Ekspertët: Problemet kushtetuese Maqedoni-Greqi janë rregulluar qysh në vitin 1992

Maqedonia

Ekspertët: Problemet kushtetuese Maqedoni-Greqi janë rregulluar qysh në vitin 1992

Më: 13 shkurt 2018 Në ora: 17:33
Flamuri i Maqedonise dhe ai i Greqise

Problemet kryesore në aspektin kushtetutes mes Maqedonisë dhe Greqisë janë rregulluar qysh në vitin 1992 dhe nuk ka hapësirë për ndryshime të tjera kushtetuese.

Kështu vlerëson eksperti juridik Mersim Pollozhani, i cili sqaron se ndryshimet që i kërkon Greqia kanë të bëjnë me integritetin territorial të Maqedonisë dhe çështjen e përkujdesjes së Maqedonisë për pakicat maqedonase jashtë vendit.

Ai kujton se këto çështje janë rregulluar në nenin 3 dhe 49 të Kushtetutës, me amendamentet e vitit 1992, duke shtuar se Greqia nuk ka informata lidhur me këto ndryshime.

“Me këto disa pika, unë kujtoj se pikat kontestuese të kushtetutës së 1991 janë pezulluar, probleme tjera unë si jurist nuk shoh. Kam përshtypjen dhe këtë e vërtetova edhe në deklaratën e fundit të presidentit të Republikës së Greqisë, I cili sa e pash unë nuk I njeh këto ndryshime që janë bërë. Ose nuk ka informata për ndryshimet e Kushtetutës së Maqedonisë”, Mersim Pollozhani, ekspert.

Pollozhani sqaroi më tej se ndryshimet kushtetuese në rrethanat në të cilat ndodhet politika e Maqedonisë është problematike në këtë moment, duke shtuar se për një gjë të tillë është e vetëdijshme pala greke. Ai theksoi se edhe grekët nuk janë të sigurt me kërkesat e tyre.

“Ndryshimi i Kushtetutës është pak problematik në rrethanat në të cilat ndodhet politika Maqedonase në këtë moment. Ndryshimi I kushtetutës sado minorë të jetë do dy të tretat, një kusht shumë i rëndësishëm që nuk ka as një shansë tani. Dhe këtë e dijnë edhe vetë fqinjët grek. Edhe kur një gazetar ia shtroi pyetjen si do të zgjidhet ky problem, ai tha se ndryshimi kushtetues do të bëhet kur do të krijohen kushtet. Domethënë kur të ketë dy të treta. Këtu u vërtetua se edhe grekët me kërkesat e tyre nuk janë shumë të sigurtë dhe prandaj japin deklarata që mund të interpretohen në dy anë“, Mersim Pollozhani, ekspert.

Në nenin 3 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë thuhet:

“Territori i Repubikës së Maqedonisë është i pandashëm dhe i patjetërsueshëm.
Kufiri ekzistues i RM-së është i pacenueshëm.
Kufiri i RM-së mund të ndryshohet vetëm në përputhje me Kushtetutën.”

Ndërkaq me amendamentin 1 të vitit 1992, ky nen është përmirësuar dhe thuhet:

“Republika e Maqedonisë nuk ka pretendime territoriale ndaj shteteve fqinje.
Kufiri i RM-së mund të ndryshohet vetëm në përputhje me Kushtetutën, e në bazë të parimit të vullnetarizmit dhe në përputhje me normat përgjithësisht të pranuara ndërkombëtare.
Me pikën 1 të këtij amandamenti, plotësohet neni 3, ndërsa me pikën 2 zëvendësohet zëvendësohet paragrafi 3 i nenit 3 të Kushtetutës së RM-së “

Ndërkaq sa i takon çështjes së përkujdesjes së Maqedonisë për pakicat maqedonase jashtë vendit.

Në nenin 49 të Kushtetutës thuhet.

Neni 49
“Republika e Maqedonisë kujdeset për pozitën dhe të drejtat e pjestarëve të popullit maqedonas në shtetet fqinje dhe për emigrantët nga Maqedonia, e ndihmon zhvillimin e tyre kulturor dhe i përparon lidhjet me ta.
Republika kujdeset për të drejtat kulturore, ekonomike dhe sociale të qytetarëve të Republikës jashtë vendit. “

Ndërkaq me amendamentin 2 të vitit 1992, ky nen është përmirësuar dhe thuhet:

“Republika në atë rast nuk do të përzihet në të drejtat sovrane të shteteve të tjera dhe në punët e tyre të brendshme.
Me këtë amendament plotësohet paragrafi 1 i nenit 49 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë“.

Kujtojmë se për zgjidhjen e ­çështjes së emrit, Presidenti dhe Kryeministri i Greqisë, kanë kërkuar ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë, me qëllim që të hiqet irredentizmi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat