Zyberi: Ligji i shqipes ka kaluar fazat, pason vetëm votimi

Maqedonia

Zyberi: Ligji i shqipes ka kaluar fazat, pason vetëm votimi

Më: 4 shkurt 2018 Në ora: 19:02
Naser Zyberi

Keqpërdorim eklatant i rregullores së punës së parlamentit me qëllim që të pengohet hyrja në fuqi e këtij ligji. Kështu e sqaron eksperti juridik Naser Zyberi parashtrimin e mbi 35 mijë amendamenteve nga opozita maqedonase ndaj ligjit të gjuhëve i cili është kthyer sërish në kuvend pasi që presidenti refuzoi ta dekretojë të njëjtin.

Sipas tij amendamentet nuk kanë të bëjnë me përmbajtjen dhe aspak me përmirësimin e tekstit. Ndërkaq janë në kundërshtim me procedurat pasi që fazat për amendamentim kanë kaluar thotë ai.

“Ushtrimi i 35 mijë amendamenteve në një tekst ligjorë prej 22-23 nenesh flet se ideja nuk është që të përmirësohet përmbajtja e tekstit të ligjit, por të bllokohet dhe të pamundësohet hyrja në fuqi e të njëjtit, këtë mundësi deputetët e VMRO-DPMNE-së e kanë pasur gjatë fazave të sjelljes së këtij ligji dhe këtë të drejtë ata nuk e kanë ushtruar, tani bëjnë vetëm sabotim të punës së kuvendit me qëllim që të pengohet hyrja në fuqi e një akti të miratuar konform kushtetutës dhe rregullores”, tha eksperti juridik, Naser Zyberi.

Pas përfundimit të procedurave rreth miratimit të një ligji qoftë edhe nëse nuk e ka dekretuar presidenti kuvendit nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të deklarohet lidhur me vendimin e presidentit sqaron Zyberi.

“Procedura parlamentare për aprovimin e një ligji nuk është debat për bindjen e opinionit për arsyeshmërinë e sjelljes së ligjit. Arsyeshmëria e sjelljes së një ligji bëhet në leximin e parë parlamentarë të nj ligji, në lexim të dytë bëhen intervenime me amendamente ndërsa votimi i tretë është vetëm akt solemn do të thotë pranon vendimin e presidentit për ta refuzuar dekretimin ose e refuzon të njëjtin. Në qoftë se qëndron me 61 vota pas propozimit që ka aprovuar do të thotë se presidentit nuk i është pranuar qëndrimi dhe ligji detyrimisht hyn në fuqi respektivisht kushtetuta e detyron presidentin që në atë rast ta nënshkruaj dekretin për hyrjen në fuqi”, u shpreh eksperti juridik, Naser Zyberi.

Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe u miratua me konsensus mes koalicionit të kryesuar nga LSDM dhe të gjitha partive shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat