Ligji i gjuhëve nesër në seancë, VMRO kërkon të hiqet ylli i BE-së

Maqedonia

Ligji i gjuhëve nesër në seancë, VMRO kërkon të hiqet ylli i BE-së

Më: 21 nëntor 2017 Në ora: 16:44
Kuvend

Amendamentet e partive politike për Ligjin për përdorimin e shqipes mund të përplasin deputetët e pozitës dhe opozitës. VMRO-DPMNE-ja në 83 amendamentet e saj kërkon që në Propozim ligjin për gjuhët plotësisht të hiqen një pjesë e Neneve dhe të ndryshohen disa të tjerë.

Sipas partisë së Nikolla Gruevskit, në Ligj nuk duhet të qëndrojë e theksuar “gjuha shqipe” por të mbetet në korniza të saj që e parashikon Kushtetuta, si gjuhë e 20 % të popullsisë si dhe të tërhiqet ylli i BE-së dhe për këtë i referohen edhe deklaratës së një dite më parë të komisionarit Han. Në procedurat gjyqësore, dokumente dhe material të tjera gjyqësore, VMRO-DPMNE-ja kërkon që zyrtare të mbetet vetëm gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj, me qëllim që të mos dublohen vendimet në dy gjuhë. Materialet të mund të merren të përkthyera edhe në gjuhën amë të palëve. Më tej, nëpërmjet amendamenteve, VMRO-DPMNE-ja kërkon që të shfuqizohen Nenet për dygjuhësi në uniformat e forcave të rendit dhe në valuta kurse udhëzimet në ilaçe të jenë në gjashtë gjuhë, maqedonisht, shqip, turqisht, gjuhë vllahe, serbe dhe rome.

Sa i takon Agjencionit për mbikëqyrjen e zbatimit të këtij ligji, VMRO-DPMNE-ja kërkon që ajo të shërbejë si inspektorat për vëzhgimin e përdorimit të versioneve standarte edhe të gjuhëve tjera, gjegjësisht të maqedonishtes, shqipes, turqishtes, vllahes, serbes dhe romes. Drejtori i Agjencisë të zgjidhet nga Kuvendi dhe jo nga Qeveria kurse filologët e punësuar aty të mos jenë vetëm shqiptarë por edhe të etnive të tjera. Dënimet për mos-zbatimin e këtij ligji, sipas VMRO-DPMNE-së duhet të variojnë nga 40 deri 50%.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat