:08
ilustrim

Pagat e ulëta, mungesa e kushteve në spitalet publike, si dhe futja e politikës në menaxhimin e spitaleve shtetërore, ka bërë që mjekët të largohen nga Maqedonia rrjedhimisht të ndihet edhe mungesa e kuadrit të specializuar, si anesteziologë, mikrobiologë, gjinekologë, etj në spitalet shtetërore, shkruan REL.

Për mungesë të kuadrit të specializuar, spitali “8 shtatori” në Shkup i njohur si “Spitali ushtarak” është detyruar t’i mbyllë disa salla të operacionit dhe reparte, të cilat kanë vepruar në kuadër të kësaj qendre të shëndetit publik.

Mungesa më e madhe e mjekëve të specializuar vërehet te gjinekologjia.

Në Maqedoni funksionojnë 17 qendra lindjeje, por pjesa më e madhe e lindjeve bëhen në Shkup për shkak të mungesës së anesteziologëve, dhe në momentin që paraqitet shtatzëni me rrezik të lartë, pacientet drejtohen kah kryeqendra, Shkupi.

“Nëse marrim si shembull rajonin e Rekës, (Maqedoninë perëndimore) që përfshin dhjetëra fshatra, femrat në këtë rajon për të arritur te gjinekologu më i afërt, duhet të shkojnë në Kërçovë, Gostivar, Strugë ose Dibër. Çka ndodh atje? Thua se nuk ka gra shtatzëna. Në këtë rajon, Rostushë, funksiononte salla e lindjes, por e njëjta u mbyll për mungesë të personelit profesional. Në qytetin e Dojranit mungon gjinekologu dhe për këtë arsye, (gratë) janë të detyruara të shkojnë në Gjevgjeli ose Vallandovë”, thotë kryetari i Shoqatës së Gjinekologëve në Maqedoni, Dushko Filipovski.

Ndërkaq, organizatat që në fokus kanë të drejtat e grave, thonë se Qeveria duhet t’u mundësojnë qytetarëve të drejtën e përkujdesjes shëndetësore në mënyrë të barabartë të gjitha grave, pavarësisht se ku jetojnë ato, në kryeqendër apo në viset rurale.

Nga dikasteri i shëndetësisë thonë se menjëherë pas zgjedhjeve vendore, do të shpallë konkurs për specializimin e mjekëve në kuadër të kuotës shtetërore, veçanërisht aty ku më shumë mungojnë specialistët.

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë, Arben Taravari, për Radion Evropa e Lirë thotë se për zgjidhjen e problemit me mungesën e kuadrit të specializuar, nevojiten politika shëndosha dhe të guximshme duke e kthyer fokusin në klinikat shtetërore dhe jo ato private siç ishte rasti deri më tani.

“Po është evidente mungesa e mjekëve të specializuar. Prandaj planifikohen të ndërmerren masa urgjente. Masat në planin afatshkurtër kanë të bëjnë me atë që menjëherë pas miratimit të ligjit të ri për shëndetësi, që është në përgatitje e sipër dhe duhet të miratohet në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm, planifikohet që t’u lejohet mjekëve gjinekologë, të angazhuar në spitalet shtetërore, të mund të punojnë edhe jashtë orarit të punës në ambulancat private që do t’i hapin në vendbanime të caktuara”.

“Por, kompensimi për shërbimin që do t’ua ofronin pacientëve, të bëhet nga Fondi i shëndetësisë, kjo për arsye se ka mungesë të madhe të gjinekologëve. Në planin afatgjatë planifikohet të ndahen mjete për specializimin e një numri të madh, prej më shumë se 400 mjekë për lëmi të caktuara menjëherë pas organizmit të zgjedhjeve vendore”, deklaron Taravari.

Në bazë të një analize të realizuar nga ish-qeveria e kaluar, mungon kuadër i specializuar prej së paku 150 gjinekologësh.

Ndërkohë, që sipas të dhënave nga Fondi i Shëndetësisë në Maqedoni, ka të regjistruar 144 mjekë amë, por një e treta e tyre punojnë në qytetin Shkupit.

Kështu që pjesa më e madhe e grave në shumë qytete të Maqedonisë dhe vise rurale, nuk mund të kryejnë as kontrollet më të thjeshta, të cilat mund të bëhen te gjinekologu amë.

Ndërkohë, që analizat e organizatave të ndryshme ndërkombëtare bëjnë të ditur se nga Maqedonia, pesë vjetët e fundit janë larguar më shumë se 600 mjekë.

Ekspertët e shëndetësisë thonë se për ta zgjidhur problemin me mungesën e mjekëve në Maqedoni, nevojiten reforma të thella në sistemin shëndetësor, por për këtë duhet guxim dhe vullnet politik për ç’gjë nuk ka treguar gatishmëri deri më tani asnjë strukturë udhëheqëse politike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat