Artan Grubi flet pas miratimit të ligjit: E përmbyllëm amanetin, urime gjithë shqiptarëve

Maqedonia

Artan Grubi flet pas miratimit të ligjit: E përmbyllëm amanetin, urime gjithë shqiptarëve

Më: 14 mars 2018 Në ora: 17:42
ilustrim

Deputeti nga radhët e BDI-së, Artan Grubi ka folur pas votimit të ligjit për gjuhën shqipe në Kuvendin e Maqedonisë.

Në një intervistë për “Indeksonline” ai ka thënë se sot është ditë e jashtëzakonshme, meqë gjuha shqipe do të barazohet me atë maqedonase.

Ai nuk ka lënë pa përmendur të gjithë ata që humbën jetën në konfliktin e armatosur mes shqiptarëve dhe maqedonëve në vitin 2001.

“Zhvilluam betejën për barazinë e gjuhës shqipe me atë maqedonase në Republikën e Maqedonisë dhe rrumbullakësimin e pjesës normative të marrëveshjes së Ohrit me të cilin u përmbyll amaneti i vitit 2001. Unë dua t`i shprehë një mirënjohje të pafund familjarëve të dëshmorëve, martirëve, ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, të gjitha brezave që kanë dhënë kontributin e jashtëzakont për të arritë deri tek dita e sotit, ku gjuha shqipe në Parlamentin e Maqedonisë zyrtarizohet në mënyrë të plotë dhe barazohet me gjuhën maqedonase në të gjitha organet e pushtetit qendror, përfshirë Parlamentin, Presidencën, Gjykatat, në të gjitha institucionet në vend”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar edhe tentativat e opozitës, gjegjësisht partisë së Nikolla Gruevskit, të cilët përmes dhunës tentuan ta ndalin votimin e ligjit të gjuhës shqipe.

“E patë edhe vet me 64 vota pro, në leximin e tretë dhe përfundimtar u miratua ligji për përdorimin e gjuhëve krahas gjithë atyre skenave të dhunës që i tentuan deputetët e opozitës VRMO-DPMNE por nuk i arritën për arsye të përkushtimit të shumicës parlamentare për ta miratuar ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe”, është shprehur ai.

Duke u falënderuar për hapësirën mediatike që i ka dhënë “Indeksonline”, Grubi u ka uruar të gjithë shqiptarëve kudo që janë, siç e quan ai “këtë ditë të jashtëzakonshme”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat