Angjushev: Të rinjtë me ide, t’i shfrytëzojnë masat e ofruara nga Qeveria

Maqedonia

Angjushev: Të rinjtë me ide, t’i shfrytëzojnë masat e ofruara nga Qeveria

Më: 29 maj 2018 Në ora: 19:57
Koço Angjushev

Me 3.4 milion euro do të formohen akseleratorët e biznesit, përmes të cilave të rinjtë do të mund t’i hapin bizneset e tyre personale.

Zëvendëskryeministri, Koço Angjushev, tha se kjo masë është shumë e rëndësishme për t’i mbajtur të rinjtë këtu, andaj Angjushev iu bëri apel të rinjve që kanë ide, t’i shfrytëzojnë këto masa që i ofron qeveria e Maqedonisë.

“Ata në biznes akseleratorët, përveç që do të marrin edukatë, hapësirë ku do të mund të formojnë biznesin, zyrë, ata do të marrin edhe mjete financiare për krijimin e kompanive të tyre dhe për realizimin e ideve të tyre. Iu bëj thirrje të gjithë të rinjve që ta shfrytëzojnë këtë shans dhe ta kuptojnë se nuk është fat i madh që të punohet vetëm në administratë apo në kompani shtetërore, por është fat i madh që të krijohet kompani e tyre personale”,- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.

Qëllimi është që të mbështetet krijimi i firmave të zhvilluara shpejt dhe të inkurajohet krijimi i vendeve të reja të punës me rroga prej 30.000 deri më 100.000 denarë.

Përfituesit e parave për hapjen e akseleratorëve të biznesit pritet të jenë fakultetet e profesioneve teknike, vetëqeverisjet lokale dhe kompanitë e reja.

Ata do të mbështeten me 75 për qind të sipërmarrjes së përgjithshme, ndërsa 25 përqindëshin e mbetur duhet ta ofrojnë vetë ato.

“Akseleratorët e biznesit do të ofrojnë ndihmë për start ap kompanitë edhe atë në tre faza. Pra, në programin e parë do të identifikohen shfrytëzuesit, do të realizohet program për trajnime, do të jepet mbështetje për zhvillim të biznesit. Në fazën e dytë kemi mjete për investime fillestare, përkatësisht mjete financiare për shfrytëzuesit e zgjedhur të cilët kanë kaluar fazën e parë. Pastaj, për ato start ap kompanitlë e suksesshme vet akceleratori ofron mundësi shtesë financiare për përshpejtim shtesë të rritjes së asaj kompanie”,- tha drejtori i FIZHT, Jovan Despotovski.

Qeveria shpalli thirrje publike edhe për masën e mbështetjes së kompanive të cilat do të investojnë në teknologji të re, ku qëllimi i kësaj mase është të rritet konkurrenca e kompanive vendore.

Thirrja publike për këto dy masa do të jetë e hapur deri më 27 korrik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat