“Mashtrimi” i Zoran Zaev për rastin “Monstra”

Maqedonia

“Mashtrimi” i Zoran Zaev për rastin “Monstra”

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 28 nëntor 2017 Në ora: 23:05
Rasti “Monstra”

Që nga paraqitja e dëshmive më pas edhe me shpalljen fajtorë nga Gjykata Themelore Shkupi 1 për gjashtë  shqiptarët  Halil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, të cilët ishin dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra” është cilësuar si rast i montuar politik.

Për këta gjashtë shqiptarë të dënuar ka një fije shpresë pasi që Gjykata Supreme e Maqedonisë ka marrë vendim për rigjykim pas Prokuroria e Maqedonisë kishte kërkuar një gjë të tillë.

“Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë ka miratuar vendimin në lëndën e rastit “Monstra”, me të cilën ankesat e palës mbrojtëse pranohen, aktvendimet e shkallës së parë dhe të dytës shfuqizohen, ndërkaq lënda kthehet në rigjykim të shkallës së parë”, thuhet në komunikatën për mediat të  Gjykatës Supreme.

Analisti Faik Krasniqi ka thënë për “Bota sot” se kur janë në pyetje të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, nuk ka shumë dallim mes liderëve politikë sllavomaqedonas.

Image
Faik Krasniqi

“Mes Gruevskit dhe Zaevit. Të gjithë kanë gati qasje të njëjtë në raport me shqiptarët. Edhe publikimi i ”bombave” të Zaev sa ishte në opozitë, u dëshmuan që ishin thjesht për fushatë elektorale, dhe me sukses arriti t'i marrë mbi 80 mijë vota të shqiptarëve, duke i sjellur atij 9 deputetë më shumë me vota të shqiptarëve”, ka thënë Krasniqi.

Gjithashtu, ai ka shtuar se  mediat e botërore e kishin vlerësuar Zaevin si shumë të guximshëm me publikimin e të ashtuquajturat ”bomba” të opozitës”, ka theksuar ai.

Po ashtu, Krasniqi ka përmendur edhe deklaratën e kryeministrit të tanishëm të Maqedonisë Zoran Zaev rreth këtij rasti.

“Zaev duhet ta kujtojë deklaratën e tij për rastin ”Monstra”. Pritej e vërteta e madhe për rastin ”Monstra” të cilin vetë ai e paralajmërojë se do ta publikojë me përgjimet e marra në mënyrë misterioze nga shërbimet e intelegjencës së atëhershmë. "Ai për rastin ”Monstra” patë thënë: ”Në burg janë njerëz të pafajshëm për ‘Liqenin e Smillkovcës’  Shtatë persona të përkatësisë shqiptare që janë të dënuar për këtë rast, janë të pafajshëm. Ata padrejtësisht qëndrojnë në burg” kishte thënë Zaev, atëkohë, si udhëheqës i opozitës”, ka thënë ai duke e cituar Zaevin.

Ndërsa, Krasniqi ka deklaruar se pas ardhjes në pushtet e harroi krejtësisht këtë rast të montuar politikisht.

“Partitë shqiptare në pushtet duhet ta shfrytëzojnë rastin që Marrëveshjen e Ohrit ta zbatojnë në përpikmëri, në mënyrë që shqiptarët krahas sllavomaqedonasve të jenë komb shtetformues, dhe shqiptarët mos të jenë më të shtypur dhe inferior ndaj shtetit që u takon edhe atyre, dhe njëkohësisht të kërkojnë nga Bashkësia Ndërkombëtare hetim për rastet e montuara si ”Monstra” dhe ”Grupit të Kumanovës”, ka shtuar ai

Në fund, Krasniqi ka pohuar se vetëm në këtë mënyrë do të zbardhej e vërteta rreth këtyre rasteve të montuara politikisht dhe etnikisht!

Ndërsa, politologu  nga Maqedonia Xhenur Iseni  ka thënë për “Bota sot”  se kjo dëshmon së është rast i montuar dhe se gjatë këtij rigjykimi do të shpallën të pafajshëm.

Image
Xhenur Iseni

“Vendimi i Supremes për Monstrën dëshmoi se ky rast ka qene kryekëput i montuar nga regjimi i kaluar.  Nga gjashtë muaj nga qeveria e re, gjyqi u lirua nga kthetrat e Qeverise së kaluar dhe tani po frymon lirshëm dhe po merr vendimet e duhura, sidomos vendimi i fundit për Monstrën. Gjatë rigjykimit sigurt se të burgosurit do të shpallen të pafajshëm dhe do të lirohen”, ka deklaruar ai.

Më tutje, ai mendon se në burg do të përfundojnë fajtorët e vërtetë dhe se duhet të paditën gjyqtarët të cilët i kanë shpallur fajtor personat të pafajshëm.

“Që ky rast të përmbyllet duke i futur në burg fajtorët e vërtetë, ata persona që deri tani kanë qenë te burgosur pa asnjë faj, duhet ti padisin gjyqtarët që i kanë dënuar të njëjtit dhe këta të fundit të tregojnë pse i kanë dënuar pa faj, dhe nën dirigjenca të kujt janë dënuar. Ndryshe këta gjyqtar duhet të përfundojnë në burg”, ka përfunduar Iseni për “Bota sot”.

Ndryshe, gjashtë shqiptarët janë dënuar me burg të përjetshëm për rrezikim të jetës së qytetarëve të Maqedonisë dhe terrorizëm

 Rrasti ‘Monstra’ kishte ndodhur në prill të vitit 2012, në vendin e quajtur Liqeni Smillkovës afër Shkupit ku kishte ndodhur vrasje e pesëfishtë, ndërsa gjashtë shqiptarët e dënuar ishin arrestuar në 1 maj të vitit njëjtë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat