Zgjedhje të reja në Tetovë dhe Gostivar?

Maqedonia

Zgjedhje të reja në Tetovë dhe Gostivar?

Më: 25 shkurt 2018 Në ora: 21:13
Këshilli Komunal

Sipas Ligjit, në rast se Komuna e Tetovës deri me 31 mars nuk e zgjedh kryetarin e Këshillit Komunal dhe ajo e Gostivarit në të njëjtën datë nuk arrin të miratojë Buxhetin vjetor, të dyja këto komuna sigurt do të shkojnë në zgjedhje të reja për këshilltarë komunal.

Për dallim nga komunat maqedonase që vetëm se janë funksionalizuar sa i përket këshillave komunal dhe miratimit të buxheteve, në disa prej komunave shqiptare ende nuk i kanë të zgjidhura këto probleme edhe përkundër mbarimit të zgjedhjeve lokale para katër muajve, shkruan gazeta KOHA. Partitë shqiptare – në vend se ti lënë pas krahëve inatet e zgjedhjeve lokale dhe të bëhen bashkë për të mirën e qytetarëve, ata vazhdojnë me avazet e vjetra të përçarjes dhe luftimit me çdo kusht ndaj njëra-tjetrës.

Në Komunën e Tetovës ende nuk kemi kryetar të Këshillit Komunal, ndërsa në Komunën e Gostivarit përplasjet janë më të ashpra mes ASH-së dhe BDI-së sa i përket buxhetit komunal e që për momentin është i përkohshëm për nëntë muaj. Sipas ligjit, në rast se Komuna e Tetovës deri me 31 mars nuk e zgjedh kryetarin e Këshillit Komunal dhe ajo e Gostivarit në të njëjtën datë, pra më 31 mars në rast se nuk arrin të miratojë buxhetin vjetor, të dyja këto komuna sigurt do të shkojnë në zgjedhje të reja për këshilltarë komunal.

“Nga shërbimet juridike morën informata se deri më 31 mars është afati i fundit ligjor kur duhet të zgjidhet kryetari i Këshillit Komunal. Ndryshe, pas kësaj date, nëse nuk ka zgjidhje, duhet të kemi zgjedhje te reja vetëm për këshilltarë komunal”, tha për gazetën KOHA, Armend Fazliu, zëdhënës i Komunës së Tetovës. Sipas tij, problemi është politik, meqë siç thotë Fazliu, zgjedhja e kryetarit të Këshillit është çështje e konsensusit politik ndërmjet partive politike që përfaqësohen në Këshillin komunal. Ai bën apel që sa më parë të gjendet zgjidhje politike.

“Sa i takon zgjedhjes së kryetarit të Këshillit komunal, kjo është një çështje që i përket konsensusit ndërmjet partive politike dhe koordinatorëve të grupeve të këshilltarëve komunal, të cilët përfaqësojnë qëndrimet e subjekteve politike. Një orë e më parë të arrihet marrëveshja aq më mirë për shkak se interesat e pushtetit vendor përkojnë drejtpërsëdrejti me nevojat e përditshme qytetarëve”, thekson Fazliu. Sa i përket Buxhetit, ai shton se ai veçmë është miratuar dhe nuk do të kenë problem me pagesa dhe investime kapitale. “Meqenëse buxheti për vitin 2018 kaloi, për këtë vit nuk do të ketë pengesë në realizimin e investimeve kapitale dhe lëshimin e rrogave në administratën komunale, po ashtu edhe bllok dotacioneve që janë pagat e mësimdhënësve”, tha Fazliu.

Por, Flakron Bexheti nga Aleanca për Shqiptarët akuzon BDI-në se të mirën e saj për votimin e Buxhetit për Komunën e Tetovë ia ka kthyer me të keq duke bërë obstruksione në Komunën e Gostivarit. “Të mirën që ia bëmë BDI-së po na e kthen me të keq. Aleanca për Shqiptarët ka votuar Buxhetin e Komunës së Tetovës, sepse kemi vlerësuar se qytetarët dhe shërbimet komunale nuk mund të jenë peng të inateve politike. Andaj nuk kemi bërë asnjë obstruksion, këshilltarët tanë janë treguar konstruktiv dhe të ndërgjegjshëm politikisht, për dallim nga rasti i Gostivarit, ku BDI se bashku me ish-kryetarin e Komunës, Nevzat Bejta dhe këshilltarët komunal, nuk zgjedhin mënyra dhe forma për ta sabotuar rolin dhe funksionin e kryetarit të Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, i cili fitoi legjitimitetin e qytetarëve të Gostivarit, ndërsa sot i pamundësohet të punojë për qytetarët e Gostivarit. Këshilltarët e BDI-së asnjë mënyre nuk janë të gatshëm të votojnë Buxhetin e Komunës për çështje inati dhe hakmarrje nga humbja e Bejtës”, akuzon Bexheti i ASH-së.

Ndryshe, më 24 janar – në mbledhjen e thirrur nga kryetari i Këshillit Komunal nga radhët e BDI-së, Nasir Musliu, me shumicë votash u votua për propozim-vendimin për financim të përkohshëm të pushtetit lokal në Gostivar. Sa i përket Tetovës, BDI dhe PDSH nuk arritën të merren vesh për kryetarin e Këshillit komunal, ku PDSH nga njëra kërkonte këtë post, ndërsa nga BDI nuk kishte pajtim nga të gjithë këshilltarët që PDSH të marrë kryetarin. Gazeta KOHA dy ditë bëri përpjekje të merrte qëndrim edhe nga PDSH, por zëdhënësi i saj, Luan Tresi dhe funksionarë tjerë, ishin të pakapshëm. Për dallim nga Tetova, ku këshilltarët shqiptarë nuk po mund të zgjedhin kryetarin shqiptar të Këshillit komunal, në Komunën e Butelit ishin këshilltarët shqiptarë që votuan që kryetari i Këshillit të jetë maqedonas nga radhët e LSDM-së, e cila ka edhe kryetarin e Komunës.

Ndërkaq vonesë në zgjedhjen e kryetarit të Këshillit komunal pati edhe në Komunën e Çairit, por çelësi u gjend tek dy këshilltarët e Lëvizjes BESA të krahut të Bilall Kasamit dhe njëra nga këto këshilltare, Xhemile Ademi, me 15 vota “për” u zgjodh kryetar e Këshillit komunal të Komunës së Çairit. Për zgjedhjen e Mehmetit për kryetare të Këshillit kanë votuar gjithsej 15 këshilltarë, prej të cilëve nëntë nga radhët e BDI-së, katër të LSDM-së dhe dy të Lëvizjes Besa, ndërsa në momentin e votimit – mbledhjen e kanë braktisur gjashtë këshilltarë të BESËS , katër të VMRO-së dhe këshilltarët e Aleancës për Shqiptarët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat