Ahmeti: Ndryshimi i kufijve të Kosovës me efekt domino

Maqedonia

Ahmeti: Ndryshimi i kufijve të Kosovës me efekt domino

Më: 11 tetor 2017 Në ora: 13:12
Ahmeti

Deklaratat e zyrtarëve të lartë serbë për ridizajnim të kufijve në Kosovë, po shihen si të rrezikshme dhe me efekt domino për tërë Ballkanin Perëndimor.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni, Ali Ahmeti, në një intervistë për KosovaPress, thotë se këto gjëra duhet menduar mirë dhe me gjakftohtësi sepse nëse fillon  ndryshimi i kufijve, atëherë do të ketë efekt domino edhe për vendet tjera.

Ahmeti, thotë se në këtë ide po kontribuon edhe Rusia, e cila dëshiron  që Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e BE-së, aq më pak të jetë në NATO. Madje këtë e kanë thënë hapur zyrtarët e lartë rus, presidenti Vladimir Putin dhe Sergej Lavrov, se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO është provokacioni më klasik dhe më i keqi që mund t’i bëhet Rusisë.

Kreu i BDI-së, thotë se bashkimi i vetëm i shqiptarëve mund të bëhet në Bashkimin Evropian, duke hequr kufijtë.

Ahmeti: Ndryshimi i kufijve me efekt domino

“Ndryshimin e kufijve unë e shoh me efekt domino. Ka rreziqet e veta, mbase dikujt mund t’i pëlqej, unë kam dëgjuar ka deklarata edhe nga Kremlini, ka deklarata përse Kosova mund të jetë e pavarur, pse Kosova të jetë e pavarur, ose kam dëgjuar deklarata prej autoriteteve serbe që duhet të bëhet ndryshimi i kufijve të Kosovës. Mirëpo, po të fillojë ky ndryshim, unë i frikësohem efektit domino dhe si do bëhet ai ndryshim, tash manipulohet me 13 për qind të territorit të Kosovës me veriun me Luginën e Preshevës, si do jetë ndarja, a do përgatisësh edhe një herë që me thikë t’i ndash dhe t’i copëtosh hapësirat. Si do ta ndash Bujanocin, si do ta ndash Medvegjën, si do e ndash Banjën e Siarinës. Tash një pjesë e atyre njerëzve të Medvegjës i kanë braktisur vatrat e veta dhe janë vendosur në Fushë Kosovë, në Prishtinë, po përsëri njerëzit janë të lidhur me themelet e veta, me varrezat e veta, kur ndodh një ndarje a i nuk mund të jetë aq i lirshëm të rikthehet në vendlindjen e vet. Këto janë gjëra që duhet menduar me urtësinë me të madhe, me gjakftohtësinë me të madhe, të mos nisë një proces që ka një kosto goxha të lartë”, tha Ahmeti.

Lideri i shqiptarëve të Maqedonisë kërkon nga autoritetet serbe, autoritetet e Kosovës, por edhe autoritetet në Maqedoni dhe në Shqipëri që me gjakftohtësi t’i analizojnë rrethanat se cila është me produktive dhe më e dobishme për rajonin.

Ahmeti: S’duhet vepruar me eufori

“A të fillojmë tani të mendojmë se si t’i ripozicionojmë kufijtë apo se si këta kufij të rrafshohen dhe të mos ketë kufij, por të jemi pjesë e Bashkimit Evropian dhe të jemi pjesë e integruar në NATO. Tani dikush mund të thotë nuk jemi për tregje Jugosllave, dikush thotë nuk jemi për hapësira Jugosllave, unë mendoj që këtu duhet të jemi shumë me të kujdesshëm dhe të kemi analiza shkencore dhe t’i vëmë në tavolinë. Çka është me e dobishme për qytetarët, për shqiptarët dhe në fund si të na rezultojë ashtu duhet të veprojmë. Unë nuk jam për të vepruar me eufori, as me emocione, as me folklorizma. T’i kthehemi racionalitetit, këto janë tema që duan racionalitet, duan arsye të forta. Gjithmonë thirremi në NATO, hajt t’i vëmë në barashpeshë, a do të ikim drejt Evropës dhe të instalojmë standarde evropiane në rajon, do të bëhemi pjesë e NATO-s dhe të siguroj ë stabilitet afatgjate, apo do të ndalemi tà « bisedojmë për probleme rajonale”, tha Ahmeti.

Ahmeti thekson se si shqiptarë kurrë më mirë nuk kanë qenë, porse a mund të bëhen më mirë, sigurisht që mund të bëhen më mirë dhe t’i përmbushin standardet e të bëhen pjesë e Evropës dhe t’i heqin kufijtë në mes vete, pasi nuk ka arsye të ketë kufij e të presësh tre orë në kufirin e Bllacës mes Kosovës e Maqedonisë.

Sipas tij, integrimi në BE është dobi për të gjithë, pasi që sipas Ahmetit, Bashkimi Evropian është vlerë që respekton diversitetet.

Në këtë intervistë, kreu i BDI-së ka folur edhe për gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni, duke thënë se janë më mirë se asnjëherë më parë, porse duhet ende për të arritur gjithë atë që duhet për të qenë të barabartë me maqedonasit në çdo aspekt.

Ai i quan fushatë elektorale zërat se shqiptarët janë keq në Maqedoni aktualisht, pavarësisht se ka ende punë për t’u bërë. Sipas tij, mund të thuhet për shqiptarët e Luginës së Preshevës që janë në situatë të keqe.

Ahmeti: Të thuash që shqiptarët nuk janë zot në vend të vet është paksa e tepruar

“Por, shqiptarët në Republikën e Maqedonisë janë dalzotës, ne nuk i kemi përmbyllur të gjitha sepse ky është një proces, është një zhvillim. Po flasim kështu tani si shqiptarë, unë këtu flamurin kombëtar  e kam të legalizuar dhe ne e përdorim zyrtar. Unë këtu kam dy universitete shtetërore në gjuhën shqipe, me dhjetëra mijëra studentë, unë këtu kam si ta them personalitete dhe figura të mëdha kombëtare të vendosura nëpër sheshet kryesore të Shkupit. Po të shkoni në sheshin “Skënderbeu” dhe të shihni mozaikun që është në qytetin e vjetër të Shkupit, mua më është rrënqethur lëkura, sepse është historia e shqiptarëve që nga lidhja e Lezhës e deri tek figura emblematike jo vetëm për shqiptarët, por për Evropën Adem Jashari. Tani të thuash që shqiptarët janë të persekutuar, të diskriminuar, të thuash që shqiptarët nuk janë zot në vend të vetë do të thosha që është paksa e tepruar”, tha Ahmeti.

 Ai ka folur edhe për proceset gjyqësore kundër shqiptarëve, duke thënë se kanë qenë të montuara dhe të pafaktuara. Madje, kërkon nga shqiptarët që t’i dalin zot asaj që kanë fituar me luftë. Thotë se mos të presin që kryeministri aktual Zoran Zaev apo ish-kryeministri Nikolla Gruevski t’ua japin as gjuhën shqipe as vendin e punës.

Ahmeti: Secili duhet të punojë në frontin e vet

“Mua më intereson drejtësia, ashtu siç është edhe procesi i Kumanovës, por unë pasi kam motivuar, por unë kërkoj që drejtësia të dal në shesh. Nuk mund të jetë. E dini sa policë ka pasur deri në 2001 këtu, 170 policë, por sot janë 2 mijë. A dini sa ka pasur këtu oficerë dhe nënoficerë, 64 sot janë 2 mijë. Do të thotë shqiptarët kanë 4 mijë forca të armatosura në këto hapësira. Por, të gjithë duhet me profesionalizëm të punojnë, të gjithë, ka qenë një administratë me 2 përqind, sot është një administratë shtetërore me 20 përqind. Por, tani gjithsecili duhet në frontin e vet të punojë, gjithsecili duhet të bëjë shërbimet e veta. Unë nuk jam dakord që të jemi në pozita gjithmonë të ankimuesit, gjithmonë ne të ankohemi, ne kemi ne s’kemi, ore i ke fituar me luftë, e ke fituar barazinë juridike, politike, urdhëro, materializo, urdhëro zbatoj, je drejtor, je polic kryeje me përgjegjësi detyrën, je min istër, je kryetar parlamenti, kryeje me përgjegjësi detyrën. Gjithsecili duhet, mos prit tjetri ta japi atë që të takon ty, ti i ke të fituara dhe ne nuk bën të bëhemi se a do na jep Zoran Zaevi a do të na jep të drejtat tona Nikolla Gruevski, ore ti i ke fituar, urdhëro zbatoi”, u shpreh ai.

Për çështjen me të përfolur në Maqedoni, futjen e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në të gjitha institucionet, Ahmeti thotë se kjo tashmë është çështje e kryer dhe pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, ai do të miratohet.

Për këtë, ai shton se u bënë bashkë me partinë e Zoran Zaevit, për një qeveri reformatore ashtu siç e prisnin gjithë qytetarët e Maqedonisë.

Ahmeti: Gjuha shqipe do të jetë zyrtare në Maqedoni

“Tani ishte momenti i duhur për të avancuar më tej në drejtim të përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet e rëndësishme shtetërore, siç është drejtimi i Kuvendit, dhe kjo u bë. Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë është Talat Xhaferi dhe gjithashtu është futur në procedurë parlamentare ligji për përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare. Do të thotë është hapur debat, është debatuar dy jave në Kuvendin e Maqedonisë dhe në afat të pacaktuar është pezulluar seanca e Kuvendit për shkak se nisi të devalvohet edhe vet seanca duke keqpërdorur opozita duke thënë që ne kemi futur ligjin për gjuhen shqipe për shkak të zgjedhjeve, për marketing politik që të fitojmë më shumë në zgjedhje dhe këtu ne e ndërpremë për afat të pacaktuar. Mbyllet cikli zgjedhor dhe vazhdon seanca deri në votim të ligjit.... Kjo është çështje e kryer, ligji është debatuar në seancë, ka mbetur në fund në finale, dhe numrat jan ë për votim, kjo çështje nuk donë dyshim dhe merreni si të kryer”, u shpreh Ahmeti.

Ahmeti beson fort se futja e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare nuk do të zgjojë reagim të qytetarëve maqedonasë, e as nuk do të përsëritet skena e 27 prillit pas zgjedhjeve qendrore në Maqedoni, pasi ajo ishte gjendje kaotike dhe një akumulim i energjive të pakontrolluara.

Kreu i BDI-së, tha se ai personalisht, por edhe institucionet maqedonase kanë raporte të mira edhe me Qeverinë e Kosovës dhe me atë të Shqipërisë. Madje, sipas tij, Maqedonia dhe Kosova kanë marrëveshje të nënshkruara më shumë se me çdo shtet tjetër në rajon.

Pjesën e dytë të intervistës me Ali Ahmetin mund ta lexoni nesër, ku flet për zgjedhjet lokale në Maqedoni dhe çështje tjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat