"The Economist" për emrin e Maqedonisë: "Godoja" që pritet të mbërrijë në vitin 2018

Maqedonia

"The Economist" për emrin e Maqedonisë: "Godoja" që pritet të mbërrijë në vitin 2018

Më: 7 shkurt 2018 Në ora: 15:41
Shkup

Bisedimet e fundit mes Shkupit dhe Athinës, por edhe protestat greke analizohen në një artikull të revistës “The Economist”. Maqedonia fitoi pavarësinë 27 vjet më parë, por konflikti për emrin vijon ende, e me gjasa, “Godoja” nuk do të mbërrijë edhe për shumë kohë në këtë shtet, pavarësisht entuziazmit në dy kryeqytetet.

Për më shumë se çerek shekulli, Maqedonia, pjesa më jugore e Jugosllavisë së shpërbërë prej kohësh, është quajtur FYROM nga Kombet e Bashkuara, Bashkimi Europian dhe shumë organizata të tjera. Emri do të thotë Ish-republika Jugosllave e Maqedonisë. Problemi me emrin është pjesërisht çështja që ka ngatërruar marrëdhëniet e Maqedonisë me fqinjen e saj, Greqinë, që kur mori pavarësinë në vitin 1991. OKB ka ofruar ndërmjetësimin mes dy vendeve, në mënyrë që të ndihmohet Maqedonia të marrë një ftesë për t’u bashkuar me NATO-n dhe të nisë bisedimet e anëtarësimit në BE (dy procese të bllokuara nga Greqia). Ndërmjetësimi rinisi vitin e kaluar, pas tre vjet ndërprerjeje. Ka vullnet të mirë nga të dyja palët për progres. Autoritetet e Shkupit dhe të Athinës i quajnë bisedimet si “mundësi e jashtëzakonshme” për të zgjidhur konfliktin.

Në disa gjuhë, “Maqedonia” është emri i një sallate frutash. Kjo nuk ka të bëjë me faktin se rajoni historic osman i Maqedonisë përbëhej nga shumë popuj. Historikisht, hebrenjtë kanë përbërë grupin më të madh në qytetin-port të Selanikut. Por rajoni ka qenë shtëpi për turqit, grekët, shqiptarët, bullgarët, serbët. Ai u nda në luftërat ballkanike të viteve 1912-13.  Jugu u bë grek, një pjesë tjetër e vogël bullgare dhe pjesa e mbetur “Serbi jugore”. Në vitin 1944, komunistët jugosllavë vendosen që do të shndërrohej në republikën e gjashtë të Jugosllavisë. Nëse në atë kohë, popullsisë sllave i mungonte identiteti i fortë maqedonas si e kishin serbët apo kroatët, kjo kishte ndryshuar në vitin 1991.

Kur Jugosllavia u shpërbë, Greqia bllokoi njohjen e Maqedonisë nga anëtarët e pararendësit të BE-së, Komunitetit Europian. Ajo pretendoi se emri përmbante ambicje territorial për Maqedoninë greke. Çështja u shndërrua në një kauzë protestash për nacionalistët grekë. Vetëm populli i krahinës greke të Maqedonisë ka të drejtën të quhet maqedonas, argumentonin ata. Pjesa më e madhe nuk ishte fare në dijeni se, po aq sa e mendonin ata veten si grekë dhe maqedonas, edhe fqinjët jugosllavë kishin po ashtu identitet të dyfishtë. Në pritje të një marrëveshjeje përfundimtare, Greqia ra dakord të mos e bllokonte Maqedoninë nga organizmat ndërkombëtare, nëse kjo e fundit do ta quante veten FYROM.

Në vitet pasuese, liderët grekë ranë dakord që Maqedonia do ta përdorte emrin e vet por vetëm me një përcaktues, si “E re” apo “E Epërme”. Në vitin 2008, sidoqoftë, Greqia e bllokoi ftesën e NATO-s për anëtarësimin e Maqedonisë dhe e ka bllokuar në vijimësi prej asaj kohe, hapjen e negociatave të pranimit në BE. Qeveria populiste e asaj kohe në Maqedoni u përgjigj me të njëjtat ethe emocionale. Ajo organizoi një fushatë për riemërtimin e stadiumeve e autostradave me emrin e Aleksandrit të Madh dhe babait të tij, Filipit të Maqedonasve dhe ngriti statuja të tyre. Shumë grekë e kuptuan këtë si provë që sllavët dëshironin të cimbisnin identitetin e tyre helenik.

Qeveria e re maqedonase e cila nisi punën në maj, dhe qeveria greke e përndjekur nga sfidat ekonomike janë më shumë se të gatshme për të përmirësuar marrëdhëniet.

Por, shumë nacionalistë në të dyja vendet po përgatiten të godasin çdo marrëveshje.  Çështja më e madhe ka të bëjë me identitetin. Të dyja qeveritë ka gjasa të bien dakord për një emër për Maqedoninë (Maqedonia e Re ka më shumë gjasa për momentin). Por, kur ato të nisin të negociojnë për pika të tilla si për shembull, nëse BE mund t’u referohet qytetarëve të Maqedonisë si “maqedonas” bisedimet do të rëndohen. Pakti i Stabilitetit Europian, një kompani lobimi, ka propozuar sjelljen në skenë të një rezolute për çështjen. Por, më pas e përshkroi një rezolutë të tillë duke iu referuar “Të presësh Godonë”: një pjese teatrale në të cilën dy miq presin përgjithmonë që të vijë dikush. Mos prisni që Godoja të arrijë në vitin 2018 – megjithëse ai edhe mund të vijë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat