Gruevski pranon telefonatën nga truproja

Maqedonia

Gruevski pranon telefonatën nga truproja

Më: 2 prill 2018 Në ora: 16:14
Nikolla Gruevski

Truproja e Nikolla Gruevskit, Bllagoja Vasilevski nga Vjena përmes telefonit ka biseduar me vëllain e tij Aleksandar Vasilevski- Ninxha, i akuzuar për ndërhyrjen e përgjakshme në Kuvend.

Këtë informacion e konfirmoi ish lideri i VMRO DPMNE-së. Ndryshe, Ninxha i cili ende është në arrati është i përfshirë drejtpërdrejtë në ndërhyrjen e dhunshme të grupit të organizuar me maska në Kuvend.

Truproja, përderisa ka siguruar Gruevskin i cili po qëndronte për vizitë pune në Austri më 27 prill të vitit të kaluar, përveçse me vëllain, ka komunikuar edhe me bashkëshorten e tij.

"Bisedova me pjesëtarin e sigurimit tim, të cilin e pyeta nëse, pas i lexova supozimet, ka zhvilluar ndonjë bisedë, më tha se si çdokush tjetër kur largohet jashtë vendit, ka zhvilluar bisedë të shkurtër telefonike me bashkëshorten e tij, biseda familjare ka pasur edhe me vëllain e tij, biseda familjare dhe kjo është e tëra, asgjë më tepër se kaq" – deklaroi Nikolla Gruevski- ish lider i VMRO DPMNE-së.

Gruevski tha se nuk ka porositur dhunë nga Vjena.

"Po të kishte “D” nga dëshmia kundër meje, unë që moti nuk do të isha këtu. Kjo nga ana tjetër, nuk do të thotë se ata që u arrestuan janë fajtorë. Edhe ata nuk janë fajtorë, por ja që ata e bartën barrën e këtij rasti"– theksoi ai.

Javën e kaluar prokuroria parashtroi aktakuzë kundër 30 personave për terrorizëm dhe rrezikim të rendit kushtetues për ngjarjet e 27 prillit. Megjithatë, nuk u dha përgjigje se kush është porositës i ndërhyrjes së dhunshme. Sipas aktakuzës, Aleksandar Vasilevski- Ninxha, ka marrë thirrje nga Vjena dhe ka filluar të organizojë njerëz të cilëve në një kafene të Shkupit u ka shpërndarë maska.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat