Universitetet në Maqedoni, fabrikë diplomash

Maqedonia

Universitetet në Maqedoni, fabrikë diplomash

Më: 22 shkurt 2018 Në ora: 09:29
Ilustrim

Përtej dimensionit arsimor dhe shkencor, universitetet duhet të kontribuojë edhe në zhvillimin socio-ekonomik të një vendi, respektivisht në gjenerimin e vendeve të reja të punës dhe në plotësimin e nevojave që ka tregu i punës. Nëse nuk arrin ta bëjnë këtë, misioni i tyre ka dështuar, vërejnë profesorët universitar.

Misioni i universiteteve nuk është vetëm të pajisë studentët me diploma dhe ti aftësojë ato për një profesion të caktuar. Ato nuk janë as vetëm për t’u marrë me shkencë dhe hulumtime. Përtej dimensionit arsimor dhe shkencor, universitetet duhet të kontribuojë edhe në zhvillimin socio-ekonomik të një vendi, respektivisht në gjenerimin e vendeve të reja të punës dhe në plotësimin e nevojave që ka tregu i punës. Nëse nuk arrin ta bëjnë këtë, misioni i tyre ka dështuar, vërejnë profesorët universitar. Avzi Mustafa thotë se cilësia e gjithçkaje matet me rezultatin që jepet në fund.

“Kështu është edhe me arsimim e lartë. Universitetet duhet t’u paraprijnë proceseve, të jenë pararendëse të zhvillimeve shoqërore, të nxisin zhvillimin ekonomik dhe të zgjerojnë tregun e punës. Me këtë matet shkalla e vizionit të tyre”, shprehet për KOHA Mustafa, profesori tani në pension. Ndikimi që kanë universitetet në shtetet e zhvilluara evropiane dhe amerikane, sipas ish-profesorit tjetër universitar, Tahir Zajazi, është i gjithanshëm. “Universiteti është truri i shoqërive të gjithë shteteve të zhvilluara në botë. Prandaj atje bëhet shumë kujdes për standardet që duhet të plotësojë një institucion i arsimit të lartë që të ketë të drejtën të funksionojë si i tillë. Normal që universitetet duhet të kenë edhe mbështetjen e shtetit, ministrive të arsimit apo institucioneve tjera gjegjëse për sigurimin e konkurrencën lojale ndaj tyre, si dhe për të bërë kontrollin e paanshëm për veprimtarinë që marrin përsipër universitetet”, shprehet ai. Marrëdhënia shtet-universitet duhet të jetë reciproke dhe e njëjtë për të gjithë. Jo sikurse ndodh në Maqedoni, kur universitetet mbështeten apo neglizhohen duke u mbështetur në interesa të tjera – të momentit, plotëson për gazetën KOHA profesor Zajazi.

Duke komentuar ndryshimet që pritet të ndodhin në Ligjin për arsim të lartë, profesor Mustafa vëren se duhet bërë shumë kujdes me nenet që kanë të bëjnë me vendosjen e standardeve që duhet të plotësojnë universitetet.

“Shumë më tepër duhet bërë kujdes në kriteret që vendosen për mekanizmat e kontrollit, pra të atyre instancave që duhet të mbikëqyrin punën e universiteteve. Ashtu si rriten përgjegjësitë dhe kompetencat, ashtu duhet të rriten edhe kriteret për funksionimin e atyre institucioneve. Pra, sa më lartë në hierarkinë e sistemit të arsimit të lartë të ngjiten personat gjegjës, aq më të përgatitur dhe me më tepër kompetencë duhet të jenë ato”, shprehet Mustafa. Pra, sipas tij, shkalla e kritereve nga profesorë universiteti, në anëtarë të Këshillit të Akreditimit dhe Këshillit të Evaluimit dhe më pas në anëtarë të Këshillit Nacional të Arsimit të lartë, duhet të ritet. Një anëtarë i këtyre Këshillave nuk guxon të jetë më pak i kualifikuar dhe me më pak përvojë dhe kompetencë profesionale se sa një profesor universiteti, shpjegon Mustafa. Për këtë arsye, plotëson më tej ai, duhet të bëhet kujdes sidomos me Këshillin Nacional të Arsimit të Lartë, ekzistimi i të cilit pritet të shënojë risi pasi të miratohet Ligji i ardhshëm.

“Në radhë të parë duhet të jetë gjithçka në rregull me plotësimin e standardeve nga ai Këshill, që të mund të presim ti kemi në rregull këshillat tjera dhe universitetet që qëndrojnë poshtë tij”, shprehet Zajazi lidhur me Këshillin Nacional të Arsimit të Lartë, që e thënë figurativisht – do të duhet të paraqet kupolën e gjithë sistemit të arsimit të lartë në Maqedoni.

Këtë mendim ndan edhe Mustafa. Ai, e sheh këtë Këshill si instrument të ri që do të qëndrojë mbi të gjitha palët e interesit apo aktorët e deritanishëm të arsimit të lartë. Pra, një lloj korrektori edhe në relacionin mes MASH-it dhe universiteteve, për të eliminuar mangësitë ligjore në funksionimi e institucioneve, rregullimin e ofertës akademike me tregun e punës dhe kështu me radhë. Sipas tyre, vetëm atëherë mund të presim që universitetet të realizojnë në të tri komponentët e lartpërmendura të efikasitetit. Nuk është rastësi që pjesa dërmuese e 500 universiteteve të ranguara më mirë në Listën e Shangait janë nga shtete me GDP të lartë dhe që Anglia, e cila ka universitetet më të mira në Evropë, është shteti ku 95 për qind e të diplomuarve i thith tregu i punës. Përqindja e atyre që mbesin në universitet nuk është as 1 për qind e të diplomuarve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat