Tevdovski hedh poshtë akuzat për presion, policia me informacione filletare për antikorrupsion

Maqedonia

Tevdovski hedh poshtë akuzat për presion, policia me informacione filletare për antikorrupsion

Më: 13 mars 2018 Në ora: 21:42
ilustrim

Policia financiare i siguroi të gjitha dokumentet e nevojshme për verifikimin e transparencës së shpenzimit të parave të buxhetit gjatë tre viteve të fundit nga ana e anëtarëve të Komisionit anti-korrupsion.

Informacionet më të reja që i siguroi TV21 tregojnë se llogaritë e paraqitura për shpenzime rrugore do të krahasohen me dokumentet e institucioneve tjera. Nga policia financiare paralajmëruan se gjatë javës së ardhshme, do të dalin me informacione të reja në lidhje me këtë rast. Kërkuam qëndrim nga ministri Tevdovski dhe morëm përgjigje të shkurtër me shkrim  në të cilën thuhet se e gjithë procedurë është zbatuar sipas ligjit.

“Drejtoria e policisë financiare në rolin e personit juridik vepron sipas ligjeve dhe autorizimeve të saja”, nga Ministria e Financave.

Në lidhje me aksionin e policisë financiare në Komisionin për parandalimin e korrupsionit, reagoi ish- anëtari i komisionit anti – korrupsion, Arif Musa i cili tha se në këtë mënyrë është bërë presion i madh ndaj anëtarëve dhe se kjo është arsyeja se pse ata kanë dorëzuar dorëheqje. Musa tha se Drejtoria nuk ka buxhet të lartë dhe nuk ka bazë për manipulime aq të mëdha që komisioni të jetë nën hetim nga policia financiare.

“Kjo ngjan sikur ata duan komision të ri dhe vendosën këtë ta zgjidhin me trysni për të paraqitur dorëheqje. Nuk flas për efikasitetin, nuk i mbroj në atë pjesë. Domethënë, pushteti tani po merret me këtë Komision, sepse dëshiron ta ndryshojë përbërjen e tij. Absolutisht është ashtu”, tha Arif Musa.

Pas revizionit të brendshëm në Komisionin për parandalimin e korrupsionit, në opinion dolën informacione se ka dyshime se anëtarët e këtij komisioni i kanë keqpërdorur paratë për shpenzime rrugore ndërsa pagesat ditore i kanë marrë në bazë të ndryshme.

Rreth para një jave policia financiare hapi hetim për Komisionin Anti-korrupsion në bazë të informacioneve që qarkullonin në opinion. Policia financiare morri dritë  jeshile edhe nga Prokuroria Publike që të kontrollojë të gjithë dokumentacionin e punës së Komisionit Anti-korrupsion për tre vitet e fundit.

Pas presionit nga opinioni dhe mediat, pesë nga shtatë anëtarët e këtij komisioni dorëzuan dorëheqje, duke e përfshirë edhe kryetarin Igor Tanturovski. Megjithatë, ai ende këmbëngul se është i pastër dhe se bëhet fjalë për presion nga ana e qeverisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat