Arsim Sinani: Mos festoni, shqipja nuk u zyrtarizua në Maqedoni

Maqedonia

Arsim Sinani: Mos festoni, shqipja nuk u zyrtarizua në Maqedoni

Më: 15 janar 2018 Në ora: 14:26
Arsim Sinani

Miratimi i Ligjit për Gjuhën Shqipe në Parlamentin e Maqedonisë nuk konsiderohet festë për të gjithë. Jo, sepse nuk e dëshirojnë këtë, por, sepse për disa intelektualë shqiptarë të Maqedonisë, është hera e dhjetë, që gjuha shqipe, zyrtarizohet, që prej vitit 2002. Në një intervistë për gazetën “Shekulli” analisti Arsim Sinani ndalet te problematikat, që hasen çdo ditë nga mospërdorimi i gjuhës shqipe në këtë vend, por edhe nga risitë gjysmake, që sjell miratimi i Ligjit të Gjuhës Shqipe. Sinani mendon se ky ligj bën avancime në përdorimin e gjuhës shqipe, por ka kufizime të dukshme. Sipas tij, vetëm nëse Liqenit të Ohrit mund t’i themi Deti Adriatik, atëherë gjuha shqipe është zyrtare në Maqedoni.

Në nenin e parë të Ligjit të miratuar, theksohet se: “Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në raportet e saja ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. Gjuhë tjetër që e flasin më së paku 20% e qytetarëve, gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe shkrimi i saj (shqip) në pajtim me këtë ligj”.Sipas Sinanit, për t’u bërë shqipja gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë, duhet të ekzistojë vullnet politik, posaçërisht nga pala maqedonase, e cila ka nevojë të lirohet nga paragjykimet e shekullit të kaluar, duke bërë hapin e domosdoshëm, që gjuha shqipe të jetë krahas gjuhës maqedonase, gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë.

Zoti Sinani, para pak ditësh u miratua ligji për gjuhën shqipe në Maqedoni, si e vlerësoni ju këtë akt?

Është një përpjekje e shqiptarëve për të pasur mundësinë që të jenë qytetarë të barabartë në Maqedoni. Mendoj se është për t’u përshëndetur ky akt dhe me këtë rast dëshiroj të falënderoj pikësëpari Aleancën për Shqiptarët dhe Lëvizjen Besa, të cilët e shtynë para këtë proces dhe e gozhduan BDI-në (Bashkimi Demokratik për Integrim), parti e cila ka një lodhje në dhjetëvjeçarin e fundit. Kryeministri Zoran Zaev e mbajti premtimin e tij, se në kuadër të kompetencave që ka do e bëjë një hap para. Them se kjo e  arritur është një sukses i shqiptarëve, të cilët me presionin psikologjik, që ia bënë faktorit politik shqiptar, por edhe atij sllavomaqedonas arritën që të kenë një fitore të vogël në krahasim me atë që lipset të ndodhë në Maqedoni. Avancimi i gjuhës shqipe, është një akt që, çon përpara marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe sllavomaqedonëve, për një rregullim të tërësishëm në një të ardhme të raporteve mes tyre.

Politikanët, këtë datë e kthyen në ditë feste. Por, përtej vonesës a duhet konsideruar ky akt një festë për të gjithë shqiptarët e Maqedonisë?

Përtej festës, në mëngjes kur u zgjova nuk vërejta ndonjë ndryshim të madh. Në një diskutim me miq e intelektualë dolëm në përfundimin se ky është zyrtarizimi i dhjetë (në radhë) nga viti 2002 e këndej. Por, mos të bëhemi nihilistë, loja është pak më e madhe. Kam përshtypjen se sllavomaqedonasit janë marrë vesh me njëri-tjetrin dhe do luajnë bukur, që të na e ulin nivelin dhe ne të merremi me gjëra të parëndësishme. “Presindeti” Ivanov, që është një faktor prorus dhe i afërt shumë me Beogradin, do e luajë pjesën e vetë të lojës dhe nuk është çudi, që mos ta nënshkruajë ligjin. Duke e njohur këtë mentalitet kjo do vazhdojë në Gjykatën kushtetuese, e cila pasi Parlamenti ta votojë për së dyti me një iniciativë, Gjykata Kushtuese mund ta hedhë poshtë. Është një lojë e menduar krejt mirë nga Akademia e Shkencës sllavomaqedone, e cila e di se çka kërkon. Kështu që me këtë konstelacion jam skeptik se edhe ky ligj gjysmak do ketë epilog për të festuar. Për vete do festoj kur gjuha shqipe të jetë zyrtare tani më duhet të mbeten i rezervuar dhe ta lë Ali Ahmetin të festojë, sepse ai shpesh ka festuar dhe në fund festa është shndërruar në aheng, aq sa kur zgjohemi në mëngjes është ëndërr, e cila vazhdon të mbetet e parealizuar. E keqja është se qarqe të caktuara në Kosovë dhe Shqipëri nga mosinformimi i duhur edhe ata ranë në këtë grackë, që mendoj se nuk i zgjidh problemet tona. Do duhej të jenë më shumë të vëmendshëm, sepse ne duam rezultate jo festa që i respektojmë, por presim nga institucionet në Kosovë e Shqipëri të jenë në nivelin e  detyrës. Ky është realiteti ynë ne festojmë, por kemi pak rezultate.

Neni i parë i këtij ligji, thotë se: “ 1) Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në raportet e saja ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. 2) Gjuhë tjetër që e flasin më së paku 20% e qytetarëve, gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe shkrimi i saj (shqip) në pajtim me këtë ligj. 3) Në të gjitha organet e pushtetit shtetërorë në Republikën e Maqedonisë, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, organizata dhe ente, komisione, persona juridik që kryejnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucione tjera, gjuhë zyrtare përveç gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj është edhe alfabeti dhe gjuha që flasin 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, në mënyrën e përcaktuar me këtë ligj”.

Si mund të komentohet fakti se gjuha do të gjejë përdorim institucional në ato territore/organe, vetëm në rast së 20 për qind e popullsisë do të jenë shqiptarë? Me këtë kuptojmë se në rast të kundërt, kur janë më pak, shqiptarët e Maqedonisë do të vazhdojnë të kenë të njëjtin fat?

Kushtetuta e vitit 1974 e Republikës Jugosllave e zyrtarizoi gjuhën shqipe, duke mos i krijuar pengesa dhe kufizime, që nënkuptonte se gjuha shqipe mund të përdoret lirshëm. Kjo nuk ndodh me ligjin në fjalë, askund nuk përmendet gjuha shqipe pikësëpari, por gjuha e 20%, që tregon se çfarë alergjie ka pala sllavomaqedone. Këto pengesa e pengojnë përdorimin e lirshëm të gjuhës shqipe në tërë territorin e Maqedonisë dhe nuk është zyrtarizim i plotë i gjuhës shqipe.

“Ja mangësitë, të cilat tregojnë se i ka ky ligj dhe që gjuha shqipe nuk është zyrtare”

Cilat janë ato pika, që sipas jush, e bëjnë këtë ligj jo të favorshëm 100 për qind për shqiptarët?

Dëgjoni politika është art i mundimshëm dhe gjithnjë në kërkim të zgjidhjes solemne të problemeve. Ky ligj nuk i zgjidh problemet e përdorimit të lirshëm të gjuhës shqipe. Ky ligj avancon në përdorimin e gjuhës shqipe, por ka kufizime të dukshme. Por, politikanët shqiptarë në Maqedoni në pamundësi që të kenë suksese dhe të arritura, politikbërjen e tyre e prezantuan me “spin doktorët” e tyre, se gjuha shqipe në Maqedoni u zyrtarizua. Po bëj një krahasim: A mundet që Liqenit të Ohrit t’i themi Deti Adriatik? Nëse, Liqeni i Ohrit na prezantohet, si Deti Adriatik atëherë gjuha shqipe është zyrtare në Maqedoni. Por, ky është një hap para që u garanton mbijetesë politike këtyre garniturave politike, që realisht nuk kanë suksese në dhjetëvjeçarin e fundit.

Po ju ilustroj disa mangësi, të cilat tregojnë se i ka ky ligj dhe që gjuha shqipe nuk është zyrtare:  Popullata shqiptare më pak se 20% në njësitë e vetadministrimit lokal: Manastiri– 4.37 % apo 4164 qytetarë, Veles – 4.17% apo 2299 qytetarë, Gradsko – 3.32% apo 125 qytetarë, Debarca – 2.78% apo 153 qytetarë, Demir Hisar – 2.44% apo 232 qytetarë, Drugovë – 4.77% apo 155 qytetarë, Ilinden – 2.21% apo 352 qytetarë, Lozov – 1.22% apo 35 qytetarë, Mavrovë dhe Rostushë – 17.21% apo 1483 qytetarë, Ohër – 5.31% apo 2962 qytetarë, Resnjë – 9.13% apo 1536 qytetarë, Qendër Zhupa – 6.96% apo 454 qytetarë, Disa komuna në Shkup: Aerodrom – 1.41% apo 1014 qytetarë, Gazi Baba – 17.22% apo 12502 qytetarë, Gjorçe Petrov – 3.84% apo 1597 qytetarë, Karposh – 3.27% apo 1952 qytetarë, Qendra  – 3.12% apo 1415 qytetarë.

Në total numri i popullatës shqiptare në komunat apo qytetet me më pak se 20% -32.430 qytetarë ose përafërsisht 6.37% e popullatës shqiptare në vend. Kjo flet më së miri se gjuha shqipe nuk është zyrtare të tërë territorin e Maqedonisë, sepse aty kemi popullsi shqiptare nën 20%. Nëse ky ligj e zyrtarizoi gjuhën shqipe po e pyes publikisht Ali Ahmetin: Çka do bëhet me këta shqiptarë, që nuk do të mund ta ndiejnë festën pompoze, që ata proklamuan? Prandaj ky është avancim i gjuhës shqipe assesi zyrtarizim i plotë i gjuhës shqipe.

Para 17 vitesh, në miratimin e Marrëveshjes së Ohrit (2001), një nga parimet e kësaj marrëveshje, ishte që: “Gjuhë zyrtare është edhe gjuha amtare, kur popullata përbën mbi 20 për qind të popullsisë”. Por, a mund të na thoni, se ku është ndryshimi i këtij parimi në Marrëveshjen e Ohrit, me ligjin e miratuar këto ditë? Edhe a duhet, që kësaj here shqiptarët (vetëm ata që në ato vendet përbëjnë mbi 20 për qind të popullsisë), ta besojnë miratimin e këtij ligji realisht?

Problemi qëndron te politika. Elita politike dhe intelektuale maqedonase nuk pranon që gjuha shqipe të jetë e njëjtë, si gjuha maqedonase në përdorim, pasiqë ata, e konsiderojnë vetveten si populli që e qeveris Maqedoninë dhe ne të tjerët duhet të jetojmë, sipas ligjeve dhe zakoneve që ata na i caktojnë. Deri më tani shqiptarët janë treguar të duruar dhe janë munduar ta jetësojnë marrëveshjen e Ohrit. Sipas asaj që unë di, në vitin 2004 do duhej të ishte mbyllur komplet marrëveshja e Ohrit, por kjo nuk ka ndodhur, si pasojë e kompromiseve dhe papërgjegjësisë së klasës politike shqiptare. Elita sllavomaqedone lipset ta kuptojë së Maqedonia do qeveriset nga të dyja palët, ndryshe do hapet tema e federalizmit të Maqedonisë në tre njësi federative, që edhe ne t’i gëzojmë të drejtat tona që na i ka fal Zoti. Zgjedhja është e tyre, nëse duan Maqedoni unitare me shqiptarët, si element kyç apo duan federalizëm, ku secili do i kishte të drejtat e veta të garantuara. Kur profesori i nderuar Blerim Reka mendon se gjuha shqipe nuk është zyrtarizuar, nuk kam se si unë të them se është zyrtare.

Dhe së fundmi, çfarë duhet të ishte bërë, që  kjo çështje e shumëdiskutuar, të marrë zgjidhje të favorshme për shqiptarët njëherë e mirë, qoftë edhe atje ku ata mund të përbëjnë më pak se 20 për qind të popullsisë?

Pranvera politike shqiptare është ajo që u duhet shqiptarëve në Maqedoni. Pasi klasa politike shqiptare, që është pjesë e pushtetit nuk u ndëshkua për veprimet e dështuara dhe kërkon të mbijetojë, këto dëme vërehen. Nuk mund që të kalojnë po u ndëshkuar nga ligji të gjithë ata që abuzuan. Këtë e duan shqiptarët, që të ecim para, por mbetet që shqiptarët të gjejnë forca të organizohen dhe ta dërgojnë në histori këtë mentalitet politikë, që ka bërë kompromise të palejueshme. Ne jemi për një Maqedoni evropiane dhe euroatlantike, por ku shqiptarët janë determinues në këto procese, sepse ne e mbrojtëm idenë e perëndimit në Maqedoni, sa për sllavomaqedonist sot Maqedonia lehtësisht do ishte pjesë e vëllazërisë ruse. Por falë kësaj vigjilence ideja e perëndimit e mundon mendësinë e lindjes.

“Për t’u bërë shqipja gjuhë zyrtare në Maqedoni, lipset vullnet politik nga pala maqedonase”

Keni ju ndonjë ide se si duhet të lëvizet?

Disa nga sugjerimet e mia se kah duhet të lëvizë marrëveshja Kornizë e Ohrit: Gjuha shqipe nuk është plotësisht gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë; Gjuha shqipe nuk përdoret lirshëm në të gjitha institucionet e Republikës së Maqedonisë. Gjuha shqipe vazhdon të diskriminohet në dy drejtime; a) Në pushtetin qendror (posaçërisht në pushtetin ekzekutiv; b) Pjesërisht në pushtetin legjislativ ku ka përmirësime, por nuk janë të mjaftueshme. Gjuha shqipe në vendbanimet ku shqiptarët janë nën 20% është e ndalur dhe është e papërdorshme, në institucionet që nuk i drejtojnë shqiptarët, praktika e përdorimit të gjuhës shqipe mbetet diskutabile, në Gjyqësi mbetet shumë për t’u bërë që gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare, pasi ka kufizime dhe është e paqartë se deri ku mund të përdoret. Ligjet e miratuara pas MKO-së, më vitin 2001, 2008-të dhe 2011-të e avancojnë gjuhën shqipe, por nuk e zyrtarizojnë plotësisht. As ligji i 2018-s nuk e mbyll këtë kapitull. Në Gjykatën Kushtetuese lipset të ndërrohet praktika e punës dhe gjuha shqipe të jetë gjuhë, që mund ta përdorin shqiptarët. Të hiqet diskriminimi ndaj gjuhës shqipe në tërë territorin e Maqedonisë dhe krahas gjuhës maqedonase, gjuha shqipe të jetë në përdorim të plotë në çdo sferë të jetës publike. Pala maqedonase, konkretisht kuadrot e partive politike maqedonase që drejtojnë institucionet shtetërore, njëjtë siç e respektojnë shqiptarët gjuhën maqedonase, edhe ata ta respektojnë këtë parim, si një vlerë të shoqërisë në RM.

Në shtëpinë Muze të Shën Terezës (në Shkup) të përdoret gjuha shqipe, pasi është diskriminim që në një institucion që është me vlerë monumentale për shqiptarët mos të përdoret gjuha shqipe, posaçërisht kur bëhet fjalë për një figurë të përmasave, si Shën Terezës. Të përdoret parimi i Badinterit, që të mos tjetërsohet Marrëveshja Kornizë e Ohrit, në çështjet që janë kontestuese dhe që e mohojnë trashëgiminë kulturore, arsimore dhe gjuhësore të shqiptarëve. Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit të jetë më konkret dhe të ketë qasje më serioze, sa i përket implementimit të çështjeve, të cilat kanë mbetur pezull dhe të përdorë të gjitha mekanizmat, për t’i realizuar pikat kontestuese, që e pengojnë jetësimin e MKO-së. Partitë politike shqiptare të ndërtojnë strategji për çështje kapitale të shqiptarëve në RM, që të mos lejohet diskriminimi i gjuhës shqipe dhe i çështjeve, që janë prioritet për shqiptarët në Maqedoni.

Dialogu shqiptaro-maqedonas i inteligjencës të vazhdojë që të krijohen rrethana, që edhe pala maqedonase t’i pranojë vlerat gjuhësore e kulturore të shqiptarëve të Maqedonisë. Të mos diskriminohen të rinjtë shqiptarë dhe nëpërmjet përdorimit të gjuhës shqipe t’u krijohet mundësi, që të jenë pjesë e zhvillimeve në RM. Zyrtarët maqedonas ta mësojnë gjuhën shqipe, si një gjest tolerance e mirëkuptimi me shqiptarët dhe krijimit të klimës së mirëbesimit mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Të krijohet një grup pune i përbërë nga ekspertë shqiptarë, ndërkombëtarë dhe maqedonas, që Marrëveshja e Ohrit të implementohet plotësisht, pasi ka zvarritje të çështjeve, që shqiptarët i mban të pakënaqur. Praktika ka treguar për ngecje në këtë drejtim. Së fundmi, për t’u bërë shqipja gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë, lipset të ekzistojë vullnet politik, posaçërisht nga pala maqedonase, e cila ka nevojë të lirohet nga paragjykimet e shekullit të kaluar, duke bërë hapin e domosdoshëm, që gjuha shqipe të jetë krahas gjuhës maqedonase, gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë.

Biografi

Arsim Sinani (1974) ka lindur në Tetovë. Studimet e ciklit të parë i ka përfunduar në Fakultetin Filologjik, dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe, pranë Universitetit të Prishtinës. Ka marrë titullin e kualifikimit Profesor. Studimet e masterit i ka përfunduar në Universitetin Mbretëror Iliria në Prishtinë, në Fakultetin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Me këtë rast merr titullin Master i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Studimet e doktoraturës i ka regjistruar në vitin 2011 në Institutin për Studime Evropiane pranë Universitetit të Tiranës, në drejtimin Studime Evropiane dhe Integrime Evropiane. Ai ka ushtruar aktivitet, si profesor vizitues; anëtar dhe themelues i revistave akademike-ndërkombëtare: “Diskutime” dhe “Universitas”; themelues dhe anëtar i disa formave të posaçme të organizimit dhe se posedon edhe disa mirënjohje ndërkombëtare. Ka publikuar: “Ballkani nga konfliktet, drejt integrimeve”; “Dialog me dijetarë e pushtetarë”, “Integrimi i Maqedonisë në Unionin Evropian” “(Mos)zyrtarizimi i gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë” etj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat