Përgatitjet e fundit për zgjedhjet vendore në Maqedoni

Maqedonia

Përgatitjet e fundit për zgjedhjet vendore në Maqedoni

Më: 10 shtator 2017 Në ora: 20:11
Maqedoni

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni po bën përgatitjet e fundit para zgjedhjeve vendore të 15 tetorit. Megjithë përpjekjet për pastrimin e regjistrit zgjedhor, Maqedonia vazhdon të ketë një numër të lartë të votuesve të regjistruar, që ka nxitur debate prej vitesh.

Mbrëmë në mesnatë ka përfunduar shqyrtimi publik i listës zgjedhore që ka zgjatur për njëzet ditë, ndërsa një numër i vogël i votuesve janë shtuar apo janë hequr nga regjistri. Por, siç njoftuan të dielën zyrtarë të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, lista zgjedhore do të përmbyllet brenda dy javësh.

“Listën zgjedhore, me të gjitha ndryshimet që janë paraqitur gjatë shqyrtimit publik, KSHZ-ja do ta përmbyllë më së voni më 24 shtator. Rikujtojmë se afati për parashtrimin e listave për kandidatë për kryetarë dhe anëtarë të Këshillave skadon më 14 shtator, në ora 24:00”, tha zëdhënësja Arjeta Xhemaili.

Megjithë përpjekjet për pastrimin e regjistrit zgjedhor, në Maqedoni megjithatë mbeten mjaft debate të hapura lidhur me transparencën mbi numrin e vërtetë të votuesve. Vendi ka rreth dy milionë banorë, sipas statistikave zyrtare të vitit 2002 dhe mbi një milionë e 800 mijë votues.

Zgjedhjet vendore mbahen më 15 tetor. Maqedonia ka 81 komuna dhe qytetin e Shkupit si njësi e veçantë administrative. Gara kryesore për shqiptarët zhvillohet në Tetovë midis Teuta Arifit të BDI-së dhe sipas të gjitha gjasave, Bilall Kasamit të Lëvizjes Besa. Në Gostivar konkurrojnë Nevzat Bejta i BDI-së dhe Arben Taravari i Aleancës për Shqiptarët. Në Kërçovë rikandidohet Fatmir Dehari i BDI-së, ndërkohë që Ziadin Sela i Aleancës për Shqiptarët do të garojë në Strugë. Në Çair të Shkupit do të përballen Visar Ganiu i BDI-së dhe Zeqirja Ibrahimi i Lëvizjes Besa. Lidhja Social Demokrate, ndërkaq pretendon fitoren në një komunë pothuajse tërësisht shqiptare, në Haraçinë të Shkupit, me kandidaten Milikije Halimi.

Ndërkohë, ende nuk dihet sa do të jetë numri i vëzhguesve të huaj dhe të vendit në zgjedhjet e 15 tetorit.

Zgjedhjet vendore shikohen po aq të rëndësishme sa dhe ato politike; deputetë e ministra do të lënë postet nëse zgjidhen kryetarë komunash.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat