Grubi: Sot është ditë e bukur për Maqedoninë

Maqedonia

Grubi: Sot është ditë e bukur për Maqedoninë

Më: 17 prill 2018 Në ora: 14:02
Artan Grubi, Jiri Shestak,

Sot, në hapësirat e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, z. Artan Grubi, bashkë me anëtarët dhe zëvendësanëtarët e Komisionit realizuan takim pune me Delegacionin e Senatit të Republikës së Çekisë, të udhëhequr nga z. Jiri Shestak, nënkryetar i Senatit të Republikës së Çekisë. Në përbërje të Delegacionit ishin edhe Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, z. Vacllav Hampll, Kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme, Mbrojtje dhe Siguri, z. Frantishek Bublan, më shumë anëtarë të këtyre dy komisioneve nga Senati i Çekisë në shoqërim të Ambasadorit, z. Mirosllav Toman.

Grubi theksoi se takimi ndodh në një moment shumë interesant, në dritën e publikimit të Raportit për progresin e vendit nga ana e Komisionit Evropian. Në atë kontekst, Grubi theksoi se Komisioni Evropian, si rezultat i progresit të arritur, në mënyrë të pakushtëzuar do të rekomandojë hapje të negociatave për anëtarësim me Maqedoninë.

“Maqedonia me vendosjen e shumicës së re reformuese dëshmoi se mund të jetë tregim i suksesshëm dhe për një periudhë relativisht të shkurtër të japë rezultate të cilat miqtë nga Bashkimi Evropian i njohën dhe shpërblyen në mënyrë adekuate”, tha Grubi në takimin me kolegët e tij çekë.

Grubi informoi se hapat që u ndërmorën para ca kohe, që rezultuan me nënshkrim të Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Republikën e Bulgarisë, nga partnerët tanë në Bashkimin Evropian janë vlerësuar si hap pozitiv dhe shembull në rajon për mënyrën e ndërtimit dhe avancimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore. Në mënyrën e njëjtë, në frymën e fqinjësisë së mirë dhe mirëkuptimit të ndërsjellë bëhen përpjekje për tejkalimin e kontestit me emrin me Greqinë, me ç’rast, nga ana e Grubit u vlerësua se zgjidhja është më afër se kur. U diskutua edhe për finalizimin e elementit legjislativ të Marrëveshjes së Ohrit si kontribut i veçantë në vendosjen e një shoqërie kohezive dhe të qëndrueshme.

Grubi e theksoi edhe konstruktivitetin e kohëve të fundit të opozitës dhe vendimin e tyre për t’u kthyer në punën e Parlamentit që të japin kontribut të tyre në finalizimin e projekteve ligjore reformuese në interes të ardhmërisë eurointegruese të Republikës së Maqedonisë.

Nga ana e Grubit nuk u lëshua mundësia për të kërkuar edhe mbështetje konkrete nga Republika e Çekisë për të ndihmuar në proceset të cilat do të mundësojnë marrje të ftesës për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë në NATO.

Vizitën e sotme zyrtare të deputetëve të Senatit të Çekisë në Republikën e Maqedonisë deputetët e vlerësuan si përcaktim i përbashkët i të dyja shteteve, në frymën e vlerave evropiane të bashkëpunimit me çka do të forcohen komunikimi, bashkëpunimi dhe miqësia, të cilat do të japin efekte pozitive plotësuese në zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja shteteve.

U dërgua falënderim i sinqertë për mbështetjen e çekisë për Maqedoninë dhe mirëkuptim në këtë periudhë kryesore për të ardhmen e Republikës së Maqedonisë, me ç’rast u potencua se me ndihmën e tillë dhe mbështetjen e partnerëve tjerë në BE është veçanërisht e rëndësishme për vendin tonë, veçanërisht në kontekst të përmbushjes së prioritetit tonë strategjik-anëtarësim të plotfuqishëm në BE dhe NATO.

Në fund të takimit u konkludua se vizitën e delegacionit çek deputetët e shikojnë si inkurajim dhe mbështetje për aspiratat euroatlantike të RM-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat