Partitë politike vazhduan me aktivitete të shumta në kuadër të fushatës zgjedhore

Maqedonia

Partitë politike vazhduan me aktivitete të shumta në kuadër të fushatës zgjedhore

Më: 7 tetor 2017 Në ora: 09:44
Ali Ahmeti

Partitë politike edhe gjatë ditës së djeshme vazhduan takimet e tyre me qytetarët. Ju sjellim të përmbledhura aktivitetet e partive më të mëdha, gjatë ditës së djeshme në kuadër të fushatës zgjedhore.

Kandidati i Aleancës për Shqiptarët për Tetovën, Adnan Neziri në një tubim të mbajtur në Tetovë u zotua se do të ndalojë fenomenin e ikjes së të rinjëve nga Tetova, krijimin e kushteve më të mira në fushën e arsimit dhe shëndetësisë, hapjen e pishinave, kinemasë, bibliotekës së Qytetit.

“E kemi më shumë se obligim, që rinia Tetovare, të këtë të gjitha kushtet e nevojshme siç i ka Shkupi. Në Tetovë sot mungon një pishinë, një kinema, një park për të rinj, një bibliotekë por edhe një qendër ahengjesh, për koncerte dhe aktivitete kulturore.”- tha Adnan Neziri, kandidat i ASH-së për Tetovën.

“E ardhmja jonë është në BE dhe NATO, por si mund të jemi pjesë e BE-së dhe NATO-s, sigurisht duhet të komunikojmë dhe bashkëpunojmë, duhet të jesh tolerant dhe të kesh mirëkuptim”, me këto fjalë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, iu drejtua të pranishmive në tubimin e djeshëm në Saraj, ku edhe u promovua kandiati i kësaj partie për këtë Komunë, Blerim Bexheti.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski nga tubimi parazgjedhor në Krushevë e paralajmëroi të ashtuquajturën erë të re, e cila, siç tha, parashikon shumë projekte të reja edhe për banorët e kësaj komune.

Në fjalim i dënoi politikat ekonomike të pushtetit, duke theksuar se janë të dëmshme dhe çojnë drejt, siç tha, rreziqeve serioze dhe pasojave afatgjate.

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami dje vizitoi përfaqësuesit e bashkësisë lokale te fshatit Reçicë e Madhe, duke kërkuar votën e tyre për kryetar te komunës se Tetovës.

Ndërkaq, kandidati i kësaj partie për Komunën e Vrapçishtit, Rexhep Rexhepi mbajti takim me banoret e fshatit Toplicë dhe Negotine.

Ai tha se do te stimuloj zhvillimin ekonomik lokal, për ti favorizuar bizneset e vogla dhe të mesme me qëllim që, sipas tij, të bëhet punësimi i të rinjëve nga këto fshatra.

Kandidati i PDSH-së për Komunën e Tetovës, Bardhyl Dauti në kuadër të fushatës elektorale ka takuar banoret e lagjes së studentëve në Tetovë e cila sipas tij është jashtë të gjitha standardeve për jetë normale të gjeneratave të ardhshme.

Dauti me këtë rast premtoi rregullimin e saj përmes vendosjes së kanalizimit, asfaltimit dhe investimeve tjera infrastrukturore. Dauti tha se ndër prioritetet e tij do të jetë investimi nëpër rrugëve dytësore të qytetit që janë lënë në baltë nga drejtuesit aktual të komunës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat