Ligji për gjuhët më 29 janar kthehet në Kuvend

Maqedonia

Ligji për gjuhët më 29 janar kthehet në Kuvend

Më: 23 janar 2018 Në ora: 16:09
Kuvendi

Leximi i tretë i propozim-ligjit për përdorimin e gjuhëve është caktuar për më 29 janar. Seanca plenare u caktua gjatë koordinimit të djeshëm të kryeparlamentarit Xhaferi me grupet parlamentare, në të cilin munguan deputetët e VMRO-DPMNE-së.

Propozimi do të vendoset përsëri në seancë parlamentare pasi presidenti i vendit Gjorge Ivanov nuk dekretoi miratimin e tij nga ana e shumicës parlamentare, nën arsyetimin se ky ligj cenon karakterin unitar dhe Kushtetutën e vendit.

Gjatë ditës së djeshme VMRO-ja opozitare kërkoi që të formohen grupe pune të përbëra nga përfaqësues të partive parlamentare, me përfshirjen edhe të ekspertëve si dhe përfaqësues të kabinetit të presidentit dhe të Akademisë së shkencave.

U kërkua që ata të punojnë për vërtetimin e nevojës për miratimin e këtij ligji dhe mënjanimin e elementeve, siç u tha, jo-kushtetuese që përmban ky ligj. Ekspertët ndërkohë kritikojnë propozimin e djeshëm të VMRO-DPMNE-së duke thënë se ata kanë pasur mundësi që të ndërhyjnë derisa ligji ka qenë në procedurë parlamentare.

"Propozimi i VMRO-DPMNE-së nuk është i drejtë për vetë faktin se tashmë VMRO-ja ka pasur të gjitha mundësitë që të jetë pjesë e debatit parlamentar gjatë miratimit të ligjit dhe të konsumojë të drejtën e saj që të japë propozimet e veta. Dhe në aspektin e dytë, Presidenti nuk e nënshkroi ligjin por nuk është as e drejtë e tij, sepse ligji nuk është në kundërshtim me Kushtetutën, madje unë do të them se ky ligj që avancon të drejtën e përdorimit të Gjuhës Shqipe është minimumi që është arritur për të drejtën legjitime të shqiptarëve në këtë vend dhe ajo është që gjuha shqipe të jetë krejtësisht e barabartë me status dhe tretman si gjuha maqedonase" – deklaroi Mersim Maksuti, analist politik.

Ligji për përdorimin e gjuhëve u miratua më 11 janar ndërkaq më 17 janar ai nuk u nënshkrua nga ana e presidentit Ivanov.

Që ligji të miratohet në seancën e 29 janarit të nevojshme janë votat e 61 deputetëve. Pas ri-miratimit eventual, Qeveria do të fillojë procedurën për adresimin e ligjit në Komisionin e Venecias.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat