Ademi: Të arriturat e shqiptarëve në Maqedoni mbajnë vulën e Ali Ahmetit

Maqedonia

Ademi: Të arriturat e shqiptarëve në Maqedoni mbajnë vulën e Ali Ahmetit

Më: 6 tetor 2017 Në ora: 22:27
Arbër Ademi

Arbër Ademi nga BDI-ja ka folur për zgjedhjet lokale të Maqedonisë që do të mbahen më 15 tetor, të cilat i ka quajtur si shumë të rëndësishme.

“Janë tejet të rëndësishme zgjedhjet lokale edhe për BDI-në edhe për qytetarët pasi ata zgjedhin përfaqësuesit e tyre në nivel lokal, që duhet të ofrojnë zgjidhje dhe ofertë për nevojat dhe kërkesat e tyre”.

Në edicionin special “Magazina e Maqedonisë”, ai ka thënë se BDI garon në 18 komuna me kandidatët për kryetar të komunave derisa garon në 35 komuna me listën për Këshilltarë Komunalë.

“BDI garon në të gjitha komunat ku mund të fitojë kandidat shqiptar, në ato komuna ku nuk mund të fitojë kandidati shqiptar garojmë vetëm me listë për këshilltarë komunalë”.

Ademi është shprehur shumë optimist për rezultatin që do të ketë BDI-ja në këto zgjedhje lokale.

“Për BDI-në nuk është problem organizimi i zgjedhjeve. Nga koha e themelimit e këtej nuk kemi pësuar humbje, por nga zgjedhja në zgjedhje korrim fitore”.

“BDI hyn në këto zgjedhje si parti e konsoliduar dhe stabile, kemi punuar për vite me radhë duke përmirësuar edhe jetën e qytetarëve, por edhe duke bërë shqiptarët faktorë të rëndësishëm, ndoshta diku më herët e diku më vonë”.

“Koha po e dëshmon se BDI është trajektorja më serioze e shqiptarëve në Maqedoni”.

Ai në Klan Kosova ka shpalosur edhe programin e kësaj partie për zgjedhjet e 15 Tetorit.

“Sikur në çdo zgjedhje, edhe në këto zgjedhje kemi bërë publike programin tonë për të cilin kërkojmë mbështetje edhe për një mandat. Bëhet fjalë për program real që është hartuar ne konsultim me qytetarët dhe për qytetarët”.

“Ngërthen zgjidhje në secilën komunë. Duke pasur parasysh specifikat e komunës kemi hartuar program specifik”.

Por, sipas Ademit, të gjitha të arriturat e shqiptarëve në Maqedoni janë mundësuar nga BDI-ja dhe kryetari i saj, Ali Ahmeti.

“Ne nuk jemi për spektakle boshe kombëtare, por për realizimin e veprave kombëtare”.

“Të arriturat e shqiptarëve mbajnë vulën e Ali Ahmetit dhe BDI-së”.

“Shqiptarët kanë dy Universitet publike, e dimë se si ka qenë gjendja e shqiptarëve në vitin 2001, sot kemi mbi 25.000 shqiptarë të punësuar në administratën e shtetit”.

“BDI-së i ka rënë për hise sepse ka qeverisur”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat