Pa industri, nuk ka rritje ekonomike - Bota Sot
Pa industri, nuk ka rritje ekonomike

Maqedonia

E premte, 19 tetor 2018

Pa industri, nuk ka rritje ekonomike

Më: 21 maj 2018 Në ora: 23:34
Ilustrim

Niveli i pamjaftueshëm industrial i Maqedonisë e pamundëson edhe zhvillimin e saj më të madh ekonomik. Sipas kryetarit të Odës ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski, Maqedonia nevojitet sa më shpejt të fuqizojë industrinë e saj , me qëllim të rritjes më të madhe ekonomike. Sipas tij, niveli më i ulët i rritjes ekonomike dhe zhvillimit të ekonomisë vendore në raport me shtetet anëtare të BE-së dhe një pjesë të shteteve të Ballkanit perëndimor, shtron çështjen kyçe për potencialet dhe mundësitë e ekonomisë së Maqedonisë, prioriteteve që duhet t’ju kushtohet rëndësi në të ardhmen si dhe aktiviteteve të ndryshme në favor të komunitetit të biznesit, shkruan gazeta KOHA.

“Duke marrë parasysh rëndësinë e konkurrencës së industrisë dhe kontributit të saj në efikasitetin e totalit të konkurrencës së ekonomisë vendore, Maqedonia nevojitet urgjentisht të përforcojë industrinë e saj, me qëllim që të mundësojë rritje të qëndrueshme dhe krijimin e vlerave më të larta të aktiviteteve ekonomike. Gjithashtu ardhmërinë e saj , ajo duhet ta ndërtojë në bazë të efikasitetit të teknologjisë dhe efikasitetit të tregut, për çka kusht kryesor janë investimet”, theksoi Azeski në simpoziumin e 13-të ndërkombëtar, “Ekonomia digjitale, lëvizës i rritjes ekonomike”, që u mbajt në fillim të javës së kaluar në Banja Llukë.

Azeski vlerëson më tej se suksesi në ballafaqimin me sfidat si zhvillimi dhe shfrytëzimi potencialeve të ekonomisë vendore , në një pjesë të madhe varet nga investimet në hulumtime dhe zhvillim, si dhe zbatimin e inovacioneve dhe teknologjive të reja.

Aktualisht në Maqedoni ekzistojnë më shumë nisma që janë në rrjedhë e sipër, të cilat kanë për qëllim të mbështesin bizneset për një zhvillim të përshpejtuar teknologjik dhe vendosjen e inovacioneve , që duhet të krijojnë vende të reja të punës, sajojnë rritje dhe zhvillim ekonomik, si dhe të përmirësojnë klimën e biznesit përmes zhvillimit të aftësive konkurruese të kompanive.

Nga ana tjetër, një nga konstatimet e pjesëmarrësve të simpoziumit ishte se revolucioni i katërt industrial paraqet shans të madh për vendet e vogla në zhvillim siç janë shtetet e rajonit, që të arrijnë shkallë më të larta të rritjes ekonomike, të përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve dhe të rrisin konkurrencën e ekonomive të tyre. Shtetet në rajon nevojitet që me një veprim të sinkronizuar të universiteteve, qeverive, komunitetit të biznesit dhe institucioneve të tjera relevante të veprojnë në mënyrë të koordinuar për të arritur rezultate maksimale.

Në ndërkohë, ekonomistët thonë se çdo revolucion industrial duke filluar nga ai i shpikjes së makinës me avull dhe deri i revolucioni i katërt industrial, ndryshon rrënjësisht botën.

Gjithashtu, në të kaluarën, besohej se përparimi ekonomik mund të arrihej vetëm duke zbuluar apo pushtuar territore të tjera gjeografike dhe duke zbuluar materiale dhe burime të reja të energjisë. Mirëpo, me paraqitjen e revolucioneve industriale u bë e qartë se njerëzit mund të shpikin materiale të reja dhe burime të reja të energjisë, ndërsa dituria është burimi i tretë, përveç lëndëve të para dhe energjisë. Përderisa lëndët e para dhe energjia harxhohet nga përdorimi afatgjatë, me dijen ndodh e kundërta. Sa më shumë që ajo përdore , aq më shumë edhe rritet vlefta e saj.

Andaj, Ballkani, dhe shtetet e rajonit, që gjithmonë kanë qenë të pasur me njerëz të talentuar, të shkathët dhe të mençur, duhet të investojnë në edukimin e tyre, në teknologjitë moderne sot dhe në të ardhmen, me qëllim që edhe Evropa juglindore të jetë në gjendje të ecë në mënyrë të barabartë me vendet e zhvilluara ndaj një ardhmërie me perspektivë të qartë për banorët e saj. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test