A e meriton edhe nje mandat Teuta Arifi, verdiktin do ta japë populli

Maqedonia

A e meriton edhe nje mandat Teuta Arifi, verdiktin do ta japë populli

Më: 7 tetor 2017 Në ora: 16:39
Teuta Arifi

Qytetarët e Tetovës në vitin 2013 për herë të parë i besuan mandatin një femreje që të qeveris me pushtetin lokal dhe me paratë publike të qytetarëve.

Katër vite më vonë opinioni është ndarë kur bëhet fjalë për mandatin e kryetares Teuta Arifi. Shumë prej qytetarëve të Tetovës janë të zhgënjyer nga qeverisja e saj në këtë mandat.

Për këtë flet edhe protesta e banorëve të lagjes Reçicë e Vogël, të cilët demonstrativisht shprehën pakënaqësitë e tyre në lidhje me premtimin se ndërtimit të shkollës fillore në këtë lagje si nevojë jetike për fëmijët e kësaj lagje, shkruan TetovaPress.

Por, organet më të larta të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) vendosën që Teuta Arifi të tentojë për herë të dytë të bëhet kryetare e Tetovës.

Në pozicionin e kryetares së komunës, Arifi erdhi pas fitores në zgjedhjet lokale të vitit 2013. Gjatë mandatit të saj katër vjeçar, përkrah sfidave për realizimin e programit të saj parazgjedhor, ajo kishte edhe sfida të paparashikuara, siç ishin vërshimet në Shipkovicë, Reçicë të Madhe, Poroj, por edhe problemin me ndotjen e madhe e ajrit gjatë muajve të dimrit në Tetovë dhe rrethinë.

Përderisa Arifi dhe simpatizuesit e saj krenohen me: zgjidhjen e problemit shumëvjeçarë me ujin, problemin me deponinë dhe qendrën e re transportit, menaxhimin me krizat, aktivitetet kulturore, parqe të reja. Në anën tjetër, një pjesë e opinionit edhe opozitës e kritikojnë për: projektet e parealizuara për transportin publik, shkolla e çerdhe të pa ndërtuara, zgjidhjen e pjesshme të problemit të deponisë, infrastrukturën e keqe dhe shumë premtime tjera të parealizuara.

“Nuk janë mbajtur shumë nga premtimet e rëndësishme ku u bazuan qytetarët për të zgjedhur kryetarin e ardhshëm të komunës, duke nisur nga transparenca financiare e cila është pothuajse zero. Deponia e egër ka qenë një nga problemet më të mëdha të Tetovës për të cilën u tha se do zgjidhej në mënyrë të shpejtë dhe efikase, por u prit që të digjej pjesa më e madhe e mbeturinave për ta larguar krejtësisht nga qyteti. U premtuan parkingje nëntokësore të cilat nuk u realizuan kurrë. U premtua rregull në komunikacion ndërkohë që qyteti është në kaos të madh. U premtua organizimi i transportit publik por s’ka as “A” nga autobusët që do duhej të bartnin qytetarët në punët e tyre të përditshme”, është shprehur për “Vërtetmatësin”, Arianit Xhaferi, aktivist dhe kryetar i “Eko Guerila”.

Kujtojmë se në fushatën promovuese në vitin 2013 Teuta Arifi ju drejtua qytetarëve: “Tetova meriton më ndryshe. Unë e shoh Tetovën si një qytet të urbanizuar me infrastrukturë efikase, linja të rregullta të transportit publik, parkingje të nëntokësore, mjedis të pastër hapësinor dhe parqe të mirëmbajtur”. Tani në zgjedhjet e vitit 2017 ajo filloi fushatën në të cilën po mundohet që t’ju dëshmoj qytetarëve të saj se pse ka dështuar duke kërkuaj fajtorin kujdestar tek qeverisja qendrore.

Tani sa e meriton që të jetë përsëri kryetare e Komunës së Tetovës, qytetarët vlerësimin e tyre do ta japin me 15 tetor, duke mos përjashtuar rrethin e dytë zgjedhor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat