Një e katërta e qytetarëve të Maqedonisë janë të varfër

Maqedonia

Një e katërta e qytetarëve të Maqedonisë janë të varfër

Më: 20 prill 2018 Në ora: 09:16
Ilustrim

Gjysma e të punësuarve në Maqedoni marrin paga që nuk arrijnë as 200 euro, ndërsa gjysma tjetër marrin paga prej 200 deri 400 euro. Sipas analizave të Institutit “Fajnens Think”, mbi 43 për qind e të punësuarve në Maqedoni marrin paga më të vogla se 12 mijë denarë, vetëm 8 për qind marrin paga më të mëdha se 25 mijë denarë, ndërsa gjysma e të punësuarve marrin paga prej 12 deri 25 mijë denarë

Maqedonia ka dallime të mëdha në të ardhura dhe afër 22 për qind e qytetarëve janë të varfër. Statistika zyrtare tregon se 445.000 mijë qytetarë të Maqedonisë në vitin 2016 kanë jetuar nën pragun e varfërisë, që për amvisëri me një anëtarë nënkupton të ardhura vjetore prej 82.560 mijë denarë, ndërsa për familje me katër anëtarë nënkupton të ardhura vjetore pre 173.376 mijë denarë në vit, shkruan gazeta KOHA. Gjithashtu, nga 3.4 miliardë euro të ardhura në Maqedoni, bile 470 milionë euro janë të ardhurat e 1 për qind të shtresës më të pasur në shtet. Nga ana tjetër, gjysma e të punësuarve në Maqedoni marrin paga që nuk arrijnë as 200 euro, ndërsa gjysma tjetër marrin paga prej 200 deri 400 euro.

Sipas analizave të Institutit “Fajnens Think”, mbi 43 për qind e të punësuarve në Maqedoni marrin paga më të vogla se 12 mijë denarë, vetëm 8 për qind marrin paga më të mëdha se 25 mijë denarë, ndërsa gjysma e të punësuarve marrin paga prej 12 deri 25 mijë denarë. Në ndërkohë, mbijetesa është edhe më e rëndë sidomos për një shtresë të popullatës që ka të ardhura të rregullta, por të ulëta mujore. Sipas Indeksit të varfërisë së Entit të Statistikës për vitin 2016, 9 për qind e të punësuarve apo rreth 70 mijë punëtorë janë të varfër, ndërsa të varfër janë edhe 7.1 për qind e pensionistëve, gjegjësisht rreth 20 mijë qytetarët të moshuar.

Dallimin e madh të të ardhurave në Maqedoni e mbështet edhe koeficienti Xhini që tregon qartë dallimin mes të varfërve dhe të pasurve në totalin e të ardhurave në shtet. Me fjalë të tjera, të ardhurat mesatare të 1 për qind të më pasurve janë për 14 herë më të mëdha se paga mesatare në shtet. Kjo, e shprehur në shifra nënkupton se nga 3.4 miliardë euro të ardhura në Maqedoni, rreth 470 milionë euro janë të ardhurat e 1 për qind të shtresës më të pasur në shtet, tregojnë përllogaritjet e Ministrisë së Financave së Maqedonisë.

Standardin e ulur në Maqedoni dhe dallimet e mëdha në të ardhura e dëshmojnë edhe të dhënat statistikore.

Sipas anketës së Entit së Statistikës së Maqedonisë, vetëm një e treta e familjeve në Maqedoni mund ti lejojnë vetes pushim vjetor një javor. Për të tjerët, kjo paraqet një luks për të cilin nuk kanë para. Sipas Anketës për të ardhurat dhe kushtet e jetesës në vitin 2016, që Enti i Statistikës së Maqedonisë e realizoi në vitin kaluar, vetëm 27.4 për qind e familjeve të anketuara mund të shkojnë në pushime verore.

Në ndërkohë, vite me radhë institucione të ndryshme ndërkombëtare financiare sugjerojnë edhe më shumë masa që Maqedonia të përshpejtojë hapin e saj të reformave për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve të saj. Sipas Bankës Botërore, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për një model të ri rritje bazuar në produktivitet, investime, eksport dhe një përqindje më të lartë të sektorit privat në ekonomi.

Ulja e rolit të shtetit në ekonomi, rritja e cilësisë së fuqisë punëtore, vendosja e rendit në politikën fiskale apo hyrja borxh për projekte produktive, rritja e cilësisë së administratës publike, si dhe reforma e kompanive joefikase shtetërore që shpesh punojnë me humbje, janë disa nga reformat që propozon Banka Botërore. Madje, shteti akoma e mban rolin tejet të madh jo vetëm në Maqedoni, por edhe në shumicën e shteteve të Ballkanit Perëndimor, në aspekt të harxhimit dhe punësimit, si trashëgimi e rendit të vjetër socialist.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat