Gjermania partneri kryesor i Maqedonisë për tregti të jashtme

Maqedonia

Gjermania partneri kryesor i Maqedonisë për tregti të jashtme

Më: 14 prill 2018 Në ora: 20:44
Ilustrim

Gjermania është partneri kryesor tregtar i Maqedonisë. Afër gjysma apo 47 për qind e eksportit të Maqedonisë shkon për Gjermani, ku dominojnë pjesët e industrisë automobilistike që prodhojnë në fabrikat e zonave të lira ekonomike, shkruan gazeta Koha. Të dhënat statistikore tregojnë se eksporti i tërësishëm i Maqedonisë në vitin 2017 ishte i vlefshëm afër 5 miliardë euro, ndërsa nga ana tjetër, importi në vitin e kaluar ishte i vlefshëm afër 6.8 miliardë euro.

Sipas këtyre tregueseve del se Gjermania mbetet tregu kryesor eksportues i Maqedonisë me afër 2.4 miliardë eksport në vitin e kaluar. Në ekonominë më të fuqishme evropiane më së shumti eksportohen katalizatorët dhe pastruesit e gazrave të fabrikës Xhonson Meti të dedikuara për industrinë automobilistike që vjet arritën vlerën e shitjes jashtë prej 1.3 miliardë euro apo një e treta e totalit të eksportit vendor.

Prodhimi i tretë më i eksportuar janë përçuesit për ndezje të fabrikës Drekslemajer në Kavadar , me vlerë preja afër 200 milion euro. Pasojnë tablotë dhe pllakat për shpërndarjen e rrymës me vlerë prej afër 93 milion euro. Në vendin e gjashtë të prodhimeve më të eksportuara renditen sediljet e Xhonson Kontroll që prodhohen në Shtip me vlerë prej afër 80 milionë euro. Në Gjermani eksportohen edhe prodhime të ndryshme të tekstilit, verë, speca etj.

Bullgaria me vlerë prej 293 milion euro renditet në vendin e dytë ku eksportojmë më shumë prodhime. Në shtetin fqinj lindor në eksport dominojnë xehet, duhani dhe gypat e çelikut.
Në vendin e tretë sipas vlerës së eksportit me 219 milionë euro renditet Serbia ku kryesisht eksportojmë energji elektrike, ilaçet e Alkaloidit, prodhime të industrisë metalurgjike , rrush për konsum, domate të freskëta dhe ëmbëlsira industriale . Këto pesë prodhime përbëjnë afër 30 për qind të eksportit në Serbi , apo afër 70 milionë euro.

Kosova renditet në vendin e katërt si tregu më i rëndësishëm tregtar ku plasohen prodhimet nga Maqedoni me një vlerë prej afër 200 milionë euro. Në vend të parë sipas vlerës së eksportit në Kosovë renditen karburantet e rafinerisë Okta me vlerë prej afër 20 milionë euro, ndërsa në vendin e dytë është çimentoja e fabrikës Usje me vlerë prej afër 13 milionë euro.

Në vendin e tretë me vlerën prej afër 8 milionë euro renditen prodhimet metalurgjike , ndërsa pason edhe karburanti i avionëve, apo kerozina me vlerë prej afër 7 milionë euro. Në Kosovë eksportohen edhe shufra çeliku, ëmbëlsira industriale të fabrikave Evropa, Vitaminka e Prilepit, etj, pemë dhe perime të freskëta , prodhime dhe përpunime të qumështit si qumështi, jogurti apo djathërat, etj.

Greqia është tregu i pestë më i rëndësishëm eksportues i Maqedonisë me 180 milionë euro ku më së shumti eksportojmë duhan, mermer, prodhime të tekstilit, mish qengji, prodhime të industrisë metalike, etj.
Nga ana tjetër, në vendin e parë lidhur me importin e prodhimeve renditet Gjermania me vlerë prej 803 milionë euro, në vendin e dytë është Britania e madhe me 690 milionë euro, ndërsa në vendin e tretë renditet Greqia me import prej 546 milionë euro. Nga Serbia importojmë mallra në vlerë prej 489 milionë euro, ndërsa nga Kina importojmë mallra në vlerë prej 392 milionë euro. Në periudhën e kaluar në import dominojnë lëndët e para për fabrikat e huaja që punojnë në zonat e lira ekonomike si dhe derivatet e naftës dhe energjia elektrike.

Në vitin e kaluar dominon platina me 630 milionë euro dhe palladiumi me 221 milionë euro që i shfrytëzon fabrika Xhonson Meti për prodhimin e katalizatorëve. Në vendin e dytë të prodhimeve më të importuara në Maqedoni me 670 milionë euro janë karburantet e naftës që edhe nuk çudit duke llogaritur gati 390 mijë vetura që qarkullojnë në rrugët e Maqedonisë që harxhojnë naftë, benzinë dhe më pak gaz si karburant për ngasje. Në vendin e tretë sipas importit është industria metalike që në vitin 2017 ka importuar prodhime metalike dhe të çelikut në vlerë prej afër 510 milion euro që përdoren si lëndë e para nga industria metalike.

Ndryshe, analizat tregojnë se shumica e prodhimeve që Maqedonia eksporton jashtë janë lëndë të para ose gjysmë prodhime që në ndonjë shtet tjetër inkorporohen në prodhime të gatshme. Ndër 100 prodhimet që më së shumti eksportohen nga vendi ka fare pak prodhime të gatshme me fazë më të lartë të përpunimit ose prodhime për konsum final.

Ndër to radhiten autobusët, barnat, këmishët dhe prodhimet e tjera të tekstilit, cigaret, ëmbëlsirat, ajvari, salsiçet etj. Analiza e prodhimeve më të eksportuara nga Maqedonia, tregon se në gishta mund të numërohen prodhimet me fazë finale të përpunimit apo që janë të dedikuar për konsum final. Andaj, sfidë e vërtetë për ekonominë e Maqedonisë në periudhën e ardhshme mbetet zgjerimi i prodhimeve me krijimin e brendeve të reja, pasi edhe po të rritet eksporti apo prodhimtaria e prodhimeve që tani eksportohen , ato nuk do të sjellin ndonjë fitim të madh devizor nga eksporti për shtetin. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat