Gjyqësori, mes të kaluarës dhe reformave

Maqedonia

Gjyqësori, mes të kaluarës dhe reformave

Më: 7 janar 2018 Në ora: 12:28
Pamje nga Shkupi

Pushteti gjyqësor, ndër më të kritikuarit në tre vjetët e fundit, ende është larg pritjeve për pavarësi dhe efikasitet në punën e tij. Tashmë institucionet, si Qeveria ashtu edhe Kuvendi kanë vënë prioritetet e tyre për miratimin e zgjidhjeve ligjore brenda dy muajve të ardhshëm, që janë në përputhje me rekomandimet e Brukselit, si në Prokurori ashtu edhe Këshillin Gjyqësor, por edhe për kërkesat e Prokurorisë Speciale, për të cilën ende nuk ka një zgjidhje se si do të punojë në të ardhmen pas skadimit të afatit për ngritjen e padive ndaj zyrtarëve të inkriminuar.

Pas ndërrimit pushtetit në qershor të vitit të kaluar, Prokuroria e rregullt, por instancat tjera si Gjykata Penale, Gjykata e Apelit, si dhe ajo Supreme, ndryshuan formën e veprimit duke miratuar të gjitha masat e kërkuara nga Specialja, por edhe duke ngritur vetë padi të shumta penale, gjë që nuk e bënin deri sa në fuqi ishte pushteti i kaluar.

“Këshilli Gjyqësor tani vetëm se ka ndërruar kapelën dhe plotëson dëshirat e pushtetit aktual, që është veprim shumë i keq. Pra, ky këshill i cili deri para qershorit punonte për pushtetin e kaluar, tani punon për pushtetin e tanishëm. Ende nuk është ndërruar asnjë anëtar i këtij këshilli, që vlerësoj se është një ndër burimet e së keqes për gjendjen, në të cilën ndodhet Gjyqësori kur dimë se këshilli bën emërimin e gjykatësve në të gjithë vendin”, thotë Zvonko Davidoviq, njohës i çështje juridike dhe avokat në shumë procese gjyqësore.

Ai thotë se ligjet edhe tani që janë në fuqi nuk janë të këqija, por se duhet vetëm zbatimi i tyre. Pavarësisht kësaj, Davidoviq thotë se edhe zgjidhjet e reja ligjore do të jenë të pamjaftueshme nëse reforma nuk do të jetë thelbësore, pra paralelisht të kërkohet edhe përgjegjësi për të gjitha ata punonjës që kanë shkelur apo nuk kanë respektuar ligjin.

“Është shumë lehtë të thuhet se do të kemi reforma. Po, por reformat nuk nënkuptojnë vetëm se miratimin e ligjeve. Deklarativisht shohim vullnet, por këtë nuk e shohim në teren. Nëse këtë nuk e ndryshojmë dhe nuk kërkojmë përgjegjësi nga njerëzit që e bëjnë këtë, nuk do të ketë asgjë prej reformave”, thekson Davidoviq.

Edhe profesori i së Drejtës Kushtetuese, Osman Kadriu, thotë se duhet ende shumë punë për t’i realizuar pritjet për reforma përmbajtjesore dhe efektive, në dobi të qytetarëve dhe shtetit që synon integrimin euroatlantik.

“Lëvizje ka, por nuk do të thotë se ato janë realizuar në tërësi. Që kjo të ndodhë, është e nevojshme që të intervenohet në ligjet e sferës së jurisprudencës dhe pastaj të veprohet me hapa konkretë. Në popull ende mbizotëron mendimi se në Gjyqësor ka pasur procese të montuara, në Gjyqësor nuk ka pasur kualitet dhe efikasitet në punë, në Gjyqësor kemi persona që janë të komprometuar dhe të përfshirë në krime të rënda, pa anashkaluar këtu edhe korrupsionin. Këto dukuri patjetër duhet të eliminohen”, vlerëson Kadriu.

Reformat e nisura janë pjesë e një raporti të ekspertëve të Bashkimit Evropian, i udhëhequr nga gjermani Rainhard Pride. Nëse reformat e nisura do të jenë të suksesshme dhe efikase, do të dihet në prill kur pritet të publikohet raporti i Komisionit Evropian për përparimin e vendit./rel

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat