Thellohet edhe më shumë përçarja tek Lëvizja Besa

Maqedonia

Thellohet edhe më shumë përçarja tek Lëvizja Besa

Më: 13 shkurt 2018 Në ora: 15:34
Besa

Dy kongrese me datë, organizues dhe vendngjarje të ndryshme. Këto zhvillime edhe më shumë ndajnë dy grupet e formuara në Lëvizjen Besa.

Krahu i “Bilall Kasamit” thotë se Kongresi i parë i partisë është paraparë që të mbahet më 24 shkurt në Shkup, edhe atë me pëlqimin e të dy palëve gjatë mbledhjeve të janarit.

Të njëjtit i quajnë manipulime me opinion vendimin e krahut të “Kahremanit” për kongres paralel më 18 shkurt në Tetovë.

"Kongresi i parë i partisë do të mbahet më 24 shkurt 2018, në Holiday In në Shkup. Këtë vendim e kemi marr të gjithë së bashku, anëtarët e këshillit qendrorë duke përfshirë këtu edhe grupin e të pakënaqurve, të cilat sot çuditërisht dolën me njoftime për të manipuluar opinioni për gjoja se kongresi do të mbahet në ndonjë datë tjetër. Ne konsiderojmë se derisa nuk janë deklaruar ndryshe ata janë deputet të Besës. Ne kemi komunikim të vazhdueshëm me kryeministrin dhe japim kontribut në procesin e reformave. Nuk kemi ofertë konkrete mirëpo në qoftë se vin një gjë e tillë, do ta analizojmë seriozisht atë ofertë" – deklaroi Abdush Demiri, Zëdhënës i Besës së Bilall Kasamit.

Nga ana tjetër, krahu i Nexhbedin Kahremanit thonë se kongres i vetëm dhe legjitim, është ai që kanë paralajmëruar për 18 shkurt në Tetovë. Edhe sipas tyre, krahu i kundërt tenton të manipulojë opinionin me kongresin e 24 shkurtit. Ata thonë se nuk ka Besë tjetër përveç tyre dhe se gëzojnë mbështetjen e së paku 3 deputetëve të Besës në Kuvend.

Lëvizja Besa, Krahu i Nexhbedin Kahremanit

“Nuk ka krah tjetër. Ka grup joformal, që nuk kemi si e ftojmë dhe pse ta ftojmë. Të gjithë deputetët janë të Lëvizjes Besa. Së paku tre deputetë e njohin për U.D. Kryetarë Dr. Nexhbedin Kahremanin. Para kongresit nuk mund të flasim për kombinime të tjera të bashkëpunimit. Pas 18 shkurtit, jemi të hapur për të komunikuar me të gjithë dhe për gjithçka Rreth asaj nëse do të formohet parti e re apo do vazhdohet me të njëjtin emër dhe të njëjtat simbole, do ju informojmë pas vendimit të Gjykatës. NE JEMI LËVIZJA BESA”.

Krahu i Billall Kasamit gjithashtu thotë se gëzon mbështetjen e deputetëve të Besës në Kuvend, derisa të njëjtit nuk janë deklaruar ndryshe.

Ata gjithashtu thonë se po zhvillojnë bisedime me kryeministrin Zoran Zaev dhe nuk e mohojnë përfshirjen eventuale në koalicionin qeverisës.

Krahu i Kahremanit është më i përmbajtur kur bëhet fjalë për përfshirjen në koalicion, gjë kjo që mendohet të jetë arsyeja kryesore e përçarjes së Lëvizjes Besa.

Procesi Gjyqësorë i Administratives nxori si të pavlefshëm shkarkimin e Bilall Kasamit nga posti i kryetarit.

Ndërkohë Krahu i Kahremanit gjithashtu ka ngritur iniciativë në gjykatë dhe presin vendimin e organit të drejtësisë për të vazhduar tutje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat