BDI, LSDM dhe RDK të ndërpresin obstruksionet kundër funksionimit të Komunës së Gostivarit

Maqedonia

BDI, LSDM dhe RDK të ndërpresin obstruksionet kundër funksionimit të Komunës së Gostivarit

Më: 19 dhjetor 2017 Në ora: 16:05
Njomza Shaqiri

Njomza Shaqiri, në cilësinë e koordinatores së grupeve të këshilltarëve të Aleancës për Shqiptarët, Lëvizjes Besa, Lëvizjes për Unitet Kombëtar të Turqve dhe VMRO-DPMNE-së, përmes një konference për shtyp, u prononcua para qytetarëve në lidhje me seancën e djeshme të Këshillit të Komunës së Gostivarit, me ç’rast vlerësoi se obstruksionet që bëhen nga ana e këshilltarëve të LSDM-së, BDI-së dhe RDK-së kundër funksionimit normal të Komunës.

“Në seancën e djeshme njëzëri u hodh poshtë  procesverbali nga mbledhja konstituive e 17 nëntorit, e që automatikisht do të duhej të nënkuptojë edhe shtyrjen e seancës për një ditë tjetër. Mirëpo, grupi i këshilltarëve të BDI-së, LSDM-së dhe RDK-së, vendosën të vazhdojë seanca dhe të udhëhiqet nga organet e zgjedhura në mënyrë jolegjitime”, theksoi znj. Shaqiri.

Ajo sqaroi se obstruksioni i dytë, i cili rëndon shumë interesat e qytetarëve të Gostivarit ishte mosvotimi që në rend dite të vihet edhe propozim-vendimi për rishpërndarje të mjeteve në buxhetin e Komunës së Gostivarit për vitin 2017, gjë që pamundëson marrjen e pagave të punonjësve të arsimit.

“Ne nuk kemi kërcënuar askënd, nuk kemi shantazhuar askënd dhe vlerësojmë se Këshilli është organ ku të zgjedhurit e popullit duhet të shpalosin lirshëm qëndrimet e tyre, andaj nuk e dimë se cilat janë motivet që dikush të ftojë policinë”, tha në vazhdim koordinatorja e grupit të këshilltarëve të ASH-së, Njomza Shaqiri.

Ajo kërkoi nga ata të cilët ftojnë policinë kur mbahen seancat e Këshillit, të dalin publikisht t’i njoftojnë qytetarët për motivet.

Përndryshe, dje nga Bashkimi Demokratik për Integrim thanë se kryetari aktual i Komunës së Gostivarit vazhdon të mos sillet si Kryetar Komune por të merr rolin e Prokurorit Publik.

Ndryshe, reagimi i BDI-së erdhi pasi që me 17 vota “për”, 12 “kundër” dhe një “të përmbajtur”, këshilltarët e komunës së Gostivarit hodhën poshtë vendimin e kryetarit të komunës Arben Taravari, për mosnjohjen e kreut të këshillit komunal. Me këtë rast u verifikua edhe njëherë Nasir Musliu si kryetar.

Formimin e kësaj shumice e ka pranuar dje kreu i komunës së Gostivarit Arben Taravari, por i njëjti ka akuzuar BDI-në dhe LSDM –në se këtë shumicë e kanë formuar me presione të shumta ndaj këshilltarëve. Nëse këshilli nuk funksionon si i këtillë, Taravari nuk ka përjashtuar edhe mundësinë e zgjedhjeve të reja komunale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat