Zoran Zaev s’ka çka lyp në terrenin shqiptar

Maqedonia

Zoran Zaev s’ka çka lyp në terrenin shqiptar

Më: 7 tetor 2017 Në ora: 15:50
Zoran Zaev

Gjatë këtyre ditëve qytetin e Tetovës e vizitoi kryeministri Zoran Zaev, i shoqëruar nga kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, njëherit edhe rikandidate për këtë komunë nga rradhët e BDI-së, si dhe dhe nga zv.kryeministri i Qeverisë Hazbi Lika.

Kjo vizitë u prit me protesta nga banorët e Reçicës, duke shprehur pakënaqësinë dhe revoltën e tyre ndaj kësaj vizite.

Kryeministri Zoran Zaev dhe Teuta Arifi banorëve të Reçicës u premtuan ndërtimin e shkollës duke u zotuar se kjo shkollë do të fillojë të ndërtohet në fillim të vitit të ardhshëm, premtime të tilla të dëgjuara nga Teuta Arifi edhe në mandatin e kaluar.
Vizita e Zoran Zaevit dhe premtimi për ndërtimin e shkollës shihet si ofendim nga ana e qytetarëve të Tetovës, duke kujtuar edhe vdekjen e Abdylselam Eminit pikërisht në atë vend në kohën kur qeveriste partia e Zoran Zaevit.

Për gazetarin dhe analistin Urim Saliu ky veprim i Zoran Zaevit është thjesht një përzierje në terrenin e tjetërkujt, pasi si do që të jetë rezultati beteja për qytetin e Tetovës u takon partive politike shqiptare.

"Protestat janë një e drejtë e qytetarëve , por në një moment fushate duhet patur kujdes nga elektrizimet dhe përplasjet e mundshme që mund të reflektojnë edhe me situata të padëshiruara.E kam fjalën për protestat e para pak ditëve në Recicë pas ardhjes së Zaevit në zonat e Tetovës. Mendoj se beteja për Tetovën është midis partive shqiptare, kushdo që të fitojë ose humb.Nuk ka nevojë që një kryeministër të vijë jo vetëm në Tetovë por askund të propagandojë në terrenin shqiptarë", thotë për TetovaPress, gazetari dhe analisti, Urim Saliu, duke shtuar se Zaevi para se të mbështesh ndonje kandidat shqiptar duhet të jetë i vetëdijshëm se qytetarët e komunave me shumicë shqiptare, kanë shumë e shumë shqetësime, si rezultat i neglizhencës që autoriteteve qeverisëse lokale, por edhe neglizhencë prej qeverisjes qendrore të vendit. 

"Zaev duhet të mendojë për fitoren në kampin maqedonas, por ai i shfrytëzon shqiptarët sepse pa ta ai sërish do jetë humbës tek maqedonasit.Zaev këtë veprim e bën sepse ai ka një imazh ndryshe dhe e shfrytëzon këtë besim që kanë qytetarët pa marrë parasysh përkatësitë partiake dhe nacionale .Zaev le të mbetet kryeministër dhe jo të bëjë liderin shqiptarë në zonat shqiptare.Këtë s'duhet t'ia lejojë askush. Madje as liderit të VMRO-së nëse propagandon në të njëjtën mënyrë nuk duhet lejuar. Akoma është herët për parti qytetare në Maqedoni sepse midis komuniteteve akoma s'ka një besim dhe nuk ka një barazi të njëjtë. Maqedonët kanë jetë të mirë dhe kërkojnë jetë akoma më të mirë, ndërsa shqiptarët jetojnë si në geto, kanë probleme ekzistenciale, kanë mungesë  të drejtash etj etj. Përpara se Zaev të mbështes një kandidat shqiptarë ai duhet të dijë shqetësimet e qytetarëve në ato komuna ku ata jetojnë dhe të pyesë pse protesojnë ata.", ka përfunduar prononcimin e tij për TetovaPress, analisti dhe gazetari Urim Saliu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat