Dy konfrontimet kokë me kokë të Nikolla Gruevskit me Talat Xhaferin

Maqedonia

Dy konfrontimet kokë me kokë të Nikolla Gruevskit me Talat Xhaferin

Më: 14 mars 2018 Në ora: 17:48
Nikolla Gruevski me Talat Xhaferin

Ende pa u hedhur në votim Ligji për Gjuhët në Kuvendin e Maqedonisë, deputetët e partisë opozitare VMRO-DPMNE e kontestuan hedhjen në votim të këtij ligji.

Më i zëshmi ndër ta ishte kryetari i partisë dhe ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, i cili tentoi dy herë ta ndalonte fizikisht kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferin që të mos e hidhte në votim Ligjin për Gjuhët.

Së pari, Gruevski provokoi Xhaferin duke iu afruar afër dhe në tentim për t’u konfrontuar fizikisht me kryetarin shqiptar të Kuvendit të Maqedonisë. Por, përleshja u evitua nga sigurimi i Kuvendit.

Herën e dytë, deputetët e VMRO-së të udhëhequr nga Gruevski, tentuan ta pushtonin pjesën e rezervuar për kryetarin e Kuvendit, duke e rrethuar atë.

Madje, Gruevski arriti që t’ia ndalte pajisjen elektronike Xhaferit, e cila ia pamundësoi atij që Ligjin ta hidhte në votim elektronik.

Kryetari Xhaferi doli nga salla, por pas disa minutash u kthye dhe ligji u miratua përmes votave me dorë.

Ndaj kësaj, reagoi deputeti i VMRO-DPMNE, Vlatko Gjorçev, i cili i tha Talat Xhaferit se ka ligje, kushtetuta, rregullat dhe se ato duhet të respektohen.

Ndërkaq, deputeti i BDI-së, Artan Grubi është shprehur i kënaqur për kalimin e Ligjit për Gjuhët në Kuvend. Ai, përmes një video të postuar në Facebook, deklaroi se Ligji është miratuar dhe se të gjithë deputetët e BDI-së e votuan.

Ligjin e kanë votuar edhe deputetët e tjerë shqiptarë në Kuvendin e Maqedonisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat