Gostivar, përplasje në komunë për miratimin e buxhetit

Maqedonia

Gostivar, përplasje në komunë për miratimin e buxhetit

Më: 25 dhjetor 2017 Në ora: 15:30
Arben Taravari

Kanë vazhduar edhe sot përplasjet politike në seancën e Këshillit Komunal të Komunës së Gostivarit. Këshilltarët e BDI-së dhe LSDM-së, kanë bllokuar miratimin e buxhetit për vitin 2018 për Komunën e Gostivarit.

Kreu i kësaj Komune Arben Taravari ka akuzuar këshilltarët e shumicës dhe ka paralajmëruar se në rast se vazhdojnë bllokada e këtillë nga ana e shumicës së këshilltarëve, atëherë kjo situatë do të shpie drejt zgjedhjeve të reja për Këshilltarë Komunal.

"Kjo shumicë ka vendosur vazhdimisht të bllokojë, por unë ua rikujtoj se nuk e bllokojnë Arben Taravarin por komunën e Gostivarit. Unë dua të informoj gjithë qytetarët se buxheti i komunës së Gostivarit pengohet prej shumicës gjashtëmbëdhjetëshe, që ajo të futet në rend dite në mbledhjen e këshillit komunal. Nëse nuk kalon buxheti e dini, është një arsye që mund të shkohet në zgjedhje të parakohshme për këshillin atëherë do jemi të detyruar, sepse s`mund të funksionojmë si të bllokuar"- deklaroi  Arben Taravari, kryetar i komunës së Gostivarit.

Nga ana tjetër, këshilltarët e BDI-së dhe LSDM-së, kanë akuzuar Taravarin për revanshizëm politik.

"Është e vërtetë se kjo situatë u krijua me fajin e kreut të komunës së Gostivarit Arben Taravarit, i cili nisur nga kompleksi i tij për të mos e respektuar vullnetin e shumicës së qytetarëve që përcaktuan përfaqësimin e subjekteve në këshillin e komunës së Gostivarit zvarriti punën e këtij institucioni, duke mos njohur kryetarin legjitim të këshillit dr. Nasir Musliun. Po ashtu, gjendja e krijuar është edhe si pasojë e degradimit të administratës komunale duke internuar në NP administrator profesional me përvojë, duke zëvendësuar ata me militant partiak dhe pa përvojën e nevojshme"- tha Shpëtim Xhelili, këshilltar i Bashkimit Demokratik për Integrim.

Nëse deri më datë 31 dhjetor nuk miratohet buxheti i komunës për vitin e ardhshëm, atëherë komuna do duhet të punojë dy muajt në vazhdim me vetëm 30 për qind të buxhetit, që do të përcaktoj Ministria e Financave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat